11 teknika të gabuara të flirtimit

Ja ku jeni, njëzet vjeç, të dëshpëruar për një lidhje që gjithnjë përfundon si mos më keq. Arsyeja? Teknika të gabuara të flirtimit, ja çfarë duhet të shmangni.

1. Alkooli si teknikë lidhjeje
Të mbështeturit tek alkooli si një mënyrë çiftëzimi është një nga gabimet më të përhapura të 20-vjeçarëve sot. Një mbrëmje jashtë me shoqërinë, trullosje e lehtë ose më serioze nga pija dhe papritur dy njerëz përfundojnë bashkë si të lidhur. Nëse kjo vazhdon për shumë kohë, atëherë gjasat janë një si vajza ose djali ta shohin veten pas disa vitesh të dëshpëruar në takimet online. Arsyeja? Zakonisht njerëzit që e përdorin alkoolin si mënyrë për t’u gjallëruar dhe për të bërë realitet ato gjëra që s’do t’i bënin kurrë esëll, priren drejt dështimeve në jetë.

2. Tërheqja nga djemtë e këqij
Të pafundme janë vajzat që tërhiqen nga djemtë që i trajtojnë si mos më keq dhe që nuk tregojnë aspak respekt për to. Komentet vulgare dhe mungesa e komplimenteve, i bën ata të duken të shpenguar dhe aventurierë, por asgjë prej këtyre nuk qëndron vërtet. Një person që është te të njëzetat, ngadalë fillon të mendojë se duhet të shoqërohet me persona që e bëjnë të ndihet me vlerë dhe që i japin frymëzim për sukses në vitet e ardhshme të jetës.

3. Komunikimi vetëm përmes mesazheve
Shmangia e kontaktit personal dhe komunikimi vetëm përmes teksteve është një nga gabimet e tjera më të mëdha që bëhen në ditët e sotme. Kjo jo vetëm që sjell largësi reale dhe afërsi virtuale, por gjithashtu nuk i jep asgjë të mirë një lidhjeje, pasi e bën kuptimin dhe komunikimin e vërtetë të futet në një ngërç thuajse të pazgjidhshëm.

4. Ndërprerja e lidhjeve me njerëz të të njëjtit seks
Sapo dikush gjen një të dashur fillon dhe izolohet nga shoqëria e të njëjtit seks. Problemi qëndron te frika e konkurrencës për fitimin e simpatisë së dikujt. Është e qartë se rastet e tradhtisë mes shoqërisë janë të pafundme, por ky është një rrezik që duhet të ndërmerret, nuk mund ta çoni shoqërinë tuaj në zero vetëm sepse jeni tepër të frikësuar të përballeni me të vërtetën. Nëse po kërkoni t’i bëni përshtypje dikujt që e keni për zemër, atëherë tregojini që dini t’i trajtoni njerëzit rreth jush në mënyrën e duhur.

5. Lidhjet me të tjerë për të tërhequr vëmendjen e ishit
Jeni njëzet vjeç dhe kaq të pashpresë? Lidhjet që vijnë për hir të dëshirës së dëshpëruar për të pasur vëmendjen e ishit jo vetëm që nuk do t’ju sjellin asnjë të mirë, por do t’ju shkatërrojnë edhe atë pak qetësi që ju ka mbetur pas ndarjes. Nëse doni t’i bëni vetes një nder, atëherë qëndroni të fortë dhe zgjidhni të dilni në takim me dikë që është i mirë për ju dhe jo për hakmarrje.

6. Flirtimi i vazhdueshëm me ish të dashurin
Në rastet kur ishin nuk e urreni apo nuk e keni larguar plotësisht nga jeta, ekziston mundësia e flirtimit të vazhdueshëm. Kjo mund të ndodhë për shkak të ndarjeve që kanë ardhur prej gjërave të vogla e të parëndësishme. Këshilla më e vlefshme në këtë rast është të shihni nga e tashmja dhe të gjeni dikë më të mirë, nëse ishi me të cilin po flirtoni do të ishte i duhuri, atëherë nuk do t’ju duhej të ndaheshit prej tij.

7. Takimet online
A nuk ju duket pak si tepër tragjike? Jeni diku te të njëzetat dhe ndiheni kaq të pashpresë sa u jeni drejtuar takimeve online. Site të ndryshme janë të mbushur me maniakë, persona që takohen me dy ose tri në natë dhe me ata që janë tepër të mirë për të qenë të vërtetë. Jepini vetes forca dhe largohuni nga ideja e keqe e takimeve online. Dilni dhe gëzojeni jetën siç është në të vërtetë.

8. Prekjet e hershme
Flirtimi i kohëve të sotme, ka disa elementë të papëlqyeshëm siç mund të jetë përdorimi i fjalëve të ëmbla në çastet e para të njohjes, vënia e nofkave apo prekjet e papërmbajtura ndaj dikujt që është thuajse i panjohur. Jo vetëm që nuk është një mënyrë e mirë flirtimi, por është një nga dështimet më të mëdha të brezit të njëzetvjeçarëve të sotëm që po përpiqen të gjejnë “shpirtin binjak”.

9. Mosbërja e pyetjeve
Duket sikur papritur kurioziteti njerëzor është shuar dhe të rinjtë, edhe kur janë në një takim për t’u njohur, nuk bëjnë asnjë pyetje rreth personit që kanë përballë. Jo vetëm që është egoiste, por është gjithashtu edhe joproduktive. Secili ka brenda vetes një “xhep” të fshehur të ëndrrave dhe dëshirave, ndaj mënyra më e mirë për t’u afruar me dikë është t’i krijoni besimin se mund t’ju shprehet për gjërat që shumë të tjerë s’duan t’ia dinë.

10. Bisedat rreth ish të dashurit
Sidomos në rastet kur këto janë obsesive dhe të mbushura me aspekte negative, janë një nga dështimet më të mëdha që njerëzit bëjnë gjatë flirtimit ose lidhjeve. Personat me të cilët keni pasur të bënit, duhet t’ia lini të shkuarës dhe nëse s’keni asgjë për të thënë kur jeni me dikë, më mirë mos ia filloni me gabimet e ishit.

11. Mesazhet në gjendje të dehur
Përse nuk rriteni dhe të merrni përgjegjësitë tuaja ndaj personave që keni për zemër? Në moshën 20 e ca vjeçare të gjithë besojnë se mënyra më e mirë për të qenë të sinqertë me dikë janë mesazhet e dërguara në gjendje të dehur. Po e nesërmja? Një ditë turpi dhe mohimi të gjithçkaje të thënë. Nëse po kërkoni një lidhje të këndshme, gjëja e parë që duhet të bëni është të hiqni dorë nga mesazhet e pakuptimta të çuara në gjendje të dehur dhe t’i thoni gjërat në sy.

Lajme të ngjashme

Back to top button