Dyvjeçari lë duhanin, bëhet i varur nga ushqimi

Në moshën 2-vjeçare i shokoi të gjithë pasi u fotografua duke pirë cigare, por tani Aldi Rizal është një djalë normal 5-vjeçar i cili ka arritur ta lërë duhanin për ta zëvendësuar me një varësi tjetër: ushqimin.

Djaloshi jeton në një fshat të varfër të Indonezisë dhe u bë i famshëm pasi fotoja e tij ku shihej duke pirë cigare mbi një triçikël bëri xhiron e botës.

Pamja nxiti qeverinë indoneziane të niste një fushatë kundër duhanit tek fëmijët dhe të ndihmonte Aldin në lënien e duhanit. Djali u dërgua në Xhakarta për disa sesione terapie që zgjatën dy javë dhe që patën sukses.

“Ka ende njerëz që i ofrojnë cigare, por Aldi nuk pranon kurrë pasi e di që unë do të mërzitesha”, thotë Diane Rizal, nëna e 5-vjeçarit.

Gjithsesi, zonja Rizal tashmë është e shqetësuar për peshën e fëmijës së saj pasi ai ka nisur të hajë shumë që pas lënies së duhanit: “Ai kërkon ushqim njësoj siç kërkonte cigare. Nuk e ndaloj dot sepse e di që ka shumë oreks.”

Mendohet se 1/3 e fëmijëve në Indonezi kanë provuar duhanin para se të mbushin 10 vjeç dhe përpjekjet e qeverisë për të zgjidhur këtë problem nuk janë të efektshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button