Rinisin kërkimet për kapjen e 3 të arratisurve nga burgu i Drenovës

Rinisin kërkimet në malin e Gramozit për kapjen e tre të arratisurve të tjerë nga burgu i Drenovës.

Forcat e policisë ndërpren mbrëmjen e djeshme operacionin e kërkimit për tre të arratisurit nga burgu i Drenovës. Policia pati njoftuar lokalizimin e tre të arratisurve në malin e Gramozit, ku dhe po bënte krehjen e zonës, por moti i keq, errësira dhe terreni malor e bëri të pamundur vazhdimin e operacionit, duke i detyruar të ndërpresin kërkimet në lartësinë e malit.

Sipas policisë deri tani nuk ka asnjë gjurmë konkrete të Gëzim Tomës, Eduard Lulos dhe Reis Haxhiraj, ndërkohë policia kufitare ka filluar kërkimet në kufi me Greqinë me kamera termike.

Forcat RENEA arrestuan dje tre të burgosurit, që ishin arratisur mbrëmjen e së shtunës nga burgu i Drenovës. Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri u arrestuan dje në një magazinë në Prrenjas ku ishin strehuar gjatë natës ndërsa mësohet se gjatë operacionit ka pasur edhe shkëmbim zjarri.

Gjithashtu policia ka arrestuar sot edhe 3 organizatorët e arratisjes së 7 të dënuarve nga Burgu i Drenovës. Sipas policisë, janë arrestuar shtetasit Olsion Maçi dhe Aldi Meçini dhe Altin Lami, të cilët dyshohen se kanë ndihmuar nga jashtë burgut për arratisjen e të dënuarve.

Paralajmërohen arrestime, Tahiri: Do dalin para drejtësisë përgjegjësit

E ndërsa tre prej 7 të burgosurve të grupit të burgit të Drenovës vazhdojnë të jenë në arrati, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ka bërë apel të arratisurve apo familjarëve të mundësojnë dorëzimin e tyre një orë e më parë. Në një konferencë për mediat sëbashku me drejtorin e Policisë së Shtetit, Artan Didi, Tahiri e ka cilësuar arratisjen e tyre të mirëorganizuar dhe aspak rastësore. Ai garantoi se në një kohë të shpejtë do të ketë arrestime më përgjegjës konkretë në organet ligjzbatuese.

“I bëj thirrje të tre të arratisurve dhe familjarëve të tyre të bëjnë të mundur dorëzimin e tyre sot, se nesër mund të jetë shumë vonë.Dëshiroj të falenderoj edhe PD-në që megjithëse në një situatë të nderë nuk priti dhe jo pak kritike se kjo nuk priti të na kujtojë që shteti është shembur. Po në fakt, faktet flasin vetë që shtetin e gjetën jo vetëm të shembur, por të shkatërruar deri në kockë dhe të inkriminuar deri në qelizë. Po gjithashtu dua ti garantoj që shteti është këtu, policia është në këmbë për të siguruar jetën, pronën dhe sigurinë publike të çdo qytetari në republikën e Shqipërisë.Policia e shtetit vijon hetimet sëbashku me prokurorinë e përgjithshme dhe ky rast shërbeu për të bërë një skaner qelizor mbi çdo strukturë që deri dje ka dështuar për t`i shërbyer ligjit, apo i ka shërbyer ligjit. Ju siguroj që nga hetimet paraprake, arratisja e djeshme është gjtihcka përveçse rastësore, është e organizuar mirë por njëkohësisht është dëshmia tragjike e përfshirjes së politikës në punët e pista të krimit, siç është dëshmi tragjike i kompromentimit kapilar i strukturës shtetërore për të garantuar zbatimin e ligjit. Shumë shpejt do të keni rezultate të tjera dhe arrestime me përgjegjës konkret në të gjitha stuktura ligjzbatuese. MB dhe qeveria janë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Ne jemi këtu, policia është këtu, kriminelët do të jenë aty ku e kanë vendin, në burg. Dhe bashkë me ta kushdo që deri dje i ka ndihmuar të kapërcejnë linjën, qoftë edhe në këmbim të votave” theksoi dje ministri Tahiri.(OraNews)

Lajme të ngjashme

Back to top button