Pritshmëritë ekonomike: Banka Botërore paralajmëron një “stuhi perfekte” në vitin 2016

Rreziku që ekonomia botërore të përballet me një “stuhi perfekte” në vitin 2016 është kryefjala e raportit të Bankës Botërore e cila paralajmëron se ngadalësimi i sinkronizuar në tregjet më të mëdha në zhvillim mund të intensifikohet nga një valë e re trazirash financiare.

Banka thotë se mundësitë që Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, të ashtuquajturat ekonomitë Brics, të gjitha mund të përballen me probleme në të njëjtën kohë e që do të vendosin në rrezik shansin për një rritje më të mirë ekonomike në vitin që sapo ka nisur.

Në raport thuhet se ndikimi do të theksohet edhe më shumë nga problemet e rënda në tregjet financiare të llojit që u nxitën në vitin 2013, nga njoftimi i Rezervës Federale për reduktimin e stimulit që ajo jepte për ekonominë amerikane.

Në raportin vjetor për pritshmëritë ekonomike globale, Banka nënvizon se taktikat e vitit 2015 kanë dështuar në arritjen e pritshmërive. Ky ishte viti i pestë radhazi që shifrat e rritjes ekonomike dolën kundër rrjedhës së parashikuar nga institucioni financiar me bazë në Uashington e që jep hua për vendet më të varfëra.

Banka raporton se rritja ekonomike është ngadalësuar në 2.4 për qind në vitin 2015, nga 2.6 për qind në vitin 2014 por shton se një performancë më e mirë në vendet ezhvilluara duhet të sjellë një rritje prej 2.9 për qind këtë vit.

Banka parashikon vijimësi recesioni në Brazil e në Rusi, Kina do të ketë një ngadalësim modest të rritjes ekonomike, nga 6.9 në 6.7 ndërsa India do të vijojë të zgjerohet me një hap të mirë.

Raporti thotë se në një zhvillim të paprecedent që prej vitit 1980, pjesa më e madhe e ekonomive në zhvillim po ngadalësojnë njëkohësisht. Vitin e kaluar kanë qenë një sërë faktorësh që të kombinuar së bashku kanë sjellë një mjedis veçanërisht të vështirë për eksportuesit e mallrave të konsumit.

Banka vë në dukje rrezikun e asaj që quhet “stuhia perfekte”.

Përhapja e krizës mund të jetë shumë më e gjerë nëse ngadalësimi në ekonomitë Brics do të shoqërohet me trazira në tregjet financiare.

Banka parashikon që rritja ekonomike në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore të jetë më shumë se dyfish për shkak të dhënies fund të sanksioneve ndaj Iranit dhe parashikimit për stopim në uljen e çmimit të naftës.

Marrë nga: Tesheshi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button