TIKA dhe shoqata “ALSAR” ndihmë për fëmijët jetimët në Shqipëri

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në bashkëpunim me Shoqatën Alternativa e së Ardhmes (ALSAR) kanë organizuar sot në Tiranë një aktivitet për shpërndarjen e ndihmave ndaj jetimëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë ceremoni merrnin pjesë ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, koordinatori i TIKA-s në Shqipëri, Prof. Dr. Birol Çetin, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Abas Hado, diplomatë të akredituar në Tiranë, zyrtarë të tjerë të lartë të pushtetit lokal dhe një numër i madh familjarësh të jetimëve, të ardhur nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë.

Në një fjalë përshëndetëse në këtë aktivitet kryetari i Shoqatës “ALSAR”, Mehdi Gurra tha se kjo shoqatë që prej vitit 2008 është duke ndihmuar jetimët në mbarë vendin.

“Aktiviteti i sotëm organizohet vetëm për jetimët e krishterë. Ne si organizatë kemi filluar të mbështesim jetimët që nga viti 2008, vit në të cilin mbështetëm 35 jetimë, ndërsa vitin e kaluar kemi mbështetur në të gjithë vendin 2605 jetimë. Shoqata ‘ALSAR’ synon që këtë vit të përkrahë rreth 3 mijë fëmijë jetimë në shkallë republike’’ tha Gurra. Ai nënvizoi se kjo ndihmë bëhet duke u mbështetur në tolerancën fetare dhe pa bërë dallime feje dhe race si dhe për të theksuar që krahas fëmijëve jetimë muslimanë kjo shoqatë ndihmon edhe fëmijët jo muslimanë.

Në këtë aktivitet një fjalë përshëndetëse mbajti edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar. Në fjalën e tij Bayraktar falënderoi TIKA-n dhe shoqatën “ALSAR” për këtë ndihmë . “Dy vendet tona kanë lidhje të vjetër. Dy popujt tanë kanë një të kaluar vëllazërore me njëri-tjetrin. Ne si ambasadë bashkë me TIKA-n, Institutin ‘Yunsu Emre dhe organizata të tjera jofitimprurëses mundohemi t’i qëndrojmë pranë popullit shqiptarë. TIKA zhvillon një veprimtari jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Aktiviteti i sotëm është një shembull i ndihmës që ky institucion realizon në të gjithë botën” deklaroi Bayraktar.

Ndërsa nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Abaz Hado falënderoi institucionet turke në Tiranë dhe shoqatat e tjera të cilët ndihmojnë jetimët në të gjithë Shqipërinë.

Si organizator kryesor koordinatori i TIKA-s në Shqipëri Prof. Dr. Birol Çetin në fjalën e tij duke dhënë detaje për programin e kësaj agjencie në Shqipëri tha se institucioni që ai drejton operon prej 20 vitesh në këtë vend. “Ky është projekti i katërt i organizuar për jetimët në Shqipëri. Zakonisht nuk iu bëjmë reklamën atyre që bëjmë, por ky është një aktivitet ndryshe pasi me reflektimin e tij në media i’u tregojmë njerëzve përgjegjësinë për këtë pjesë të shoqërisë pasi jetimët janë amaneti jonë. Ne shpresojmë që do të vazhdojmë me projekte të tilla edhe në prag të hapjes së shkollave” nënvizoi ndër të tjera Çetin në fjalën e tij.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button