Walker: Kosovës i duhet gjeneratë e re politikanësh

Ish-ambasadori i misionit verifikues të OSBE-së gjatë vitit 1998-1999 në Kosovë, William Walker tha se Kosova është në drejtimin e gabuar dhe mendon se Kosova duhet të ndryshojë brezat, të cilët e udhëheqin vendin politikisht.

Këtë ai e tha pas takimit me të parin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke shtuar se nuk beson që Kosova mund t’i zgjidh problemet e shumta me klasën e tanishme politike.

“Unë reflektoj shumë në mendimet e shumë shqiptarëve që jetojnë në Amerikë dhe pajtohem me ta se një prej problemeve më të mëdha në Kosovë është klasa politike, e cila mendoj, nuk është duke ndjekur një rrugë që do ta çonte Kosovën në drejtimin e duhur. Në aspektin politik, Kosova është në drejtimin e gabuar dhe njerëzit e Kosovës të cilët u kthyen në Kosovë pas luftës dhe kanë festuar në rrugë pas shpalljes së pavarësisë, kanë pritur një lloj politike shumë më ndryshe dhe njerëz shumë më ndryshe. Mendoj që Kosova duhet t’i ndryshojë brezat që udhëheqin vendin politikisht. Mendoj që problemet e shumta dhe serioze më të cilat Kosova është duke u përballur nuk mund të zgjidhen nga kjo klasë politike”, tha Walker.

Po ashtu, ai shtoi se përkrah protestat të cilat po bëhen në Kosovë, por jo ato të dhunshme siç kanë ndodhur së fundi në Kosovë. “Dhe në SHBA protestojmë tërë kohën. Nuk dua të them që jam një admirues i protestave, por nëse ato janë një kauzë për të dalë në rrugë dhe të ngritur zërin për diçka, atëherë mendoj që janë shumë të mira. Por, nëse teprohen, siç ndodhi se fundi, atëherë duhet të zgjidhet ky problem (dhuna në protestë)”, tha Walker.

Walker po qëndron në Kosovë me rastin e shënimit të 17-vjetorit të masakrës së Recakut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button