Prindërit paguajnë për librat falas

Projekti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), për shpërndarjen e librave falas për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, si duket po paguhet nga ana e prindërve.

Zëdhënësi i MASH-it, Goran Galevski, bën të ditur se librat të cilët dëmtohen paguhen nga prindërit me qëllim që të zëvendësohen me të rinj.

“Librat janë shpërndarë falas, por nëse ato dëmtohen dhe nuk mund të përdoren gjatë vitit të ardhshëm nga gjenerata tjetër, duhet paguar me qëllim që të sigurohen libra të rinj”, tha Galevski.

Ndërkaq prindërit ankohen për kualitetin e dobët të librave të cilat grisen shumë shpejtë dhe për këtë shkak ata duhet të paguajnë për materialin e dobët.

“Kam paguar tre libra të vajzës sime e cila tani është klasa e gjashtë. Materiali i librave është shumë I dobët, sapo të hapet libri faqet menjëherë grisen. Kjo nuk është shkaku I fëmijëve tanë por është shkaku i atyre që bëjnë libra me kualitet të dobët, ata duhet paguar dënim e jo ne”, tha Arsim Hoxha, prind.

Galevski shton se tani është viti i pestë që përdoren librat të cilët u shpërndanë fala nga MASH, dhe gjatë vitit të ardhshëm ato do të dalin nga përdorimi.

“Ky projekt parashikon që librat që janë shpërndarë nga ne, të përdoren për pesë vite. Gjatë vitit të ardhshëm do të shpërndahen libra të rinj. Ndërkohë sugjeroj që librat të ruhen dhe të mos dëmtohen shkaku që mos të vjen deri tek pagesa e tyre”, tha Galevski.

Lajme të ngjashme

Back to top button