Mustafa: Kosova e mbron Parisin dhe Londrën

Kryeministri i Kosovës, në konferencën ndërkombëtare “Gërmia Hill”,  ku po marrin pjesë afro 200 mysafirë nga 40 shtete të ndryshme të botës, tha se Kosova është rreshtuar së bashku me shtetet perëndimore në luftën kundër terrorizmit dhe se po e mbronë edhe Parisin e Londrën.

“Ne vlerësojmë lart përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të tjera përkrahëse. Kosova është një front evropian i luftës kundër terrorizmit që zhvillohet jo vetëm në Prishtinë, nga këtu mbrohet edhe Parisi dhe Londra, sepse ne e përjetojmë çdo tragjedi që u ndodh vendeve europiane”.

Kryeministri bëri me dije se numri i kosovarëve që luftojnë krah grupeve xhihadiste në Siri dhe Irak ka rënë dukshëm krahasuar me vitet e kaluara.

“Sipas shërbimeve të Kosovës, numri i kosovarëve pjesëmarrës në luftërat e Sirisë dhe Irakut, ka rënë nën 70. Janë arrestuar shumë persona të lidhur me grupet terroriste dhe janë mbyllur shumë OJQ që dyshohej se përdoreshin për këto aktivitete”, u shpreh Mustafa.

Kreu i qeverisë gjatë fjalimit të tij nuk la pa përmendur edhe faktin se kosovarët kanë mbetur të izoluar, si rezultat i mos-liberalizimit të vizave nga Bashkimi Europian.

Ndër të tjerash, Mustafa potencoi se qeveria që udhëheqë ai ka arritur që të zvogëlojë numrin e koovarëve që kërkojnë azil në vendet e europës, dhe bëri me dije se në dhjetor të vitit që shkoi vetëm 5 kosovarë kanë kërkuar azil jashtë vendit, nga 13,000 sa kishte më parë.

“Gërmia Hill” është një konferencë ndërkombëtare e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, së bashku me Aspen Institute.

Tema e konferencës do të jetë Siguria në Evropën Juglindore në kontekst të sfidave më të gjera rajonale.“Gërmia Hill” synon që të ndihmojë Kosovën në promovimin e agjendës së integrimit në NATO, duke e përfshirë vendin tonë në debatet e rëndësishme të sigurisë rajonale.

Konferencën e ka hapur kryeministri Isa Mustafa, ndërsa zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, do të nisë panelin e parë me temë “Sfidat globale dhe rolet e NATO-s dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button