Shqipëria amnistoi 900 të burgosur

Gjithsej 900 të dënuar fituan lirinë pas hyrjes në fuqi të ligjit për amnistinë. Ndërkohë janë 8 mijë personat në shërbim prove që përfitojnë dhe që janë dënuar para 30 nëntorit 2015.

Nga amnistia përfituan edhe 180 persona në kërkim, që u vetëdorëzuan pranë burgjeve në kohën e kërkuar, njoftojnë mediat shqiptare.

Vetëm nga burgu i ri i Fierit dje janë liruar 220 të dënuar për vepra të ndryshme. I pranishëm në momentin e lirimit të tyre ishte edhe ministri shqiptar i Drejtësisë, Ylli Manjani.

“Ne, që në ditën kur e kemi marrë këtë nismë ligjvënësve e deri në momentin kur Parlamenti mori vendimin dhe sot kur sapo ka hyrë në fuqi, kemi qenë dhe jemi të bindur se kontributi juaj është i domosdoshëm për përmirësimin e jetës së familjeve tuaja por dhe shqipërisë sonë të përbashkët”, deklaroi Manjani.

Në këtë burg do vazhdojnë të kryejnë dënimet edhe 610 të burgosur të tjerë. Ndërkohë, familjarët e atyre që fituan lirinë pritën të afërmit jashtë ambjenteve.

Në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë fituan lirinë 90 të dënuar, të cilët u liruan sapo administrata nisi punën. Pas gëzimit për lirinë e fituar, shumë prej ish-të dënuarve kanë menduar se si do vijojnë jetën më pas.

Pavarësisht amnistisë, burgu i Drenovës vijon të mbetet i mbipopulluar. Aktualisht në këtë burg vuajnë dënimin 390 persona nga 312 që është kapaciteti i tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button