Manjani flet haptas kundër Ramës

Ministri i Drejtësisë i kishte paraqitur kundërshtitë e tij me shkrim në qeveri ditën kur kabineti Rama miratoi projektligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit.

“Ajo duhet të jetë vetëm në vartësi të prokurorisë”, ishte opinioni i Ylli Manjanit, pasi projekti i dytë i qeverisë ishte i ngjashëm me të parin, që u rrëzua pranverën e vitit 2015 nga Gjykata Kushtetuese.

Ylli Manjani nuk foli publikisht. Edhe LSI u tregua e rezervuar dhe Ilir Meta u shpreh se mjaftonte që drafti i qeverisë të ishte sipas Kushtetutës. Tani, kur Komisioni i Venecias ia tha troç qeverisë së njësia hetimore kundër korrupsionit duhet të ishte vetëm pjesë e prokurorisë, Ylli Manjani ka vendosur të dalë hapur kundër shefit të tij në qeveri.

“Nuk e di çfarë ndodhi, por SPAKU, që është struktura antikorrupsion e këtij shteti, duhet bërë. Do bëhet me çdo kusht brenda kuadrit kushtetues, ligjor, sipas modelit të gjykatës dhe prokurorisë së krimeve të rënda duke përdorur po të doni ju edhe modelin kroat që për mua dhe sipas analistëve ka qenë më i suksesshmi. Modele të tjera na kanë çuar në gjueti shtrigash dhe nuk kemi ndërmend të bëjmë reformë për gjueti shtrigash, por reformë për të luftuar korrupsionin. SPAKU do duhet të futet edhe në hullinë që ka thënë Venecia”, u shpreh ai për emisionin “Tonight” të Ilva Tares.

Ministri i Drejtësisë tha se nuk e dinte nëse do të ngrihej Byroja Kombëtare e Hetimit. “Nuk e di. Gjithë SPAKU në vetevete është një strukturë hetimore. Quhet SPAK apo Byro kjo është çështje emri”. I pyetur nëse mund të ketë Byro brenda SPAK-ut, Manjani u përgjigj: “Po mund të jetë Byroja pjesë e SPAK-ut, e cila duhet të jetë pjesë e prokurorisë me sa duket”.

Dhe a duhet të jetë apo jo pjesë e ministrisë së Brendshme? Përgjigja e Ministrit të Drejtësisë ishte e prerë: “Patjetër që jo, kështu i bie teorikisht. Praktikisht mund të jetë dhe në ministri të Brendshme, nuk e di. Por po të lexohen me vëmendje ato që ka thënë Venecia del i qartë konkluzioni”.

Qeveria e miratoi me nxitim projektligjin, e vënë nën presionin e opozitës që e kërkonte me ngulm draftin prej saj. Por kur drafti u bë publik, opozita reagoi fort duke thënë se ky nuk ishte varianti për të cilin ishte rënë dakord me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me ambasadën amerikane në Tiranë, e cila është angazhuar fuqimisht në këtë proces.

Edhe pse i miratuar prej javësh në qeveri, drafti nuk ka kaluar në parlament. Edi Rama kishte deklaruar se ai do ta kalonte pa opozitën projektligjin, pasi për miratimin e tij duhet shumicë e thjeshtë. Por duket se kundërshtitë e LSI, tashmë të bëra publike nga ministri Manjani, i kanë vënë fre projektit të kryeministrit për ta patur Byronë Kombëtare të Hetimit nën vartësinë e tij, nëpërmjet ministrit të Brendshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button