BE miraton fondin në vlerë prej 3 miliardë eurosh për refugjatët në Turqi

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), pas heqjes së vetos së Italisë miratuan fondin në vlerë prej 3 miliardë eurosh i cili do të shpenzohet për refugjatët në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate të BE-së theksohet se 1 miliardë euro nga ky fond do të mbulohet nga Komisioni i BE-së, ndërsa pjesa e mbetur nga vendet anëtare.

Ndër të tjera theksohet se kontributin më të madh e ka ofruar Gjermania me një vlerë prej 427.5 milionë euro, më pas Franca me 309.2 milionë euro, Spanja me 152 milionë euro, Holanda me 93.9 milionë euro, Suedia me 61.3 milionë euro, Belgjika me 57.6 milionë euro, Polonia me 57 milionë euro dhe Austria me 45.6 milionë euro.

Krahas kësaj nga arka e Maltës do të dalin 1.1 milionë euro dhe nga arka e Greqisë 25.1 milionë euro, ndërsa Qiproja jugore greke nuk do të japë ndonjë kontribut.

Fondi synohet që të përdoret për përmirësimin e kushteve të jetesës së refugjatëve në Turqi ku do të përdoret për të përballur nevojat në shërbimet shëndetësore, arsim dhe nevojat ushqimore. Edhe pse nuk është dhënë një datë e saktë pritet që fondi të nisë të përdoret brenda një periudhe të afërt.

Kryeministri holandez dhe kryesuesi i radhës në BE, Mark Rutte në një deklaratë në lidhje me çështjen theksoi se Evropa po përpiqet të ndërpresë fluksin e refugjatëve.

“Marrëveshjet në mes Turqisë dhe BE-së janë pjesë jetike e kësaj. Këto marrëveshje kanë në objektiv trafikantët e qënieve njerëzore dhe projektet të cilat do të ndihmojnë të japin shpresa për një të ardhme më të mirë për refugjatët në kampe”, deklaroi Rutte.

Theksohet se paratë “për ndarjen e ngarkesës” të Turqisë dhe të BE-së nuk do të përdoren për shtetin turk por do të përdoren në projektet që do të realizohen për refugjatët.

Dhënia e fondit ishte vendosur në Samitin BE-Turqi i mbajtur me 29 nëntor, por ky fond nuk u vendos në zbatim pasi Italia vendosi veton duke kërkuar që paratë të mbuloheshin nga buxheti i Komisionit Evropian. Italia me ndërmjetësimin e Gjermanisë dy ditë më parë pati hequr veton e vendosur.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan në një deklaratë më 1 shkurt pati thënë se deri më tani shpenzimet e Turqisë për refugjatët kishin tejkaluar shifrën prej 9 miliardë dollarësh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button