Republikanët në Ajova: Udhëheq Tramp, e ndjek nga afër Kruz

Në anketa udhëheq Tramp, por në terren Kruz është shumë i organizuar. Kyçe për fitore do të jetë dalja në zgjedhje

Në gaën republikane akoma formalisht figurojnë 11 kandidatë. Mirëpo në realitet llogaritet se të paktën gjasa minimale për të fituar nominimin kanë vetëm 7 kandidatë. Në Ajova rrethi është akoma më i ngushtë. Sipas anketave në këtë shtet udhëheq Tramp, ndërsa me gjashtë pikë më pak e pason Kruz. I treti është Rubio me 15 pikë përqindje më pak se Tramp. Me këta tre mbyllet rrethi i fituesve potencialë të Ajovës, ndërsa katër kandidatët tjerë janë shumë pas për të patur gjasa reale për fitore.

Në pamje të parë pra favorit absolut për të fituar është Tramp, cili komandon mbi 30% përkrahje nëpër anketa. Mirëpo po të njëjtat anketa fshehin diça tjetër. Ato tregojnë se Kruz udhëheq ndër votuesit që kanë marrë pjesë edhe në zgjedhjet e përparshme, ndërsa Tramp mbulon deficitin me votuesit që thonë se do të votojnë për herë të parë. Sipas vendasve Kruz poashtu ka organizim superior në terren .

Kjo situatë bën që numri kyç në zgjedhje të jetë dalja. Nëse në zgjedhje dalin rreth 120.000 republikanë, si vitet e kaluara, fitore me siguri do të korrë Kruz. Nëse trupi votues tejkalon 150.000 atëherë favorit është Tramp, ndërsa gjithçka në mes do të thotë betejë fyt më fyt mes liderëve. Rubio me siguri do të dalë i treti, por kjo për të ka pak rëndësi. Pasi nuk pritet që të fitojë, për të do të mjaftojë të shënojë rezultat të mirë, të themi mbi 18%.

Në fund vlen të ceket se një element tjetër në favor të Kruzit është se republikanët e Ajovës kanë tendencë t’ia japin fitoren ndonjërit nga kandidatët evangjelist. Në 2008 këtu fitore korri Majk Hakabi, ndërsa në 2012 Santorum. I këtij profili është tani Kruzi.

Republikanët në Ajova 2012. Një javë para zgjedhjeve në 2012 anketat në Ajova e tregonin Rik Santorumin në vendin e gjashtë. Brenda një jave kishte ndryshuar gjithçka. Kandidati i fraksionit evangjelist në fund arriti të mposhtë favoritin e establishmentit Mit Romni me 34 vota dallim. Rezultat të shkëlqyeshëm pati edhe libertariani Ron Pol.

Kandidati Vota Përqindja Delegatë
Rik Santorum 29.839 24.5% 7
Mit Romni 29.805 24.5% 7
Ron Pol 26.036 21.4% 7
Njut Gingriç 16.163 13.3% 2
Rik Peri 12.557 10.3 0

Dalja: 121.501 vota

Me fitoren në Ajova Santorum tërhoqi vëmendjen e donatorëve dhe gjeti përkrahje të re në rradhët republikane armiqësore ndaj Mit Romnit. Fitorja në Ajova i mundësoi të bëhet kundërkandidati kryesor i Romnit dhe ai vazhdoi garën deri në fund, kur Romni edhe matematikisht siguroi nominimin. Rasti i Santorumit tregon se sa me rëndësi është rezultati në Ajova për një kandidat evangjelist dhe sa mund të ndikojë ai në garën e mëtutjeshme. Për fat të keq Santorum sivjet është aq poshtë në anketa, saqë një kthesë e ngjashme është krejtësisht e pamundur. Pjesa më e madhe e mbështetësve të tij tani me siguri janë me Kruzin.

Republikanët në Ajova 2008. Tetë vite më parë fitore në Ajova korri një evangjelist tjetër që garon edhe sivjet, Majk Hakabi.

Kandidati Vota Përqindja Delegatë
Majk Hakabi 40.954 34.3% 17
Mit Romni 30.021 25.2% 12
Fred Tompson 15.960 13.3% 0
Xhon Mekejn 15.536 13.0% 3
Ron Pol 11.841 10.0% 2

Dalja: 119.188

Ndryshe nga Santorum në 2012, Hakabi nuk arriti të kapitalizojë fitoren në Ajova. Poashtu as vendi i katërt nuk e dëmtoi edhe aq Xhon Mekejnin, i cili një javë më vonë fitoi në Nju Hempshër dhe në fund siguroi nominimin. Kjo pasi nga Mekejn as nuk pritej të fitojë në Ajova, sepse mesazhi i tij nuk i përshtatej edhe aq vendit. Për të i mjaftueshëm ishte fakti që arriti të marrë 13% të votave, më tepër se ç‘pritej. Në këtë situatë është tani Rubio: ai nuk e ka patjetër të fitojë, mjafton të shënojë rezultat të mirë dhe t’a kapitalizojë atë në Nju Hempshër.

Republikanët në Ajova sot. Siç thamë në anketa udhëheq bindshëm Tramp. Përpos tij i vetmi që ka realisht gjasa të fitojë është Kruz, ndërsa kandidatët tjerë do të tentojnë të shënojnë rezultat sa më të volitshëm, gjegjësisht të tejkalojnë anketat.

Republikanet ne Ajova 1 shkurt
Republikanet ne Ajova 1 shkurt
Kandidati Kandidati RCP HuffPost 538 Gjasat-Bastore
 sDonald-Trump Donald Tramp 30.4% 30.7% 25.3% 66%
 sTed-Cruz Ted Kruz 24.2% 23.7% 24.5% 29%
 sMarco-Rubio Marko Rubio 15.2% 15.0% 18.0% 4%
 sBen-Carson Ben Karson 8.8% 7.8% 8.6% 0%
 sJeb-Bush Xheb Bush 4.0% 3.9% 5.4% 1%
 srand-paul Rend Pol 3.2% 3.6% 3.9% 0%
 sJohn-Kasich Xhon Kasiç 2.6% 2.8% 2.9% 0%

 

Çelësi gjithsesi do të jetë dalja. Në 2008 dhe 2012 kanë votuar rreth 120.000 republikanë. Shifra të ngjashme do të thonë fitore për Kruzin, ndërsa dalja mbi 150.000 do të thotë fitore e Trampit.

Çka më tej. Ajova është kyçe për Kruzin. Ai duhet patjetër të fitojë këtu për të treguar se mund të mposhtë Trampin dhe për t’i hedhë poshtë të gjitha anketat. Për Trampin fitorja është e rëndësishme por jo ekzisteniale. Humbja mund t’a dëmtojë në aspektin psikologjik, sepse ia rrëzon poshtë nocionin se ai është tip që përherë fiton.

Santorum dhe Hakabi mund të tërhiqen plotësisht nga gara që të hënën në mbrëmje ose të martën në mëngjes. Karson mund të dëmtohet rëndë, por ai ka resurse për të vazhdur edhe më tej. Kandidatët tjerë si Bush, Kristi ose Kasiç i kanë sytë kah Nju Hempshër.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button