DHP kërkon qasje edhe te pensionet

Deri më 15 mars, të gjithë qytetarët në Drejtorinë për të Hyra Publike (DHP) do të duhet të dorëzojnë formularë vjetor të tatimeve për të ardhurat e realizuara në vitin 2015. Dorëzimi i formularëve vetëm se ka filluar dhe sipas DHP-së, deri më tani janë dorëzuar 145.475 formularë vjetor të tatimeve, shkruan gazeta Koha.

Sipas zëdhënës së DHP-së Vesna Novakoviq, përmes dorëzimit të formularit vjetor të tatimit, një qytetar që deklaron të ardhurat, i raporton shtetit për të gjitha të ardhurat që i vijnë atij gjatë një viti, si nga paga mujore, të ardhurat nga qiraja, shitja e ndonjë prone etj.

“Çdo e ardhur që sigurohet brenda një afati kohor prej një viti, do të hidhet në formularin e deklarimit të të ardhurave. Kështu, sipas kategorizimeve, të ardhurat tatimore përfshijnë të ardhurat bruto nga punësimi, të ardhurat nga aktiviteti i vetëpunësuarve, dividendët, të ardhurat nga qiraja, fitimi nga transaksionet e pasurive të patundshme, interesat nga depozitat ose nga huat e dhëna, licencat dhe të drejtat ekskluzive të autorit, donacionet e marra, të ardhurat e realizuara jashtë, si dhe të ardhura të tjera”, thotë Novakoviq.

Të njëjtën do të duhet ta bëjnë edhe pensionistët. Pra, edhe ata nëse kanë realizuar të hyra tjera përveç pensionit, do të duhet ta paraqesin edhe pension e marrë brenda një viti. Novakoviq thotë se formularin vjetor të tatimit do të duhet ta dorëzojnë edhe qytetarët që kanë realizuar të hyra përmes internetit.

“Kjo mënyrë e të hyrave plotësuese ka marrë një hov të madh viteve të fundit dhe DHP ka mënyrën e vet se si ti zbulojë këta qytetarë. Një numër i madh i këtyre qytetarëve kërkojnë nga DHP sqarime se a duhet apo nuk duhet të paraqesin këto të hyra plotësuese. Të gjithë këta qytetarë që realizojnë të hyra duke ofruar shërbime përmes kompjuterit, obligohen të paraqesin këto të hyra deri te DHP”, thotë zëdhënësja e DHP-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button