Tre kandidatë dorëzohen pas Nju Hempshër; votimet vazhdojnë nesër

Në anën republikane kanë mbetur vetëm gjashtë kandidatë pasi nga gara u larguan Kristi, Fiorina dhe Gilmor. Nesër demokratët votojnë në Nevada, ndërsa republikanët në Karolinën e Jugut.

Tre kandidatë tërhiqen pas Nju Hempshër. Në garën republikane Ajova përherë ka patur rolin të eliminojë kandidatët e pashpresë evangjelistë. Kësaj rradhe fill pas votimeve atje nga gara u tërhoqën Santorum dhe Hakabi. Nga ana tjetër Nju Hempshër bën pastrimin e kandidatëve të moderuar dhe të establishmentit. Disa ditë pas mbylljesë së votimeve aty, pas rezultateve të dobëta, nga gara u tërhoqën tre kandidatë republikanë: Kris Kristi, Karli Fiorina dhe Xhim Gilmor. Me këtë fusha republikane tanimë është reduktuar në gjashtë kandidatë dhe pret rezultatet e rradhës që të vazhdojë të pastrohet edhe më tutje.

realChris-ChristieKris Kristi. Kandidati më serioz nga të tretë që u tërhoqën pa dyshim ishte Kris Kristi. Guvernatori i suksesshëm republikan në një shtet tejet demokrat përmendej si kandidat qysh në vitin 2012, kur ishte në majë të popullaritetit. Por Kristi atëherë i la rradhën Mit Romnit. Në ndërkohë, dy vite më parë, atij i ndodhi një skandal në shtetin e vet Nju Xhersi, kur disa bashkëpunëtorë të tij kishin mbyllur urat drejt një komune që kishte votuar kundër tij. Eventualisht Kristi u la nga përgjegjësia pasi nuk kishte qenë në dijeni të ngjarjes, por politikisht kishte pësuar goditje të rëndë.

Në garën e 2016 hyri si autsajder dhe u fokusua kryekëput në Nju Hempshër. Një kohë arriti të ngritet në anketa aty, por në fund mbeti me 7,5%, në vendin e gjashtë. Do të mbahet mend si debatues i mirë, sidomos në debatin e fundit kur i dha goditje vdekjeprurëse Rubios dhe e rrëzoi nga vendi i dytë në të pestin në Nju Hempshër.

realCarly-FiorinaKarli Fiorina. Qysh kur hyri në garë, ish-drejtoresha e gjigantit HP nuk llogaritej si pretendente serioze për nominim. Më tepër mendohej se ka hyrë në garë për të rrënë në sy, ashtuqë në fund të nominohet si kandidate për nënkryetare. Pati një debat të mirë kur u përplas me Trampin në shtator, por pastaj u humb nga radari. Përfundoi e shtata në Nju Hempshër me 4.2%. Duhet të thuhet se ende konsiderohet si kandidate e mundshme për nënkryetare.

realJim-GilmoreXhim Gilmor. Ish-guvernatori i Virxhinias ishte krejtësisht i padukshëm në këtë garë, saqë shpesh harrohej edhe se kandidon. Arriti të kualifikohet vetëm në një debat të ligës së dytë. Ende nuk merret vesh pse u kandidua dhe pse ju desh aq gjatë që edhe formalisht të tërhiqet.

 

Demokratët nesër votojnë në Nevada. Pas Nju Hempshër ku fitore bindëse korri Berni Sanders, gara demokrate vazhdon në një shtet tejet të ndryshëm nga dy të parët, në Nevada. I njohur kryesisht me qytetin e famshëm Las Vegas, Nevada është shtet i madh, por me numër të vogël banorësh, rreth 3 milionë. Me shumëçka dallon nga pjesa tjetër e SHBA-ve, pasi është vendi i vetëm ku është legalizuar kumari dhe prostitucioni. Ekonomia është e bazuar thellë te turizmi. Edhe demografikisht dallohet nga Ajova dhe Nju Hempshër, pasi në Nevada 25% e popullatës është latine, që mendohet të favorizojë Klintonin.

Nga Nevada kemi shumë pak anketa, si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët. Megjithatë është e qartë se Klinton ka udhëhequr gjatë kohë në Nevada; diku nga mesi i nëntorit ajo kishte 20% përparësi ndaj Sandersit. Por anketat tjera, të bëra pas votimeve në Ajova dhe Nju Hempshër tregojnë se Sanders i është afruar së tepërmi dhe mund të befasojë Klintonin edhe në Nevada. Ja si duken mesataret e anketave sot:

Kandidati Kandidati RCP HuffPost 538 Gjasat-Bastore
 sHillary-Clinton Hillari Klinton 48.7% 50.5% 52.9% 61%
 sBernie-Sanders Berni Sanders 46.3% 47.0% 45.6% 39%

 

Numri i vogël i anketave do të thotë se shifrat më lartë mund të jenë shumë të gabuara dhe se në Nevada mund të ndodhë gjithçka. Mirëpo kohë më parë rrëfimi ishte krejtësisht ndryshe. Ajova dhe Nju Hempshër janë shtete unike, prandaj suksesi i Sandersit atje nuk ishte befasi aq e madhe. Serioziteti i garës mendohej se do niste në Nevada, për të vazhduar më tej në Jug, vende ku Klinton ka përparësi absolute. Nëse megjithatë Sanders arrin të fitojë ose të humbë me rezultat të ngushtë ndryshon e gjithë narativa e garës. Atëherë do të jetë e qartë se Klinton definitivisht nuk është kandidate e pashmangshme demokrate. Atëherë për herë të parë duhet të merret seriozisht mundësia që Sanders të jetë favorit për të fituar gjithë garën.

Republikanët në Karolinën e Jugut. Të reduktuar tani në gjashtë kandidatë, republikanët javën e kaluar mbajtën debatin e tetë me rradhë me dinamikë krejtësisht tjetër. Aty pamë një Bush të ndryshëm, shumë më energjik, që sulmoi pandërprerë me sukses Trampin. Pamë edhe betejën Tramp-Kruz, e përplasjen e latinëve Rubio-Kruz. Por më së tepërmi pamë se si debati degradoi në nivel tejet të ulët, me fyerje të shumta personale. Ashtu ka vazhduar edhe kampanja gjatë javës në Karolinën e Jugut, shtet ku republikanët do të votojnë nesër.

Karolina e Jugut qëmoti njihet si vendi ku republikanët bëjnë pjesën më të shëmtuar të fushatës. Në 2000 përplasja ishte në relacionin Bush-Mekejn, kur qarkullonin thashetheme se Mekejn ka një fëmijë bastard me një zezake. Në 2012 ishte përplasja Gingriç-Romni, ndërsa mes tjerash temë u bë pabesia martesore e Gingriçit. Këtë rradhë, me më tepër kandidatë, përplasje të ashpra ka në relacionet Bush-Tramp, Tramp-Kruz dhe Kruz-Rubio. Të vetmit që rrijnë anash dhe mbajnë nivel të lartë diskursi janë Kasiç dhe Karson.

Ja si duken anketat në Karolinën e Jugut sot:

Kandidati Kandidati RCP HuffPost 538 Gjasat-Bastore
 sDonald-Trump Donald Tramp 32.5% 35.0% 32.0% 86%
 sTed-Cruz Ted Kruz 18.4% 19.3% 18.8% 8%
 sMarco-Rubio Marko Rubio 17.1% 15.7% 19.4% 2%
 sJeb-Bush Xheb Bush 10.4% 9.7% 11.5% 0%
 sJohn-Kasich Xhon Kasiç 9.9% 9.3% 9.4% 0%
 sBen-Carson Ben Karson 6.8% 5.8% 7.2% 0%

 

Përkundër fyerjeve që u ka bërë një sërë personaliteteve të popullarizuara republikane, Tramp duket se do të korrë fitore të ngjashme si në Nju Hempshër. Edhe këtu shumë më interesante dhe domethënëse është gara për vendin e dytë, e sidomos ajo me Rubios, Bushit dhe Kasiçit. Rubio është ngritur në anketa ditët e fundit, i përkrahur nga disa republikanë të Karolinës si senatori Tim Skot (i vetmi senator zezak republikan) dhe guvernatorija Niki Hejli. Bush përkrahet nga Lindsi Graham, ndërsa në kampanjë ka sjellur edhe vëllaun e vet Xhorxh Bush. Kruz llogarit në përkrahjen e evangjelistëve që këtu janë në numër të madh. Kasiç mundohet vetëm të mbijetojë derisa gara të kalojë në terren më të favorshëm për të, ndërsa Karson ka mundësi të lë garën nëse kalon dobët në Karolinë, ashtu siç pritet.

Mënyra e votimit. Nevada voton me kaukuse, ndërsa Karolina e Jugut me primare.

Më tutje. Javën e ardhshme partitë ndërrojnë vendet. Republikanët do të jenë në Nevada, ndërsa demokratët në Karolinën e Jugut.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button