Gjendet një lloj i ri insekti në Malin Sharr, nga i saposhpalluri “shkencëtari i vitit”, Halil Ibrahimi

Në kuadër të hulumtimeve të kryera nga Prof. Halil Ibrahimi nga Departamenti i Biologjisë së Universitetit të Prishtinës, është gjetur një lloj i ri insekti për shkencën nga Parku Kombëtar Mali Sharr. Prof. Halil Ibrahimi në vitin e kaluar ishte shpallur shkencëtari i vitit nga ministri i Arsimit, Arsim Bajrami për kontributin e dhënë në kërkimet shkencore, shkruan Tesheshi.

Drusus sharrensis

Për të na folur me shumë rreth këtij zbulimi, biseduam me prof. Halili Ibrahimi, i cili për portalin ‘tesheshi.com’ tha: “Ky insekt për momentin është i njohur vetëm nga Kosova dhe është lloj endemik i Bjeshkëve të Sharrit. Është gjetur në disa përroska malore, degë të lumenjve Lumëbardhi i Prizrenit dhe Lepenc, përreth zonës së Brezovicës, Prevallës si dhe territorit në të cilin planifikohet ndërtimi i kompleksit turistik Brezovica II. Lloji i ri i insektit quhet Drusus sharrensis dhe e ka marrë emrin nga Mali Sharr.

Këto bjeshkë përndryshe janë shumë të pasura me lloje të rralla bimore dhe shtazore dhe njihen si qendër e biodiversitetit të Ballkanit. Me gjithë këtë pasuri të madhe llojore, shumë pak hulumtime ka pasur sidomos në aspektin e studimit të faunës. Viteve të fundit biodiversiteti i Malit Sharr, në disa pjesë të rëndësishme, është në rrezik nga shfrytëzimi i pakontrolluar i burimeve malore, zgjerimi i aktiviteteve turistike, dëmtimi i pyjeve etj.

Ndërtimi i kompleksit turistik Brezovica II, në qoftë se nuk menaxhohet dhe planifikohet mirë, pritet të ketë ndikim në ngushtimin e arealit të vendbanimit të llojit të ri të insektit, thuhet në punimin e publikuar në revistën prestigjioze ZooKeys ku është përshkruar ky lloj i ri insekti.”

Më tej prof. Ibrahim shtoi se përveç përshkrimit të llojit të ri në këtë punim është bërë edhe një analizë e detajuar gjenetike dhe filogjenike e këtij lloji me disa lloje të tjera endemike të përafërta nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Austria etj në bashkëpunim me ekipin e shkencëtarëve nga disa vende Evropiane.

Ky punim shkencor e thekson Kosovën, dhe Malin Sharr në veçanti për potencialin e lartë të biodiversitetit duke i bërë të domosdoshme hulumtimet e ardhshme në këtë drejtim për zbulimin e tij.

Ndërsa në vitin e kaluar ishte publikuar një zbulim tjetër i Profesorit Halil Ibrahimi, lloji endemik i insektit Drusus dardanicus nga Llapi.

Burimi i punimit:

http://zookeys.pensoft.net/articles.php?id=6350

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button