Klasa e mesme, a ka Shqipëria një të tillë?

Klasë e mesme është një grup shoqëror i përbërë nga njerëz të shkolluar, si mësues, inxhinierë, gazetarë, mjekë, avokatë, menaxherë të cilët nuk janë, as të pasur, as të varfër.

Ata punojnë shumë dhe kanë para’ sa për të bërë një jetë të rehatshme, jo luksoze. Klasa e mesme përbën 1/3 e të punësuarve të një vendi. Ata quhen ndryshe edhe “jakat e bardha”, pasi kryejnë punë profesionale, menaxheriale ose administrative, kryesisht në zyre.

Perfaqësuesi tipik i shtresës së mesme ka shtëpi, makinë, dy fëmijë dhe mundësi për t’i edukuar në shkolla cilësore, ka kursime mënjanë, nëse sëmuret nuk e ka problem të marrë shërbim shëndëtesor cilësor si dhe bën dy herë pushime në vit.

Por, këto karakteristika po zbehen përditë e më shumë. Kemi një shtresë të mesme që jeton me qira, punon çdo ditë e më shumë, madje dy ose tre punë, me një pagë të ulët, me çmime gjithnjë në rritje, të varur nga kreditë dhe mbi të gjitha kur çdo ditë rrezikohen të pushohen. Sindikatat janë pothuajse inekzistente, jopërfaqësuese.

Në Shqipëri klasifikohet në shtresën e mesme familjet me 4 anëtarë që fitojnë nga 500 mijë lekë (të vjetra) deri ne 1 milion e gjysmë në muaj. Në Gjermani një familje me 4 anëtarë konsiderohet e shtresës së mesme nëse të ardhurat variojnë nga 3000 ne 7000 euro në muaj.

Ndërkohë, klasa e mesme amerikane po pakësohet. “Amerikanët e mesëm janë sot më pak nga sa ishin 4 dekada më parë, ndërsa të varfrit dhe super të pasurit janë shtuar duke polarizuar shoqërinë”, raporton Qendra Kerkimore “Pew”.

Shtresë e mesme konsiderohet ajo familje që ka të ardhura nga 54 mijë deri ne 162 mijë dollarë në vit. Gjendja e klasës së mesme amerikane është aktualisht në zemër të platformave ekonomike të shumë kandidatëve për presidentë në zgjedhjet e vitit 2016.

Sipas Bankës Botërore, shtresë e mesme janë njerëzit që fitojnë nga 10 deri në 50 dollarë në ditë për frymë. Të dhënat e INSTAT-it për 2014 tregojnë se 90% e familjeve shqiptare kanë konsum më pak se 5 dollarë në ditë.

Shtresa e mesme në fakt e bën shoqërinë më të shëndoshë. Kjo pasi falë aftësive intelektuale, zgjedhin politikbërësit më të mirë dhe dinë t’i detyrojnë ta bëjnë punën siç duhet. Ajo është e lirshme në zgjedhjet që bën, ndryshe nga shtresa e lartë që kërkon të diktojë interesat e saj, dhe ndryshe nga shtresa e ulët, në hall për bukën e përditshme.

Klasa e mesme gjeneron të ardhura bazuar tek kapitali njerëzor, si arsimi i lartë apo aftësitë sipërmarrëse. Shtresa e ulët i nxjerr të ardhurat nga muskujt apo punë të pakualifikuara. Shtesa e lartë krijon pasuri që nuk varet nga kapitali njerëzor i pronarit.

Sipas INSTAT-it konsumi mujor i një familje shqiptare është rreth 700 mijë lekë (të vjetra). Por, sipas politikanëve tanë, shtresë e mesme klasifikohet paga mbi 300 mijë lekë në muaj e cila taksohet madje me 13%. Pra, si një njeri që fiton 1 milion lekë dhe mbulon pa problem shpenzimet edhe ai me 300 mijë futen në klasen e mesme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button