Zënkë në Parlament: PDSH dhe BDI- Kush është më patrioti?

Deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe ata të Partisë Demokratike Shqiptare sërish janë kapur në zënkë verbale mes sharjeve dhe fyerjeve sot në Parlament në seancën e prezantimit të platformës së ambasadorit të ri të Maqedonisë në Kosovë, Ilija Strashevski. 

PDSH akuzoi BDI pse nuk emëron ambasador shqiptar në Kosovë e Shqipëri.

“Ju si BDI gënjeni, ju po manipuloni me qytetarët. Pse të mos jetë shqiptar ambasadori i Maqedonisë në Kosovë e Shqipëri? Tash  e 12 vite jeni në pushtet. Po jua them unë, sepse funksionarët e BDI-së janë të instaluar nga shërbimet inteligjente, janë të korruptuar dhe të hipotekuar. Këta persona vendosen funksionarë. Maqedonia nuk e sheh Kosovën dhe Shqipërinë si vend mik por si vend armik”, tha deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi.
Ai më tej ka kritikuar Strashevskin duke i thënë se është përgatitur nga shërbimet sekrete.

Ermira Mehmeti, deputetja e BDI ka reaguar duke thënë se deklaratat e Ibrahimit janë të rrezikshme. 

“Mos flisni për patriotizëm pas asaj që keni bërë. Lideri Juaj i ka mallkuar të gjithë shqiptarët që kanë votuar BDI-në dhe atë e dini e keni në gazetën Dnevnik. Si mund te flisni për patriotizëm. Këtë asnjëherë nuk e ka bërë lideri I BDI-së z. Ali Ahmeti. Si mund te flisni për patriotizëm kur ish-kryetari i Komunës së Tetovës, në zgjedhje u thoshte maqedonasve mos votojnë për BDI-në se ata do u ndërtojnë përmendore të UÇK-së. Ju flisni për spiunim përderisa ju vetë angazhuat njerëz tuaj për të gjetur një spiun në Beograd i cili ka falsifikuar biografi”, është përgjigjur Mehmeti. 

Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-së, tha se kualifikimet e Ibrahimit janë të pasakta dhe se Maqedonia dhe Kosova kanë bashkëpunim të mirë ekonomik, ndërsa Imer Aliu deputeti i PDSH tha se Mehmeti jep deklarata të cilat mund të merren si “shenja skizofrenie”.

Ndërkaq, gjatë prezantimit të platformës së tij ambasadori i ri në Kosovë, Ilija Strashevski tha se do të angazhohet për ta prezantuar në mënyrë sa të denjë Maqedoninë në Kosovë si dhe do të mbrojë interesat e qytetarëve të saj dhe të shtetit nga ku vjen.

“Do të përpiqem që edhe më tej ti përforcoj marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve” tha sot Strashevski. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button