Casablanca në finale me Bayernin (Video)

Kampioni i Marokut, Raja Casablanca, ka bërë befasinë duke siguruar kualifikimin në finalen e Kupës së Botës për Klube pas triumfit prej 3-1 kundër fituesit të Copa Libertadores, Atletico Mineiro.

Brazilianët luajtën më mirë në gjysmën e parë, mirëpo skuadrat shkuan në pushim me rrjeta të paprekura.

Jo shumë minuta brenda pjesës së dytë, marokenët arritën të kalojnë në epërsi. Mouhssine Iajour dërgoi në ekstazë tifozët vendas (51’).

Dikur futbollisti më i mirë në botë, Ronaldinho, ekzekutoi një gjuajtje të lirë fantastike për ta sjellë takimin përësri në shifra identike (63’).

Mirëpo, një penalti të akorduar në favor të ekipit nikoqir e konvertoi në gol Mouhssine Moutouali (83’).

Dhe në minutat shtesë kur mysafirët po sulmonin, vendasit shënuan golin e tretë nga një kundërsulm. Mouhssine Moutouali goditi transversalen, ndërsa Vianney Mabide shënoi (90’+2).

Në finale, Raja Casablanca do të luajë kundër kampionit të Evropës, Bayern Munich që në gjysmëfinale mposhti kampionin e Azisë, Guangzhou Evergrande.

Nga ana tjetër, Atletico Mineiro do të luajë kundër skuadrës kineze, Guangzhou, për pozitën e tretë në këtë turne.

Për vendin e pestë në Kupën e Botës për Klube luajnë kampioni Afrikës, Al-Ahly dhe kampioni i CONCACAF, Monterrey.

Lajme të ngjashme

Back to top button