Statusi i ish ushtarëve të UÇK-së, 12 vite premtime të kota

Edhe pas 12 vjetësh nga përfundimi i konfliktit të armatosur në Maqedoni, statusi i ish ushtarëve të UÇK-së, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës mbetet ende i pazgjidhur. Pavarësisht se Marrëveshja e Ohrit, e inkorporuar në Kushtetutë, parashikon rregullimin me ligj të statusit të të prekurve nga konflikti, kjo cështje si duket është lënë për kohëra më të mira. Kryetari i OVL UÇK Besim Hoda thotë se edhe statusi i të prekurve nga konflikti, ashtu si edhe gjendja e shqiptarëve të Maqedonisë, kanë mbetur në duart e fatit.

“Statusi i UÇK-së ka mbetur atje ku ishte në 2001-shin. Realisht, fillimi i mos realizimit të asaj për të cilën ne e kapëm pushkën, ashtu ka mbetur edhe statusi i ish ushtarëve të UÇK-së, familjeve të dëshmorëve,  invalidëve të luftës, dhe statusi i të gjithë atyre të dëmtuarve gjatë konfliktit të 2001, qoftë në aspektin material, qoftë në aspektin psikologjik. Fatkeqësisht shqiptarët nga viti 2001, duke përfshirë këtu edhe familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, kanë mbetur në duar të fatit, ashtu sic kanë mbetur edhe të gjithë shqiptarët që nga viti 2001”, deklaroi Besim Hoda.

Madje, mos zgjidhjen e kësaj cështjeje Hoda e ka quajtur tradhëti. Ai përkujton se pavarësisht garantimit të zgjidhjes me Marrëveshjen e Ohrit, BDI-ja ka bërë kompromise me partitë maqedonase duke anuluar zgjidhjen.

“Fatkeqësisht, ashtu sic ndodhi para lufte, ashtu u tradhëtuam edhe pas luftës së 2001shit. Masat që konkretisht janë dashur të merren nga atëherë e këndej, kanë qenë të drejta që janë transmetuar nëpër mjet kompromisit politik. Fatkeqësisht, pavarësisht se Marrëveshja e Ohrit garantonte me pikë të vecantë zgjidhjen e statusit të të dëmtuarve të luftës, ky status nuk po zgjidhet”, u shpreh Besim Hoda.

Zgjidhja e statusit të ish ushtarëve të UÇK-së, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës është premtim i kahmotshëm i BDI-së. Madje pas formimi të Qeverisë në vitin 2008, ata deklaruan se zgjidhja e kësaj cështjeje ka qenë pjesë e marrëveshjes më VMRO DPMNE-në. Por, sot e kësaj dite ajo marrëveshje nuk po rezulton me zgjidhje ligjore. 

Lajme të ngjashme

Back to top button