Ahmeti informon ambasadorin kroat për gjendjen politike në vend

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, sot në selinë e BDI-së, në Tetovë e priti ambasadorin e Kroacisë në Maqedoni, Zllatko Kramariç.  Ahmeti e shfrytëzoi rastin që t’ia përsërisë urimet ambasadorit kroat për anëtarësimin e vendit të tij në Bashkimin Evropian me ç ‘rast shfaqi bindje se Kroacia do të bëhet promotor i zgjerimit të mëtejshëm të BE-së dhe inkuadrimin e vendeve nga Ballkani Perëndimor në familjen evropiane.

Siç thuhet në kumtesën e Kabinetit të kryetarit të BDI-së, ambasadori kroat e shprehi falënderimin e tij për bashkëpunimin e afërt me BDI-në, si dhe e ftoi Ahmetin që ta vizitojë Zagrebin në një të ardhme të afërt. 

Kramariç shfaqi interes rreth situatës politike në vend, posaçërisht rreth vizitave të liderit Ahmeti në SHBA dhe Qendrat evropiane, çështjen me emrin, integrimet euroatlantike, si dhe zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Bashkëbiseduesit gjithashtu folën edhe rreth bashkëpunimit ekonomik bilateral midis dy vendeve.

Kryetari Ali Ahmeti theksoi se të gjitha vizitat dhe aktivitetet e tij si dhe ato të Bashkimit Demokratik për Integrim paraqesin përpjekje që të ndihmohet vendi ynë që të anëtarësohet në NATO dhe BE me ç ‘rast do të sigurohej paqe e përhershme, stabilitet dhe ardhmëria e vendit. Por, pengesa e vetme që të arrihet ky objektiv është çështja me emrin, për këtë arsye edhe e ftoi Kroacinë që të inkuadrohet dhe të ndihmojë për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.

Lidhur me zgjedhjet, lideri Ahmeti e përsëriti qëndrimin se presidenti i shtetit duhet t’i përfaqësojë të gjithë qytetarët dhe të jetë i pranueshëm për të gjithë.

Lajme të ngjashme

Back to top button