​Qosja: Arrestimi i aktivistëve të opozitës nga shërbëtori i Millosheviqit është fashizëm

Akademik Rexhep Qosja sot ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve më të reja në Kosovë: Mbledhjet e Kuvendit që mbahen në prani shumë të madhe të policëve, arrestimet e deputetëve të opozitës.

Qosja në këtë reagim ka kërkuar ngritjen e zërit kundër Qeverisë aktuale të Kosovës.

Ky është reagimi Qosjes:  Regjimi i sotëm në Kosovë ka hyrë në fazën e përdorimit të metodave fashiste në pushtetin që po zbaton dhe këto metoda fashiste nuk po i përdor vetëm sot. Papërgjegjshmëria, shantazhet, gënjeshtrat, kërcënimet, përjashtimet prej pune të familjarëve të kundërshtarëve politikë janë vetëm disa përbërës të metodave fashiste të këtij pushteti. Dëshmi e përdorimit të metodave fashiste në pushtetin e Kosovës sot janë mbledhjet e parlamentit në të cilat gati sa deputetë marrin pjesë policë në uniforma dhe në veshje civile Dëshmi posaçërisht e egër e zbatimit të metodave fashiste në pushtetin e Kosovës janë burgosjet e deputetëve dhe të aktivistëve të Opozitës që tash e sa kohë po urdhëron Qeveria e Kosovës. Këto metoda fashiste, u panë sidomos dje dhe sot: dje – kur, dy ditë para protestës së Opozitës, u thirrën në seancë gjyqësore ish kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, deputetja e AAK-së, Donika Kada Bujupi, dhe deputeti i Vetëvendosjes, Faton Topalli dhe sot – kur në orën 6 të mëngjesit, një ditë para protestës së Opozitës, me urdhër të gjykatësit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, u arrestua shefi i grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, dhe shtatë aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes.

Metodën fashiste të arrestimit të tyre e bënë sa brutale aq edhe komike si “0vonesa” ashtu edhe arsyeja e arrestimit të tyre: ata u arrestuan sepse në vitin 2009 i paskan rrotulluar disa xhipa të EULEX-it dhe i paskan rrotulluar për shkak se EULEX-i kishte bërë marrëveshje me Policinë Serbe! Nuk ka dyshim se qëllimi i arrestimit të tyre është dobësimi sa më i dukshëm i protestës së nesërme në njërën anë, kurse frikësimi i pjesëmarrësve si dhe i atyre që kanë menduar të marrin pjesë në protestë, në anën tjetër. Kur burgosen aq lehtë, e në mënyrë aq fashiste krerët e opozitës, çka mund t’u ndodhë qytetarëve të tjerë! Populli shqiptar i Kosovës, inteligjencia shqiptare e Kosovës, inteligjencia shqiptare në përgjithësi nuk guxojnë ta heshtin këtë rikthim të metodave fashiste në pushtetin e Kosovës.

Është detyrë politike, është detyrë morale, është detyrë kombëtare, është detyrë historikë e popullit shqiptar të Kosovës, e inteligjencies shqiptare të Kosovës, e inteligjencies shqiptare në përgjithësi të ngre zërin kundër kësaj të keqeje fashiste që po ia sjell Kosovës qeveria e sotme e kryeministruar prej ish – shërbëtorit politik të Sllobodan Millosheviqit, i cili shtetin e Kosovës, si po shihet, me metodat e tij fashiste, po e bën “ranç” tij privat. Të këqijat politike parandalohen vetëm para se të institucionalizohen. E zbatimi i metodave fashiste në pushtetin e sotëm të Kosovës ka hyrë në fazën e institucionalizimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button