Rasti i Kumanovës, gjykimi vazhdon, ja se çfarë thonë të akuzuarit  

Vazhdon edhe sot seanca e gjykimit për të akuzuarit në rastin e përleshjes së armatosur në Kumanovë. Gazetari i Portalbit është në Gjykatën e Shkupit duke ndjekur nga afër këtë rast dhe ju sjell deklaratat e të akuzuarve si dhe avokatëve para Këshillit Gjyqësor.

Të akuzuarit thonë se nuk janë terroristë por kanë qenë të shfrytëzuar për qëllime politike ndërsa kanë hedhur dyshime te Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj, transmeton Portalb.mk

“Kërkoj prej BE-së dhe SHBA-së të zbardhin rastin sepse ne nuk jemi terroristë. Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj na kanë thënë se ne vetëm do të jemi figura dhe nëse vjen policia do të gjuani vetëm lartë dhe nuk do t’i sulmoni ato. Edhe një fëmijë dy-vjeçar e di se ne kemi qenë të shfrytëzuar për qëllime politike prandaj nuk e pranojmë fajin dhe kërkojmë drejtësi.” tha Nasuf Beqiri, i akuzuar, transmeton Portalb.mk.

“Pse Beg Rizaj, Mirsad Ndrecaj, Valon Kabashi, Sami Kastrioti dhe të tjerë, janë vrarë pas dorëzimit në stacionin policor?!” tha Rufki Dogani , i akuzuar, transmeton Portalb.mk.
LEXO: Ja gjithçka që ndodhi gjatë gjykimit të rastit “Kumanova”

“Mos i imitoni serbet me këto terme për terrorizëm, u tentoni të fshihni të vërtetën. Duhet ti hapni rrugë të vërtetës “tha Valdet Zekaj, i akuzuar, transmeton Portalb.mk.

“Të më bëhet kontroll mjekësor se a jam unë i çmendur apo normal. Si mendoni ju, unë afër familjes time do të kryeja akt terrorizmi?! Cili i çmendur do të bënte një akt të tillë?!” tha Fadil Zejnullau, i akuzuar, transmeton Portalb.mk.

Të gjithë avokatët mbrojtës të të akuzuarve Lupço Veselinovski, Asmir Alispahiç, Elenko Milanov, Mefail Asllani dhe të tjerë, në fjalimet e tyre hyrëse kanë sqaruar se veprat të cilat u mveshen të akuzuarve në këtë rast nuk kanë fare të bëjnë me terrorizëm. Sipas tyre, termi “terrorist” që është kualifikim juridik i Prokurorisë, duhet të bazohet në fakte dhe të jepen definicione shkencore me të cilat, sipas tyre do të vërtetohet se “termi shkencor për terrorizëm me këtë që Prokuroria e quan terrorizëm nuk ka të bëjë fare” thanë avokatët transmeton Portalb.mk.

Seanca ende vazhdon, në të janë të pranishëm disa nga familjarët e të akuzuarve, ndërsa më vonë do t’ju sjellim edhe detaje të reja nga gjykimi.
Kujtojmë se Avokati i Popullit ka hapur një lëndë për torturë policore ndaj të akuzuarve për të njëjtin rast. /Portalb.mk

LEXO: Gjykimi “Lagjja e Trimave”, familjarët: Shpresojmë të mbisundojë drejtësia

Përndryshe, 29 pjesëtarët e grupit të armatosur, sipas aktakuzës akuzohen për terrorizëm dhe prishjen e rendit kushtetues të Maqedonisë. Trupi gjyqësorë për ta gjykuar rastin “Lagja e Trimave- Kumanovë” tashmë është caktuar. Gjykata e Shkupit ka miratuar aktakuzën për rastin edhe pse pala mbrojtëse pat kërkuar shfuqizim të akuzës dhe lirimin e të arrestuarve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button