Qarkorja e Tetovës, copëza rrugësh sa për të arsyetuar paratë

Një nga arteriet kryesore të Tetovës, bulevardi “Bllagoja Toska”, që fillon nga Kazerma dhe përfundon te unaza, te vendi i quajtur “Mema”, me vite të tëra ka mbetur një rrugë e copëzave të papërfunduara. Trasa dy kahesh e këtij bulevardi, ka mbetur pa u lidhur me rrugën kryesore Tetovë –Jazhincë, vetëm për më pak se 300 metra.

Për dallim nga pjesa hyrëse e këtij bulevardi, që është një arterie kryesore për shkarkimin e kaosit në komunikacion, diku në përfundimin e saj, tek qarkorja, një rrugë tjetër dy kahesh ka mbetur në gjysmë. Deri më tani asnjë pjesë rrugore e filluar në bulevardin “Bllagoja Toska”, për ta bërë të kompletuar lëvizjen e automjeteve, rreth e përqark qytetit të Tetovës, nuk është kryer deri në fund.

Si pasojë e punëve kushtimisht thënë “shkel e shko”, që për vite të tëra karakterizon infrastrukturën rrugore të qytetit të Tetovës, komunikacioni është shndërruar në një kaos të vërtetë.

Bulevardi “Bllagoja Toska”, sipas ekspertëve të komunikacionit, është një rrugë zgjidhje e mirë dhe më me rëndësi për të zbutur këtë kaos trafiku.

Punët e lëna përgjysmë dhe gërryerjet sa për sy e faqe, qytetarët i kuptojnë më shumë si mundësi për të vjedhur para nga autoritete komunale, duke  lënë përgjysmë projektet që figurojnë si të përfunduara ne “defterët” e zeza të korrupsionit.

Kryetarja e Komunë së Tetovës, Teuta Arifi, ka proklamuar infrastrukturën rrugore si një nga prioritetet e saja. Lidhur me rrugën “ Bllagoja Toska”, ajo thotë se ka filluar të gjitha procedurat juridike për ta përfunduar. Sa i përket përfundimit të rrugës dy kaheshe,  tek kazerma, e cila ka mbetur pa i lidhur me rrugën kryesore, Teuta Arifi, thotë se do të angazhohet që të realizohet kjo lidhje. 

Lidhur me hapjen e rrugëve të reja, Teuta Arifi, thotë se kjo është një prioritet i punës së saj në këtë mandat dhe për këtë do të shihet se sa do të mund që të tërheqin para nga buxheti.

Hapja e bulevardit Bllagoja Toska do të lehtësonte  komunikacionin në qytetin e Tetovës, do të shtonte vend parkime të reja, si dhe do të hapte biznese të reja, për rreth  këtij bulevardi që do tu zgjidhte shumë familjeve ekzistencën. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button