Ali Ahmeti nga Athina: Të zgjidhet emri!

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i shoqëruar nga bashkëpartiaket Musa Xhaferri, Fatmir Besimi dhe Artan Grubi po qëndron për vizitë pune në Athinë të Greqisë ku ka realizuar takim  me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Koxias.

Ahmeti dhe Koxias diskutuan për zhvillimet në rajon, marrëdhëniet ndërfqinjësore, integrimin EuroAtlantik të Maqedonisë si dhe çështjen e emrit.

Ahmeti foli për rëndësinë që e ka integrimi i Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian për sigurinë, stabilitetin dhe paqen jo vetëm në vendin por edhe për rajonin, prandaj edhe pret nga Greqia, si një vend i rëndësishëm në Ballkan, që të kontribuoj në këtë drejtim.

“Bashkimi Demokratik për Integrim është i gatshëm që të jep kontributin e vet në tejkalimin e pengesës që qëndron para portës së NATO-s dhe BE-së për Maqedoninë. Kontesti midis Shkupit dhe Athinës duhet të tejkalohet me takime të drejtpërdrejta dhe me dialog të sinqertë dhe konstruktiv midis palëve duke pasur parasysh ardhmërinë e rajonit. Rrethanat politike rajonale dhe globale imponojnë nevojën për veprim të guximshëm dhe vizionar nga elitat politike në vendet e Ballkanit Perëndimor, prandaj të gjithë ne duhet të angazhohemi duke pasur parasysh këto kohëra historike në të cilat jetojmë dhe veprojmë”, tha mes tjerash lideri i BDI-së Ali Ahmeti.

Ahmeti dhe Koxias diskutuan për mundësitë konkrete për tejkalim të kontestit shumëvjeçar duke konsideruar kohën para nesh si vendimtare për mbylljen e çështjes së emrit.

MPJ-ja greke në profilin e saj të rrjetit social Tëitter ka shpërndarë fotografi dhe tekst: “ministri për Punë të Jashtme Koxias në takim me delegacionin e partisë shqiptare nga IRJM, BDI, kryetari Ahmeti dhe zotërinjtë Xhaferi dhe Besimi”.

Përndryshe, mediat greke lidhur me këtë vizitë, shkruajnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë të arrihet zgjidhje rreth kontestit të emrit dhe në këtë drejtim angazhojnë persona zyrtarë dhe personalitete të tjerë për të krijuar klimë të përshtatshme për arritjen e një marrëveshjeje.

Nga ana tjetër në takim nuk ka marrë pjesë asnjë përfaqësues nga Ambasada e Maqedonisë në Athinë. Për arsye se BDI nuk e ka njoftuar MPJ-në e Maqedonisë për këtë takim. /Portalb

Lexo: Vizita e Ahmetit në Athinë “turizëm diplomatik”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button