Thohir mendon për stadiumin e ri të Interit

Pas takimit të ngrohtë me tifozët në Pinetina, në axhendë ishte një bisedë me kryebashkiakun e Milanos, Giuliano Pisapia.

Dita e parë si president i Interit për Erick Thohir nuk nisi ndoshta siç pritej, pasi ekipi u mund në një miqësore nga Chiasso. Pas kësaj ndeshjeje, manjati indonezian hodhi hapin e parë që mund të çojë tek ndërtimi i një stadiumi të ri, ndonëse në të vërtetë fjala stadium nuk u përdor, por shpjegoi se është në kërkim të mundësive për të bërë biznes. 

Edhe Pisapia, ashtu si Thohir nuk u prononcua hapur por diçka la të nënkuptohej. Sipas kryebashkiakut, ky takim me presidentin e ri të zikaltërve ishte miqësor me shkëmbime idesh që kanë lidhje me sportin, si dhe me zhvillimet që mund të ndodhin në të ardhmen në Milano.

Për Pisapian, ky ishte hapi i parë i një dialogu dhe bashkëpunimi në të mirë të qytetit. Investimi më i rëndësishëm për Erick Thohir mban emrin e Interit dhe shumë shpejt projekti do të vazhdojë me shtëpinë e re të zikaltërve. Edhe zona ku do të ngrihet ky stadium është identifikuar. Thohir në kërkim të mundësive për të bërë biznes, gjithmonë në interes të Interit, takimin e radhës e ka me presidentin e rajonit të Lombardisë, Roberto Maroni.

Lajme të ngjashme

Back to top button