Opozita kosovare në protestë mbarëpopullore më 17 shkurt

Protesta e radhës e opozitës së bashkuar do të mbahet më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ka bërë të ditur Fatmir Limaj, lideri i NISMA-së për Kosovën në konferencën e sotme për mediat të organizuar nga tre liderët e opozitës së bashkuar, në sheshin Skënderbe, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Lëvizja Vetëvendosje (VV), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA për Kosovën (NISMA), kanë vendosur që më 17 shkurt, në ditën e Pavarësisë së Kosovës të ftojnë qytetarët e vendit për një protestë mbarëpopullore, me fillim në ora 14:00, në sheshin kryesor të Prishtinës, siç deklaruan ata “për të mbrojtur Republikën, Kushtetutën dhe për të dhënë dorëheqje qeveria aktuale e cila është shkelëse e Kushtetutës dhe po e dëmton shtetësinë e vendit”.

“Si opozitë e bashkuar kemi zgjedhur këtë datë simbolike për të çuar edhe një herë mesazhin se qytetarët e Repupblikës së Kosovës, tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, janë të pakënaqur dhe atyre nuk ju kanë realizuar pritjet që i kanë pasur tetë vite më parë. Për më tepër, 8 vite pas shpalljes së pavarësisës së Kosovës, në krye të qeverisë së Kosovës vazhdojnë të jenë ata të që kanë shkelur themelin, aktin më të lartë të dhe të shenjtë të një shteti, siç është Kushtetuta e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk e meritojnë dhe nuk do të pranojnë që të qeverisen nga shkelësit e Kushtetutës”, tha Limaj.

Ai shfrytëzoi rastin që t’i drejtohet publikisht koalicionit qeverisës për të reflektuar dhe e thirri të jap dorëheqje para datës 17 shkurt, pa patur nevojë që njerëzit të tubohen në kryeqytet për t’ua kërkuar dorëheqjen, në mënyrë që, sipas Limajt, Kosova ngadalë të dal nga kjo krizë e thellë në të cilën e ka futur ky koalicion qeverisës.

Visar Ymeri, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje theksoi se “Protesta e 9 janarit” ua ka bërë me dije pushtetarëve se, populli i Kosovës nuk e ka ndërmend ta toleroj një qeveri e cila e rrezikon rendin kushtetues për t’ia krijuar hapësirën Serbisë për ndërhyrje politike, ekonomike dhe territoriale në Kosovë dhe as ta toleroj faljen e tokave të Kosovës, Malit të Zi”.

Ymeri i dha afat Qeverisë një afat deri më 17 shkurt që ta kuptojë situatën dhe të largohet nga marrëveshjet e dëmshme dhe të largohet nga pushteti sepse me veprimet e veta, koalicioni qeverisës e ka rrezikuar sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Tetë vite më parë, në këtë shesh, janë mbledhur qytetarë të shumtë të Republikës, të ardhur nga gjitha anët e Republikës, për ta festuar shpalljen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, ashtu siç ata e kishin pritur dhe e mendonin. Sot, pas 8 viteve, u kuptua që ky shtet nuk ka dal ashtu siç e donin qytetarët por u bë një shtet siç e duan pushtetarët: shtet i dobët, shtet me sovranitet të cunguar, shtet me integritet territorial të paqenë dhe shtet i cili keqpërdoret nga klikat e pushtetarëve dhe bizneseve të tyre, nga oligarkët e këtyre bizneseve në mënyrë që të pasurohen për vete dhe ta varfërojnë vazhdimisht edhe Republikën, edhe popullin e Republikës”, tha Ymeri.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj u ndërlidh me liderin e VV-së, duke thënë se, kundërshtimi i opozitës i përkrahur prej shumë qytetarëve, më 9 janar, u vërtetua se po fuqizohet dhe se populli i Kosovës, tash, nuk po kundërshton vendimet e gabuara dhe marrëveshjet e rrezikshme, por edhe po kërkon llogaridhënie nga Qeveria e cila e ka shkelur Kushtetutën.

Faktin se opozita e ka zgjedhur 17 shkurtin si datë për protestë mbarëpopullore, Haradinaj e arsyetoj me fjalët se, nuk ka ditë më domethënëse se sa kjo datë për me e rrit edhe më shumë kundërshtimin ndaj rrezikimit të sovranitetit të vendit.

“I ftojmë qytetarët e vendit, të gjithë pa dallim, që të bashkohemi me 17 shkurt që këtë kundërshtim me e rrit edhe më tej edhe kuptohet, ata që nuk po e dëgjojnë zërin e qytetarit, ta dëgjojnë këtu në shesh”, tha Haradinaj.

Në pyetjen e gazetarëve nëse 17 shkurti, si datë historike, po shfrytëzohet nga opozita vetëm sa për të tubuar më shumë njerëz në protestë, Haradinaj u përgjigj se populli ëhstë mjaftë i pjekur për të vlerësuar nëse në këtë datë duhet ruajtur sovraniteti dhe pavarësia e shpallur para 8 vitesh.

“Është një ditë me domethënie. Atë ditë, nëse ne pajtohemi ose nëse të gjithë vlerësojnë se në Kosovë ka arsye me u protestua, ajo ditë është e mirë me e çua porosinë. Pra, e ka domethënien e vet. Ato vendime që janë marrë, këta njerëz që janë në pushtet sot, dikur janë betuar për shtet me sovranitet, por ata e kanë thyer betimin e tyre dhënë qytetarëve, jo vetëm se e kanë shkelur Kushtetutën e vendit dhe atë ditë, qytetarët duhet me ju dhënë përgjigje, me iu thënë: Jo, më!” tha Haradinaj.

Liderët e opozitës së bashkuar po ashtu theksuan se protesta gjithsesi se do të jetë paqësore. Opozita e bashkuar gjatë tërë vjeshtës, ka bllokuar punimet e Kuvendit të Kosovës duke mos lejuar miratimin e dy marrëveshjeve, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe atë për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si dhe ka organizuar protesta të kohëpaskohshme.

Seancat parlamentare të Kuvendit të Kosovës, gjatë vjeshtës, u karakterizuan me rrjedhë jo normale, me pengesa dhe bllokime, madje edhe përdorimin e shpeshtë të gazit lotsjellës gjatë seancave. Si rezultat i hedhjes së gazit lotsjellës nga deputetët e tri partive opozitare, një e treta e numrit të përgjithshëm e deputetëve opozitar e gjeti vetën ose në paraburgim ose në arrest shtëpiak.

Ndërkohë, edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se marrëveshja për themelimin e Asociacionit e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës në Bruksel, është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit në shumë pika, Qeveria refuzoi të jep llogari dhe insiston në rishikimin dhe harmonizimin e saj, me ato nene që Gjykata Kushtetuese i ka shpallur si jo kushtetuese.

Ndërkohë, për verifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi ka angazhuar një komision të pavarur ndërkombëtarë, me ekspertë nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga ana tjetër, opozita këkron që kjo qeveri të dorëhiqet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button