Besimi: Na vjen keq që nuk morëm datë nga Bashkimi Evropian

Maqedonia vazhdon në rrugën e saj Evropiane me Dialogun për Aderim në Nivel të Lartë, e përkushtuar për integrim, thonë nga Sekretariati për Çështje Evropiane.

Pas dështimit të Maqedonisë në planin eurointegrues, njeriu i parë i këtij resori Fatmir Besimi paraqitet me një kumtesë me shkrim në të cilën thuhet se “Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE) me mirënjohje pranon faktin se vendet anëtare të Bashkimit Evropian ndajnë pikëpamjen e Komisionit Evropian se bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë duhet të fillojnë.”

Shprehim keqardhje për vendimin e Këshillit të mos pranojë rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë për të pestën herë me radhë për shkak se nuk është arritur konsensus nga të gjitha vendet anëtare, thonë nga (SÇE).

“SÇE përshëndet përfundimin e Këshillit të Bashkimit Evropian se Maqedonia përmbush mjaftueshëm kriteret politike për anëtarësim në BE dhe se Dialogu për Aderim në Nivel të Lartë (HLAD) do të vazhdojë të adresojë reformat e identifikuara, duke përfshirë edhe implementimin e marrëveshjes politike të 1 Marsit si dhe çështjeve të hapura me fqinjët tanë. Ashtu siç është cituar në përfundimet e Këshillit, HLAD tashmë ka kontribuar në më shumë sfera të politikës, duke përfshirë edhe reduktimin e çështjeve të pazgjidhura gjyqësore dhe luftën e vendit kundër krimit të organizuar” shpjegon Fatmir Besimi, zëvendës Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për çështje Evropiane .

Besimi thotë se puna do të vazhdojë drejt implementimit të suksesshëm të Marrëveshjes së Ohrit, dhe hapa shtesë do të ndërmerren për ruajtjen e sundimit të së drejtës, lirisë së shprehjes dhe rolit të mediave në shoqëri, dhe Strategjisë për Romët dhe të drejtat e njeriut.

Lajme të ngjashme

Back to top button