Përfaqësimi mizor i shqiptarëve në MPJ, Ermira Mehmeti shfajësohet

Avokati i Popullit Ixhet Memeti ka konfirmuar shifrat lidhur me përfaqësimin mizor të shqiptarëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe jo vetëm, Memeti mbrëmë në emisionin “Rruga drejt” në Alsat, theksoi se përfaqësimi i shqiptarëve në Ministrinë e Jashtme është rreth 19%, ndërsa në postet drejtuese në këtë dikaster vetëm 8%.

 “Gjendja është kësisoj, diku 75% në total janë të përkatësisë maqedonase, kurse 19% janë të përkatësisë shqiptare. Kurse sa u përket vendeve udhëheqëse, qofshin ato 3 postet politike apo të tjerat që janë udhëheqës sektorësh e kështu me radhë, në udhëheqësit e sektorëve kemi një raport krejt tjetër nga kjo që i përket pjesës së përgjithshme. Pra kemi 88% maqedonas dhe vetëm 8% shqiptarë”, u shpreh Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.

Shifrat e Avokatit të Popullit kanë të bëjnë me vitin 2012, dhe vetëm sa i përket të punësuarve në Ministrinë e Jashtme, dhe jo për përfaqësitë diplomatike, për ku gjithashtu kemi raportuar shpërfillje të kuadrove shqiptarë dhe shkelje të parimit për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.

Për Ermira Mehmeti, mjafton që ajo si deputete e BDI-së ka pyetur ministrin e jashtëm Poposki për përfaqësimin e shqiptarëve dhe me këtë mënyrë sipas saj është nxitur debati.

Ermira Mehmeti: “Nëse në këtë përbërje qeveritare ne nuk kemi përfaqësim në 3 postet drejtuese në Ministrinë e Punëve të Jashtme, nuk do të thotë se ne nuk jemi të interesuar për këtë ministri”.

Muhamed Zeqiri: “Ne e dimë se 16 drejtori ka në MPJ dhe vetëm 2 drejtorë janë shqiptarë”.

Ermira Mehmeti: “Ka patur raste kur nuk kemi pasur asnjë drejtor në asnjë ministri”.

Muhamed Zeqiri: “Por kjo nuk do të thotë se duhet të kënaqeni dhe të mburreni” 

Ermira Mehmeti: “Unë nuk thash se po mburrem me këtë situatë. Unë, ju opinion dhe z.
Mehmeti jemi në të njëjtën anë”

Muhamed Zeqiri: “Ju jeni në anën që duhet ta bëjë punën! Sepse ju jeni të përzgjedhur e popullit dhe populli iu ka dhënë mandate që të bëni punën”

Ermira Mehmeti: “Unë llogaris se po e bëj punën. Nëse si deputete e shumicës parlamentare e konfrontoj ministrin në seancë publike për të më dhënë llogari për përfaqësimin e drejtë, unë llogaris se jam duke e bërë punën”

Avokati i Popullit gjithashtu theksoi të dhëna alarmante sa i përket përfaqësimit edhe në institucione të tjera shtetërore.

“Unë kam ndërmarrjet publike këtu, të cilët janë me kapital të përzier ose 100% kapital i shtetit, atje kemi 80% me 11%. Fondet, 83% me 13%. Pastaj, agjencionet dhe drejtoritë 80% me 15% që nuk janë as sa ministritë. Në anën tjetër kemi kulturën, 82% me 12%. Kopshtet e fëmijëve 90% me 2%. Muzetë ende më poshtë, 90% me 2%”, tha Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.

Sipas avokatit të popullit,  ngecja e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat vjen si pasojë e mungesës të ndonjë mekanizmi më efikas që do të detyronte funksionarët të respektojnë këtë parim. Kështu siç është, përfaqësimi vazhdon të varet nga vullneti i mirë i pushtetmbajtësve në institucionet përkatëse.  /Alsat M/

     

Lajme të ngjashme

Back to top button