Policia shqiptare ofron 5 mijë euro shpërblim informatorëve për të arratisurit

Ndërsa paralajmëron për rrezikshmërinë e të burgosurve të arratisur mbrëmjen e djeshme nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës, Policia e Shtetit ofroi 5 mijë euro për këdo që do të ofrojë informacion që do të çojnë në arrestimin e secilit prej të shumëkërkuarve.

Në një komunikatë për shtyp, mëngjesin e së dielës, autoritetet kërkojnë bashkëpunimin e çdokujt që ka informacion, duke i kërkuar që të vërë menjëherë në dijeni policinë në numrin pa pagesë 129.

Të arratisurit, dyshohet që të jenë të armatosur dhe tejet të rrezikshëm, ndaj kushdo që do të ndodhet në afërsi të tyre këshillohet që të shmangë sa më shpejt kontaktin me të shumëkërkuarit.

Të arratisurit janë, Admir Bahri Tafili, lindur në 1975, në Shkodër, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen të trefishtë, Fran Pal Marashi, lindur në vitin 1978 në Shkodër dhe i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e katër policëve në masakrën e Urës Vajgurore.

I arratisur gjithashtu Gëzim Gjergj Guri, lindur ne vitin 1977, banues në Vaun e Dejës. Gëzim Ndue Toma, lindur ne vitin 1982, lindur në Dibër, Reiz Namik Haxhiraj, lindur ne 1971, banues në Selenicë të Vlorës, Eduard Kujtim Lula, lindur ne vitin 1982, banues në Përmet.

Ndërkohë, mëngjesin e së dielës u gjet edhe automjeti i braktisur i kryeplakut të Qatromit në fshatin Ravonik dhe po i nënshtrohet ekspertizës së policisë për të gjetur prova të reja.

Informacione të besueshme thonë për “Top-Channel” se të burgosurit nga jugu i vendit janë larguar drejt zonave jugore me një automjet tjetër, ndërsa për të burgosurit e tjerë mund të kenë udhëtuar drejt veriut, me një makinë që ka ardhur për ta nga Tirana.

Hetime po zhvillohen aktualisht për të përcaktuar nëse të arratisurit kishin bashkëpunëtorë brenda burgut të sigurisë së lartë të Drenovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button