Çair, shfaqet dhunë në thirrjen për të mos ta festuar Vitin e Ri (Foto)

Në rrugët e Qytetit të Shkupit, gjegjësisht në Çarshinë e Vjetër dhe në lagjet shqiptare, janë vendosur disa fotografi  që tregojnë dhunë, me të cilat bëjnë thirrje për të mos festuar festën e Vitit të Ri.

Disa nga qytetarët këtë e vlerësojnë si një thirrje të pa vend dhe të papërshtatshme.

“Secili ka të drejtë të vendos se a do ta festojë këtë festë apo jo, nuk duhet të imponohet asgjë”, tha Ardita Gashi, studente.

“Po e kam parë këtë fotografi, tani unë për vetë nuk e festoj, secili e ka atë të drejtë mirëpo fotografia nuk është e qëlluar, ka mënyra tjera për të vetëdijësuar popullatën myslimane në vend”, tha Arben Iseni, qytetar.

Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni, distancohet nga kjo thirrje, duke thënë që feja islame nuk promovon dhunën.

“Neve si mysliman kemi festat tona që duhet t’i festojmë, por tani kemi fatin që të jetojmë në një shtet multikonfesional, por megjithatë ne nuk duhet t’i fyejmë, por ti respektojmë, madje edhe të ju urojmë festat e tyre. Feja jonë nuk promovon dhunën”, tha Abaz Islami, zëdhënës i BFI-së.

Ai shtoi se nuk ka informacion se kush i ka vendos këto fotografi në rrugët e qytetit.

“Ne nuk e dimë se kush i ka vendosur këto fotografi, por fatkeqësia më e madhe është se as nuk mund t’i kontrollojmë këto dukuri. Ne nuk kemi të drejtë të bëjmë thirrje të tillë, si predikues të fesë islame, ka mënyra të kulturuara dhe të duhura mbi informimin e festive tona dhe të huaja”, tha Islami.

Ndërkaq këto fotografi janë vendosur edhe në objektin e Universitetit Shtetëror të Tetovës në Shkup, nga i cili institucion thonë se nuk dinë gjë për vendosjen e tyre, ngase janë vendosur prej anës së jashtme të objektit.

Lajme të ngjashme

Back to top button