Mbetet në fuqi masa e njëjtë për deputetët e opozitës

Gjykata për Krime të Rënda në Pallatin e Drejtësisë ka refuzuar ankesën e mbrojtjes së të pandehurve, deputetëve Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli.

Kjo gjykatë ka vendosur që masa e sigurisë e cila u është caktuar më parë deputetëve, të mbetet ende në fuqi, ndërsa ka caktuar datën e seancës së radhës që do të mbahet më 15 shkurt, 2016.

Avokatët mbrojtës të të pandehurve kanë kërkuar që klientëve të tyre t’u ndërpriten masat aktuale të sigurisë me masë të mbrojtjes në liri.

“I propozoj gjykatës që t’i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak të mbrojturit tim, Albin Kurti sepse ai është deputet dhe u deklarua se nuk është fajtor. Masa e arrestit është e rëndë dhe i propozoj gjykatës që të zëvendësohet me masën e paraqitjes në polici ose mbrojtje në liri”, ka thënë Hedije Ademi, avokate sipas detyrës zyrtare e Kurtit, raporton Koha.net.

Edhe Ahmet Ahmeti, avokat mbrojtës i deputetes Albulena Haxhiu, gjithashtu i caktuar sipas detyrës zyrtare, ka kërkuar nga Gjykata që klientes së tij t’i ndryshohet masa e sigurisë dhe ajo të mbrohet në liri.

“Nesër të mbrojturës sime, Albulenës, i skadon masa e arrestit shtëpiak. Propozoj që ajo të mbrohet në liri sepse kemi x raste kur nuk caktohet asnjë masë në procedurë por ky rast ka marrë pak një natyrë më specifike”, ka thënë Ahmeti.

Kurse Haxhi Millaku, edhe ky avokat sipas detyrës zyrtare i deputetit Topalli, ka kërkuar që t’i ndryshohet masa e sigurisë klientit të tij për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

“Do të dorëzoj me shkrim hedhjen poshtë të kësaj aktakuze për klientin tim për shkak të gjendjes shëndetësore dhe nevojës që të udhëtojë jashtë shtetit sepse është profesor. Propozoj që Faton Topallit t’i hiqet masa e arrestit dhe të mbrohet në liri”, kërkoi Millaku.

Me gjithë këto kërkesa, gjykatësi Beqir Kalludra nuk e pa të arsyeshme që të ndryshohet masa e sigurisë ndaj të pandehurve, ndërsa vendosi që seanca e shqyrtimit të dytë të mbahet më 15 shkurt, 2016.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button