Vajza siriane: Në protestë të gjithë shqiptarët nëse nuk duan të vdesin

 Aliaa është një vajzë e qeshur nga Siria, e cila ka vendosur që të marrë pjesë në të gjitha protestat e shqiptarëve kundër armëve kimike. Ajo nuk e ka aspak problem që të pohojë se helmi sirian është i rrezikshëm dhe u bën thirrje shqiptarëve që të ngrihen të gjithë në këmbë për të mos lejuar importimin e armëve në Shqipëri. “Siria është viktimë, ashtu si edhe Shqipëria. Fëmijët sirianë u vranë nga helmi Sarinë, prandaj shqiptarët duhet të mos lejojnë të vriten si sirianët”, thekson Aliaa, vajza që studion gjuhën angleze në Tiranë. Në fund të intervistës, ajo rrëfen se në Siri ka shumë shqiptarë që luftojnë. 
Alia, ti je siriane dhe ke disa ditë që je përfshirë në protestën e disa shqiptarëve për t’u thënë “jo” armëve kimike? Pse ky vendim? 
Unë kam tetë vjet që jetoj në Shqipëri. Unë e di se tani shqiptarët i urrejnë sirianët, madje më urrejnë edhe mua. Por, unë dua t’u them shqiptarëve se populli sirian është viktimë, ashtu si edhe populli shqiptar. Për këtë arsye dola në protestë, për t’u treguar shqiptarëve se populli sirian ka tre vjet që proteston për të drejtat e tyre dhe ende vazhdojnë që të vriten, prandaj edhe populli shqiptar duhet të ngrihet në protestë sa nuk është vonë. Unë në protestë mora pjesë, e para si nënë e dy fëmijëve, e dyta se tashmë jam shtetase shqiptare dhe jetoj këtu dhe e treta, sepse unë jam kundër armëve kimike. 
Familja jote jeton në Siri. Gjatë kësaj kohe ke kontaktuar me ata për t’i pyetur për armët kimike? 
Familja ime jeton në Alipo, atje kam vetëm nënën, motrën dhe vëllain. Ndërsa motrat dhe vëllezërit e tjerë i kam të shpërndarë në botë, ashtu siç janë shpërndarë të gjithë sirianët dhe të gjitha familjet siriane janë shkatërruar. Në Siri askush nuk di asgjë për armët kimike, ka një mungesë informacioni nga të gjithë. Unë kam kontaktuar edhe me përfaqësues të mediave, ‘Al-Jazeera’ apo të mediave të tjera dhe të gjithë më kanë thënë që nuk kanë informacion për armët kimike apo se ku do të shkojnë ato, aq më tepër që nuk e dinë nëse do të vendosen në Shqipëri apo jo. Por, të gjithë e dinë se armët kimike nuk do të lihen në Siri për shkak të rrezikut që ato kanë dhe që kanosin edhe fqinjin e Sirisë, siç është Izraeli, “fëmija i përkëdhelur i Amerikës”. 
Cili nga gazet u përdor në Siri nga forcat e presidentit? 
U përdor gazi Sarin dhe të gjithë i kemi parë ato pamjet e njerëzve që vdisnin të mbytur nga gazi, të fëmijëve të vdekur dhe prandaj unë kam dalë në protestë që ato armë të mos vijnë këtu. 
Flasim pak për Sirinë, si është gjendja atje tani? 
Në Siri mungojnë rrugicat e mëparshme, qetësia e mëparshme. Asgjë nuk ka ngelur më si më parë, çdo gjë është rrafshuar. Sirianët nuk janë as kundër as grupeve radi-kale, as kundër vëllezërve myslimanë. Sirianët kërkojnë vetëm një shtet civil. 
A ka shqiptarë që luftojnë në Siri? 
Po, ka shumë shqiptarë. Edhe tani po përgatiten që të shkojnë rreth 170 shqiptarë, të cilëve një hoxhë shumë i njohur në një xhami këtu në Shqipëri, u ka bërë lavazh truri dhe u thotë që të shkojnë të luftojnë në Siri për Xhihadin. Po në Siri nuk ka Xhihad.

Lajme të ngjashme

Back to top button