Ilir Meta: Qeveria gjithmonë ka vend për përmirësim

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka deklaruar se qeveria ka nevojë për përmirësime. Në një intervistë për News 24, kryeparlamentari Ilir Meta hodhi poshtë të gjitha dyshimet se LSI kërkon me patjetër ndryshime në qeveri.

Meta foli edhe për marrëveshjen me PS, i cili tha se partia e tij i qëndron koalicioneve. Kryeparlamentari tha se marrëveshja me Ramën është një bashkëpunim i qëndrueshëm.

Në lidhje me përfshirjen e tij në aferën e CEZ, Meta tha se emri i tij nuk është përmendur.

Intervista

Do doja ta fillonim dhe me këto ngjarje të vogla që kanë ndodhur në 2016-n, edhe pse sapo ka hyrë ky vit. Kryeministri nuk është në Shqipëri, është jashtë vendit, Parlamenti nuk ka filluar ende punimet. Duket sikur kanë filluar zërat e parë të riflasin për tezën e vjetër të ndryshimeve në qeveri. Sipas disa medieve duket sikur kjo është një kërkesë e LSI-së. Së pari, a është e vërtetë kjo, Lsi a po kërkon ndryshime në Qeveri?

Teza e ndryshimeve në Qeveri në vendin tonë fillon menjëherë ditën e parë, pasi qeveria betohet, kështu që nuk është ndonjë temë që më çudit edhe më surprizon. Aq më tepër që kemi dhe gjithë këtë vakum lajmesh, siç thatë dhe ju, se është dhe fillimi i vitit, kështu që është një tezë interesante për të mbushur gazetat.

Ju keni takuar ministrat tuaj sot, cila ka qenë arsyeja? Ka qenë ndryshimi në kabinetin qeveritar, ka qenë tema e bisedimeve?

Nuk e di, kam përshtypjen që kam takuar vetëm Ministren e Integrimit, me kërkesën e saj, për të biseduar për disa çështje të integrimit europian. Nuk e di të kem takuar ministra të tjerë.

Në disa media, portale ka dalë lajmi që ju keni takuar disa prej ministrave, jo vetëm një. Atëherë nuk është i saktë?

Jo nuk është i saktë, por edhe nëse takohem, kjo është një gjë normale. Takohem me ministra, deputetë, politikanë, përfaqësues, këshilltarë. Pra nuk është e vërtetë që jemi takuar me ministra të LSI, në mënyrë të posaçme.

Ju jeni të kënaqur me punën e ministrave tuaj?

Unë mendoj se gjithnjë ka vend për përmirësim.

Impulse të reja?

Impulset e reja padyshim që janë të domosdoshme, por jo gjithmonë kemi të njëjtin kuptim për impulset.

A do ketë impulse të reja brenda radhëve të ministrave të LSI-së, a do ketë ndryshime me ministrat e LSI-së?

Nuk e shikoj çështjen e qeverisjes si çështje të Lsi-së apo si të Ps-së. E shikoj më gjerë dhe e theksoj se gjithmonë ka vend për përmirësime. Jam i bindur vetë Kryeministri është më i interesuar të ketë përmirësime në gjithë funksionimin e qeverisë dhe të qeverisjes. Nuk besoj se vetë ministrat janë të lumtur dhe të vetëkënaqur, sepse problemet dhe sfidat me të cilat ndeshet vendi, ndeshet qeveria janë shumë të mëdha.

Ju mendoni se do të ishte mirë të kishte një rifreskim të kabinetit qeveritar apo jo z. Meta?

Unë mendoj se gjithmonë ka vend për përmirësim, çështja e rifreskimit është një çështje që i takon Kryeministrit dhe ai ka pasur dhe ka mbështetjen time, në çdo kohë që e gjykon këtë gjë.

Meta a është e vërtetë që marrëdhëniet midis jush dhe z. Rama janë disi të ndera këtë kohë?

Kjo është si çështja e ndryshimeve në Qeveri, që sa herë që nuk ka lajme më dinamike, më interesante, gjithmonë hapet çështja e marrëdhënieve Meta-Rama, siç hapej dikur në koalicionin me Partinë Demokratike, Meta-Berisha e kështu me radhë. Raportet tona mendoj se janë shumë të qëndrueshme, parimore dhe bashkëpunuese.

Të qëndrueshme mund të jenë edhe kur janë të ngrira. A janë të ngrira?

Sigurisht që në një gjendje të ngrirë nuk mund të ketë bashkëpunim. Unë thashë dhe të qëndrueshme dhe bashkëpunuese.

Jeni duke bashkëpunuar?

Sigurisht.

Si po bashkëpunoni, pasi ka zëra që koalicioni nuk funksionon realisht?

Unë nuk jam këtu për t’u marrë me gjithë zërat. Ne jemi një vend demokratik. Kemi shumë media, kemi shumë televizione, kemi shumë portale, të gjithë janë të lirë të japin lajmet të cilat ata besojnë apo për të cilat edhe porositen ndonjëherë.

Megjithatë z. Meta meqë jemi tek zërat dhe ndonjëherë këtu në Shqipëri lajmet më tepër i bëjnë zërat se sa aktet publike, a mendoni ju siç përflitet nga këto zëra se pas sulmeve ku ju jeni gjendur i përfshirë, sidomos në çështjen CEZ- DIA, qëndron në një farë mënyrë Kryeministri i Shqipërisë, z. Rama? Kështu është komentuar, të paktën publikimi në media i raportit të avokatëve të Shqipërisë për çështjen CEZ-DIA…

Nuk e di se çfarë thoshte publikimi i avokatëve të qeverisë. Është bërë shumë zhurmë dhe ka patur përpjekje vetëm për të shpërndarë mjegull por asnjëherë.

Ju jeni përfshirë?

Më falni, por nuk i jeni referuar fakteve konkrete. Më vjen keq pasi mendoj se kjo është edhe çështje përgjegjshmërie dhe çështje profesionalizmi. Nuk është përmendur emri im asnjëherë nga avokatët e OSHEE-së apo të qeverisë shqiptare. Jo vetëm kaq, por ata kanë dhënë edhe një sqarim me shkrim që është botuar nga zyra e kryeministrit duke bërë të qartë se ata nuk e kanë përmendur emrin tim asnjëherë për këtë çështje.

Bëhet fjalë për një ish-kryeministër që nuk është saktësuar asnjëherë se kush ishte?

Jo, ish-kryeministri është i saktësuar. Unë nuk kam arsye që t’ia përmend emrin. Është në çështjen CEZ- DIA, ku ka patur një transfertë për arsye të aktivitetit të tij privat. Por ai nuk është Ilir Meta. Diku ka qenë i akuzuar për çështje të caktuara. Çështje e tij. Por nuk ka asnjë lidhje. Gjithçka sikurse e kam thënë ka qenë një organizim i mirëfilltë mafioz, kriminal dhe financiar pikërisht për të krijuar mjegull, por asnjëherë kompania në fjalë nuk e ka përmendur emrin tim dhe nuk mund ta përmendë emrin tim.

Emrin tuaj e ka përmendur në dëshminë e tij?

Dhe kjo besoj se është tërësisht e pavërtetë. Ky ishte pretendimi që ngriti kolegu im z. Berisha në Parlament, pasi ai nuk e kishte lexuar me sa duket dëshminë e tij dhe më duket se në dëshminë e tij është shprehur shumë qartë që për personin në fjalë ka ndërhyrë Ambasadori i Shqipërisë në atë kohë në Çeki. Dhe në qoftë se ambasadori ka përmendur Ministrin e Jashtëm, ku emri im është në kllapa, njëkohësisht ka përmendur dhe emrin e z. Berisha si Kryeministër, i cili është pa kllapa. Dhe është një gjë tërësisht e provueshme kjo deklaratë që ka bërë z. Hejsek dhe që nuk ekziston asnjë raport apo rekomandim apo asnjë ndërhyrje e z. Meta në mënyrë që, z. Ismailaj të njihej apo të kishte një marrëdhënie të caktuar me CEZ-in. Ai këto marrëdhënie, është tërësisht e provuar dhe e verifikuar që i ka patur shumë kohë më para se z. Meta të kishte raporte me CEZ-in për shkak të detyrave të tij institucionale. Po mund ta merrni dëshminë dhe ta lexojmë, sepse kështu tha dhe z. Berisha, por pastaj doli se z. Berisha kishte emrin në atë dëshmi. Por ai gjithmonë i referohet ambasadorit që ka qenë në Pragë, i emëruar dhe i caktuar në atë kohë nga z. Berisha. Mendoj se është mirë t’i referohemi fakteve dhe jo spekulimeve.

Kush spekulon me ju z. Meta? Ju flisni për një operacion mafioz, politik, financiar dhe mediatik…

Spekulojnë të gjithë, sepse është shumë normale. Zgjedhjet e fundit vendore në Shqipëri treguan një rritje mjaft të qëndrueshme të LSI-së dhe unë jam kryetar i kësaj force politike. Kjo është një arritje që nuk i bën të lumtur të gjithë. Megjithatë, ata janë të lirë të spekulojnë, për mua nuk ka asnjë shqetësim. Janë ata që porosisin shkrime, ata që porosisin emisione të fabrikuara, ata që fshehin faktet, janë ata që përpiqen të fabrikojnë gjëra krejtësisht të pavërteta.

Nga pikëpamja politike sipas llogarive duhet të jetë z. Rama, i cili duhet të jetë i pakënaqur për rritjen e LSI? Kjo duhet të ishte logjike…

E para, z. Rama nuk ka shprehur asnjëherë pakënaqësi, por përkundrazi ka shprehur kënaqësi për rritjen e LSI-së. Mjafton t’i referohemi fjalëve të tij pas zgjedhjeve vendore dhe ju në një farë mënyre po bëni një spekulim, por jo për arsye kriminale, mafioze e kështu me radhë.

A është z. Rama një nga ata? Kush tjetër z. Basha, z. Berisha?

Nuk besoj, sepse nuk ka pse të jetë. Janë të njëjtët persona që përzihen gjithmonë kur bëhet fjala për z. Meta dhe përdoren gjithmonë e kështu me radhë. Nuk ia vlen të merremi me këtë çështje, nëse keni fakte, nxirrini ato dhe t’i referohemi faktet. Unë besoj se fola me fakte.

Ju folët me fakte dhe i jeni referuar dy raporteve, ku kanë përfshirë emrin tuaj…

Nuk ekziston asnjë përfshirje. Së dyti, unë kam qenë në detyra shtetërore dhe mbaj përgjegjësi për sjelljen time, e cila është e dokumentuar, e provuar dhe më vjen keq dhe për ju që ndoshta nuk keni patur kohën dhe interesin për t’u përqendruar në këtë çështje. Akoma më keq më vjen për gazetarët që përdoren qëllimisht, sepse kam parë disa emisione tërësish spekulative, ku del shumë qartë që për çështjen në fjalë qëndrimi i z. Meta si Ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës për 5 muaj, qëndrimi i z. Naço më pas dhe qëndrimi i z. Haxhinasto dhe mbi të gjitha qëndrimi i drejtorit të KESH-it, që ka qenë përfaqësues i LSI-së gjatë gjithë kësaj periudhe, edhe gjatë periudhës që kam drejtuar unë edhe më pas, përsa i takon çështjes që debatohet, të blerjes së çmimit nga CEZ-i tek KESH-i, ka qenë një qëndrim që shkonte kundër interesave të CEZ-it dhe të CEZ-DIA. Pra ka qenë në mbrojtje të interesave te KESH-it, në mbrojte të interesa të publikut. Dhe për këtë, nëse keni ndjekur qëndrimet dhe debatet në Parlament, të gjithë palët që kanë hyrë në këtë debat edhe për çështje të tjera, gjithmonë kam vlerësuar Ëngjëll Zeqaj dhe dy kolegët e mi, ministra të LSI. Pra, mendoj se gjithçka është vetëm një spekulim dhe asgjë tjetër.

Nuk është çështja vetëm e CEZ-it, por bëhet fjalë për DIA-n, një kompani që u krijua për mbledhjen e borxheve…

Nuk ka asnjë lidhej raporti i DIA-s me CEZ-in, me mua dhe me LSI-në. Është një raport i tyre, është një raport me të cilin është marrë drejtësia, pra është nëpër procese. Është një çështje e tyre. Ne nuk i kemi krijuar asnjë favorizim CEZ-it apo edhe CEZ-DIA që mund të përfitonte indirekt, përkundrazi është mbrojtur me forcë interesin publik. ERE, që ishte autoriteti që do të vendoste, sepse ishte një autoritet që nuk varej nga Ministri i Ekonomisë dhe Energjisë ka marrë vendimet e saj dhe drejtori i KESH-it, që ka qenë në varësinë time dhe në varësi të dy ministrave të tjerë të mëparshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Engjëll Zeqo, jo vetëm e ka kundërshtuar fort në ERE, jo vetëm e ka hedhur vendimin e ERE-s në dëm të KESH-it dhe e ka animuar në gjykatë, në apel e kështu me radhë, por qëndrimi është tepër i prerë në mbrojtje të interesit publik, kështu që nuk ka asnjë favorizim për askënd.

Ju akuzoheni se Kastriot Ismailaj ka qenë një njeri i juaji, një njeri i prezantuar nga ju. Cili është lidhja, e njihnit më parë, a është e vërtetë që e keni rekomanduar z. Ismailaj te z. Tepshi?

E para unë e thashë edhe përpara, që dëshmia e z. Hejsek e bënë shumë të qartë, që ai i referohet prezantimit që i është bërë nga Ambasadori i Shqipërisë në Pragë. Së dyti, është një gjë tërësisht e provueshme dhe e verifikueshme që lidhjet e zotërisë në fjalë me CEZ-in nuk kanë asnjë lidhje dhe asnjë raport me Ilir Metën, as si Ministër i Jashtëm, as si deputet në opozitë e kështu me radhë he jam i bindur, shumë përpara se sa Ilir Meta të hynte në koalicion me Partinë Demokratike pas vitit 2009. Pra kjo është tërësisht e provueshme, tërësisht e verifikueshme, gjithçka është spekulim. Ju pyesni a kam pasur njohje? Po, patjetër që kam pas njohje, por gjithçka është spekulim sepse edhe me pronarin e medias tuaj kam qenë para dy ditësh për darkë, kemi qenë edhe familjarisht, kam qenë edhe me sipërmarrës dhe biznesmenë të tjerë që nuk po i përmend këtu dhe me shumë të tjerë, por kjo nuk do të thotë që Ilir Meta mund të mbajë përgjegjësi për një biznesmen, për aktivitetet e tij, për bizneset e tij dhe për veprimet e tij, në respekt të ligjit apo në shkelje të ligjit. Ilir Meta mban përgjegjësi për veprimet që ai bën, të cilat janë të vërtetuara, të cilat janë të dokumentuara, në mbrojtje të interesit publik. Çdo gjë tjetër, është vetëm se spekulim…

Por mbani përgjegjësi nëse rekomandoni ose jo persona apo biznesmenë të veçantë për t’u bërë pjesë sidomos të kapitalit publik…

Së pari, një herë kjo është një çështje, që në qoftë se dëshironi mund të bëni një emision këtu mund të vij z. Naço, të vijnë edhe zotërinjtë të tjerë se nuk kam asnjë dëshirë që të merrem me këtë çështje. Bëni një emision të vërtetë mbi fakte dhe mbi të vërteta. Jam i bindur që do të dalin edhe shumë gjëra të tjera, por ajo që unë shpreh keqardhjen është pikërisht një përpjekje për të krijuar dhe stisur histori të cilat nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën dhe me faktin. Megjithatë unë kamë respekt për mediat, ju e dini, s’kam asnjë shqetësim, ato kanë të drejtën e tyre të mbijetojnë dhe të jetojnë.

Ndërkohë tre persona mes tyre ish-ministra dhe ish-zv.ministra të Partisë Demokratike kanë shkuar në Prokurori, i ka dërguar qeveria shqiptare në lidhje pikërisht me çështjen CEZ, për të mos thënë afera CEZ, sepse ende nuk kemi një vendim gjykate dhe një ide të qartë se ç’ka ndodhur me këtë çështje. Vetë z. Ruli për shembull, i cili ka qenë ministër në kohën e privatizimit është shprehur se nëpërmjet kësaj lëvizjes, në fakt qeveria do të godasë Ilir Metën…

Së pari unë e falënderoj z. Ruli që është i shqetësuar pse do të më godasë mua qeveria, dhe Genci nuk ma merr për keq, sepse e di që unë e kam shumë xhan. Së dyti, unë nuk e kuptoj këtë pyetje. Kjo pyetje mund t’i drejtohet z. Gjiknuri apo drejtorit të OSHEE-së, sepse nuk ka lidhje me mua. Së treti unë ftoj cilindo, z. Rama, z. Gjiknuri, z. Ruli, z. Mima që ka qenë ministër pas ministrave të LSI-së, dhe cilindo tjetër, i cili ka një fakt, ka një provë apo një dokument që Ilir Meta apo një përfaqësues tjetër i LSI-së ka cenuar ligjin, apo interesin publik në çdo lloj detyre që ka patur, përfshirë edhe këtë, ta çojë në Prokurori, ta çojë edhe në Hagë po të dojë.

Prisni që t’ju thërrasin në Prokurori për këtë çështje?

Unë nuk kam asnjë shqetësim për këtë çështje dhe ju e dini që kur e kam gjykuar unë kam vajtur vetë në Prokurori dhe unë derën e Prokurorisë e njoh shumë mirë. Kështu që nuk kam asnjë shqetësim për këtë gjë, ju mos u shqetësoni fare. Ju shqetësohuni që gazetaria duhet të mbështetet në profesionalizëm, duhet të mbështetet dhe në fakte dhe duhet të informojë në mënyrë sa më objektive dhe të paanshme qytetarin.

Ju jeni shprehur pro një hetimi ndërkombëtar z. Meta, për çështjen CEZ-DIA. Votuat, por një pjesë e grupit të LSI-së doli kundër, çfarë ndodhi?

Nuk është se ka ndodh ndonjë gjë e madhe, e vërteta është kjo që z. Berisha hodhi një sfidë për hetim ndërkombëtar. Unë këto sfidat e Doktorit nuk i duroj dot, përpiqem t’u përgjigjem sfidës sepse e kam thënë se me atë është kënaqësi edhe të bashkëpunosh, është kënaqësi edhe të luftosh. Dhe e bëra të qartë që “po”, një hetim ndërkombëtar, por në mënyrë të veçantë një hetim amerikan, në qoftë se do t’i referoheshim më saktësisht prononcimit tim publik. Dhe përse e kam bërë deklaratë? Për një arsye shumë të thjeshtë sepse të gjithë ata të cilët porosisin shkrime, porosisin emisione dhe ndërmerrnin edhe shumë akte të tjera, keqpërdornin emrin e Ambasadës së SHBA-së sikurse ajo ishte nxitëse dhe frymëzuesja e këtyre shkrimeve dhe këtyre proceseve kundër z. Meta.

Dhe unë e kam bërë me sinqeritet këtë gjë me thënë të drejtën. Sepse mendoj se marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara janë marrëdhënie jetike, janë marrëdhënie strategjike, duhet të jenë marrëdhënie shumë të hapura dhe absolutisht që në rast se ata do ta ndërmerrnin përsipër, jo vetëm unë, por dhe i gjithë grupi, edhe pse Kushtetuta ka disa kufizime mjaft të forta dhe serioze për këtë çështje të cilat janë bërë të qarta, do ta votonim këtë gjë pa asnjë më të voglin hezitim. Por EULEX këtu për të hetuar për këto çështje mendoj se nuk është e nevojshme. EULEX-in e kemi parë që nuk ka funksionuar siç duhet edhe në Kosovë dhe nuk ka se si të funksionojë edhe në Shqipëri.

Prandaj abstenuat. Kjo është arsyeja pse disa nga deputetët e grupit tuaj abstenuan në Parlament?

Më duket se e dhashë përgjigjen e qartë. Ata nuk e morën përsipër. Kështu që unë thashë unë nuk jam për EULEX. Shqipëria nuk ka arsye që të shkojë tek EULEX-i sepse dihet performanca e EULEX-it.

Ju e ironizuar edhe tani z. Berisha duke përmendur edhe sfidat që herë pas herë i bëni në Parlament?

Jo unë nuk e ironizoj Doktorin. E ke shumë gabim.

Por në një moment kërkuat aleancë me të… Ju akuzuat Ramën dhe Bashën për një aleancë mes tyre dhe latë të kuptoni disi që ishit në aleancë me z. Berisha. E bëtë nga Skrapari, toka juaj?

Kur kam akuzuar unë…?! Nuk kam thënë kështu. Unë nga Tropoja e deri në Konispol, se s’dua të dal përtej kufijve, ndihem në tokën time dhe nuk më duhen diversione të tilla. Kam thënë Meta-Meta nuk kam thënë Meta-Berisha. Sepse ky është shqetësimi im që nëse gazetarët gjithmonë do të ishin përqendruar dhe do t’i referoheshin fakteve, dokumenteve apo deklaratave në kontekstin e tyre, gjërat do të ishin shumë më të thjeshtë, megjithatë…

Nuk është e vërtetë që ju keni akuzuar Ramën dhe Bashën për një aleancë mes tyre. Kjo është e vërtetë apo jo?

Nuk kam bërë asnjë akuzë të tillë. Unë kam shprehur keqardhjen. Duhet që një nga flamurtarët kryesorë të kësaj çështje ishte Kryetari i Partisë Demokratike i cili më kërkonte mua dorëheqjen, z. Basha. E kam shprehur çudinë se si shpjegohet që kryetari i opozitës në çdo vend të botës kërkon dorëheqjen kryeministrit të Shqipërisë, por kërkon dorëheqjen e kryetarit të parlamentit. Unë dhe këtë gjë mund ta bëja, të jepja dorëheqjen por nuk bëhet dot Kryetar Parlamenti sepse ende nuk e ka mandatin e deputetit. Pra kjo është e gjitha, nuk ka ndonjë gjë më…

 

    1. Basha ka shpjeguar më pas që nuk kërkonte dorëheqjen si kryetar i parlamentit, por për faktin që duhet të hetoheshit? Ka dhënë shpjegimet e tij z. Basha. Harruam sërish z. Berisha dhe s’dua që të jetë e qëllimshme kjo gjë?

 
Që të jemi politikisht korrekt. Edhe për këto sajesa që po flasim. Mos të harrojmë politikisht i takojnë një periudhe kur qeverinë e ka drejtuar Sali Berisha dhe kur vendimet e rëndësishme dhe të mëdha merreshin nga kryeministri. Ndërsa vendimet e mia si ministër dhe të vartësit tim, në rastin konkret drejtorit të KESH-it, kanë qenë kristal në mbrojtje të interesit publik dhe më konkretisht kundër interesit të CEZ-DIA të cilat kishin interes që ta merrnin çmimin e energjisë më të ulët nga KESH në mënyrë që të fitonin më shumë dhe këto janë mjaft të qarta. Dhe qëndrimet e mëparshme të ministrave të LSI, z. Naço dhe z. Haxhinasto dhe përsëri të të njëjtit drejtor të KESH janë kristal të pastra. Kjo është e gjithë historia. Të tjerat janë spekulime dhe muhabete kafenesh.

A është e vërtetë që i kërkuat aleancë z. Berisha në atë kohë apo ishte thjesht një foto në ambasadën kineze ajo që e la këtë përshtypje? Flitet për një aleancë tuajën edhe tani pasi ai është i pakënaqur me z. Basha, po ndërtohet një aleancë e re, një skenar i ri politik me qasje për zgjedhjet e ardhshme të parakohshme. Z. Meta politika kjo është?!

Unë këto raporte nuk i di. Unë punët e brendshme të Partisë Demokratike nuk i hy. Të them që nuk kam debulesë z. Berisha nuk e them dot sepse mua më tradhton dhe mimika në këtë kuptim. Kam thënë me atë është kënaqësi të bashkëpunosh, me atë është kënaqësi të luftosh. Kaq, çështjet e tjera pastaj , shikoni dhe lexoni shkrimet e z. Lesi etj. Imagjinata e tij është e pakufij, nuk është faji im.

Nuk kemi një aleancë atëherë me z. Berisha për momentin?

Unë e kam patur aleancën me z. Berisha katër vjet. Ka qenë aleancë jo e lehtë. Ka qenë aleancë e vështirë. I kam qëndruar aleancës shumë korrekt dhe i kam dhënë dorën z. Berisha dhe kam vazhduar, kam dalë në opozitë, kam vazhduar koalicionin tjetër.

A jeni penduar që keni bërë koalicion me z. Rama? A ishte me mirë me z. Berisha?

Po më vë pak në vështirësi. Sepse e para njëherë koalicionet nuk i bëj unë, duket sikur janë gjera personale. Koalicionet i bëjnë qytetarët shqiptarë. Kthehemi pak në 2009-n. Deri në fund unë dhe LSI kërkuam të ishim në koalicion me PS. Kjo është e padiskutueshme. Ishte PS që deri në fund insistoi për ta përjashtuar LSI-në nga koalicioni për eliminimin e saj përmes një sistemi zgjedhor dhe përjashtimit nga komisionet e votimit dhe të numërimit. Kjo është e vërteta. Në fund fare kishim 70 koalicioni i PD, 66 koalicioni i PS, 4 LSI-ja. Edhe ne kishim një koalicion tonin. 4 dhe 66 bënin 70. Për të bërë qeverinë duhen 71.

Pra, dy rrugë kishte: ose konflikt deri në fund dhe pa fund ose një qeveri e vështirë, por që një qeveri që do të garantonte një stabilitet dhe unë them që e garantoi një stabilitet dhe bëri disa gjëra pozitive, përfshirë edhe liberalizimin e vizave që sot e gëzojnë shqiptarët edhe ishte një gjë që i shërbeu vendit. Tani jemi në një situatë tjetër, është një koalicion më i natyrshëm midis PS-së dhe LSI-së.

Nëse do t’i krahasonit të dyja, kush ishte koalicion më i mirë?

Këto janë aq të ndryshme sa është i ndryshëm z. Rama nga z. Berisha dhe aq të ngjashëm sa nuk janë të ngjashëm një Kryeministër me një ish-Kryeministër.

 

    1. Meta, a ekziston një mundësi për prishjen e aleancës suaj me Kryeministrin aktual, z. Rama? Për çfarë ju do të ishit i gatshëm sot të prishnit këtë koalicion qeverisës?

 
Koalicioni bëhet mbi bazë të disa qëllimeve, në bazë të një programi dhe natyrisht që koalicionet nuk janë të lehta, sepse duhet të përputhen interesat kryesore të partive. Një parti ka prioritet një çështje të caktuar, një tjetër ka një çështje tjetër e kështu me radhë. Dhe ne kemi treguar gjithmonë përgjegjshmëri dhe fleksibilitet për të pasur stabilitet për t’i shërbyer integrimit europian, euro-atlantik e kështu me radhë dhe në këtë drejtim vetëm për çështje madhore e programore koalicioni mund të kishte probleme.

Ashtu sikurse në koalicionin me z. Berisha në katër vjet kemi pasur mosadakordësi për shumë çështje, por vetëm për një çështje që mund të krijonte problem në raport midis Shqipërisë dhe NATO-s mund të prishej koalicioni dhe kjo nuk është një gjë që ka mbetur sekret. Kështu që, për çështje madhore po, është çështje e interesit të qytetarëve shqiptarë, por për çështje nga këto që shikoni e dëgjoni ju në gazeta nuk prishet koalicioni.

Pra, skenari i zgjedhjeve të parakohshme për shkak se koalicioni qeverisës do të prishet, pasi Rama dhe Meta nuk do të jenë më dakord për çështje të caktuara nuk qëndron? Me Edi Ramën do të jeni në koalicion në zgjedhjet e ardhshme?

Ne kemi punë më të rëndësishme, zgjedhjet janë në 2017-n. Ne jemi në një koalicion dhe i qëndrojmë koalicionit, ne kemi treguar se dimë ti qëndrojmë marrëveshjeve. Jo më kot thuhet “lum kush bën marrëveshje me LSI-në”, në kuptimin që LSI-ja kë seriozitet, i qëndron pakteve, i qëndron marrëveshjeve.

Me z. Berisha e mbyllët para kohe marrëveshjen z. Meta….

Jo, e mbyllëm në kohë. E mbyllëm pikërisht pak ditë para se të regjistroheshin partitë në KQZ për zgjedhjet. Jo vetëm kaq, se nuk i thotë z. Berisha të gjitha dhe unë kam qenë shumë korrekt me të. Koalicioni është shpallur kur është bërë, nuk ka pasur koalicion më përpara, absolutisht. Mund t’iu them ju dhe gjithë të tjerëve që ideja ime ka qenë për të dalë një alternativë më vete, pra për të vazhduar në qeveri, por për arsye se disa kolegë të tjerë të disa partive hezituan, u ndoq një rrugë tjetër dhe natyrisht këto ishin vendime kolegjiale. Ishin vendime të LSI-së, sepse nuk mund të jenë vendime personale, por Doktorit i kam thënë këtë gjë: të falënderoj për bashkëpunimin dhe e dyta mos ki asnjë shqetësim, sepse ne këtë qeveri kështu siç është do ta mbështesim deri në fund. Pra, nuk është se do të bëjmë ndonjë komplot, duke bashkuar votat me PS-në për të ndryshuar qeverinë para zgjedhjeve, etj.

Pra, ju do t’i qëndroni njësoj edhe koalicionit me z. Edi Rama?

Nuk ka patur ndonjëherë ndonjë rast kur ne nuk i kemi qëndruar marrëveshjeve dhe nuk do duhet t’i shkojë ndokujt në mendje që ne nuk i qëndrojmë marrëveshjeve. Është një nga karakteristikat kryesore pse LSI-ja besohet dhe votohet. I qëndron marrëveshjeve me qytetarët, i qëndron marrëveshjeve në koalicion, kur bashkëpunon, bashkëpunon dhe kur lufton, lufton.

 

    1. Rama nuk i qëndron marrëveshjeve me ju…?

 
Nuk kam asnjë arsye ta paragjykoj, më vjen keq.

Pse vetëm z. Naço iku nga qeveria dhe a ishte ikja e tij e mjaftueshme për të justifikuar ato impulse të reja për të cilat foli LSI-ja?

E para një herë duhet të jemi objektiv. Z. Naço ka dhënë dorëheqjen, dorëheqja është individuale dhe teksti i dorëheqjes është bërë publik. Mendim im për ato arsye dhe rrethana që ai ka shpjeguar në letrën që i ka drejtuar Kryeministrit, ka bërë shumë mirë që ka bërë dorëheqjen dhe z. Naço është një aset i paçmuar i LSI-së.

 

 

    1. Meta, sipas një shkrimi të një kolegu, ambasadori amerikan është shprehur në një darkë, se “reforma në drejtësi ka armiqtë e vet. Rama e do reformën dhe Meta jo”. Nuk e di a e keni lexuar këtë shkrim?

 
Unë nuk marr përsipër të komentoj analizat, shkrimet apo komentet tuaja si Eni apo të gjithë kolegëve tuaj. Media është e lirë. Unë mund të komentoj aq sa është e rëndësishme për publikun. Mund të komentoj marrëdhëniet e mia me ambasadorin amerikan por nuk mund të komentoj marrëdhëniet e tij me gazetarë apo me këdo tjetër.

Ju e besoni këtë deklaratë?

Nuk kam si ta besoj sepse marrëdhëniet e mia me ambasadorin amerikan janë të shkëlqyera, bashkëpunuese, mjaft parimore, mjaft transparente dhe që i shërbejnë marrëdhënieve midis dy vendeve apo edhe reformave kyçe të Shqipëri. Kemi pasur mirëkuptim të shkëlqyer që ditën e parë që është krijuar çështja e dekriminalizimit. Ai është shumë i ndërgjegjshëm për angazhimin e LSI-së por sidomos timin si kryetar i Kuvendit për ta mbyllur këtë proces sa më shpejt, pa parë asnjë lloj kostoje. Kemi pasur dhe kemi bashkëpunim shumë të mirë edhe për reformën në drejtësi. LSI ka qenë një forcë shumë koherente në këtë drejtim. Kjo reformë është një objektiv i kësaj mazhorance dhe i LSI-së që në fillimin e mandatit. Natyrisht që ajo ishte planifikuar në kohë për të qenë e dyta pas reformës administrativo-territoriale, që ishte një reformë mjaft madhore. Ishte e para në kohë pasi ishin edhe zgjedhjet vendore dhe ishte një domosdoshmëri që të bëhej sa më shpejt përndryshe do të shtyhej pas 6 viteve. Dhe kjo reformë po ecën sipas gjithë axhendës dhe parashikimeve tona.

A e do Ilir Meta reformën në drejtësi më shumë sesa Rama?

Më shumë nga të gjithë. Sepse vendi e ka të domosdoshme këtë reformë. Sepse ne e dimë që funksionimi i drejtësisë është mjaft problematik. Mjafton të lexojmë progres-raportin e KE-së në këtë drejtim, përveç shqetësimeve të qytetarëve. Absolutisht që Ilir Meta dhe LSI, jo vetëm që nuk kanë diçka për të mbrojtur nga sistemi aktual i drejtësisë, por as nuk kanë ndonjë synim që të kapin sistemin e drejtësisë për qëllimin e tyre. Ilir Meta ka qenë kryeministër dhe ju e dini shumë mirë se asnjëherë nuk është përpjekur ta përdorë drejtësinë kundër kundërshtarëve politikë. Së dyti, ju e dini që Ilir Meta është akuzuar politikisht dhe drejtësia është përdorur politikisht kundër Ilir Metës dhe Ilir Meta nuk e ka pasur fare problem për tu ballafaquar me drejtësinë sepse në fund fare vlejnë faktet, vlejnë provat dhe nuk vlejnë as thashethemet, as intrigat dhe as fabrikimet. Edhe për çështjen konkrete LSI ka qenë që në fillim për këtë gjë dhe ka qenë për konsensusin dhe ka qenë e bindur që konsensusi do të vijë vetëm nga “Venecia”, sepse “Venecias” nuk i ikën dot as doktori. Sepse edhe për kutitë kur kemi pasur debatin për hapjen apo mos hapjen e kutive, unë punova për një kompromis. Doktori tha: “duan të hapin kutitë, ta çojnë në ‘Venecia’. Nëse ‘Venecia’ thotë po unë i hap kutitë. Por që t’i hap unë si Berisha nuk e marr këtë përgjegjësi sepse pastaj në çdo zgjedhje do hapin kutitë. Dhe nuk do ketë as parlament dhe as qeveri”. Ata nuk e çuan në “Venecia” kutitë nuk u hapen. Kështu që LSI ka qenë dakord që në fillim. Tani janë të gjithë me “Venecian”. Tani e kemi të zgjidhur ne reformën. Është bërë një punë shumë e madhe nga ekspertët. Tani Komisioni i Venecias ka vendosur trasenë dhe standardet e reformës dhe të ndryshimeve kushtetuese. Reforma në drejtësi tashmë kërkon një transparencë dhe një vizion që duhet të vijë këtu tek studioja juaj sepse ende qytetarët nuk e kanë të qartë se çfarë do të përfitojnë ata në mënyrë të drejtpërdrejtë. Këtu duhet të vinë ekspertët ndërkombëtarë, shqiptarë, të opozitës, të mazhorancës e kështu me radhë.

Shqiptarët kanë qenë të bunkerizuar deri më tani. Nuk kanë pranuar të flasin për mediat…

Në qoftë se kanë qenë të bunkerizuar do të thotë se reforma akoma nuk ka dalë në dritë për opinionin për publikun, reforma më e madhe. Pra reforma duhet të dalë në dritë. Të gjithë janë dakord për Venecian, ka ndonjë që është kundër Venecias? Skam dëgjuar. Të gjithë janë pro Venecias, z. Basha pro Venecias, doktori i pari fare, që e përkrahu. Ne kemi qenë që në fillim pro Venecias. Kush është problem,i i reformës në drejtësi? Problemi i parë është që duhet konsensusi sepse kërkon ndryshime kushtetuese. Dhe ndryshimet kushtetuese është e pamundur të realizohen pa konsensusin e opozitës. Por jo vetëm kaq, duhet edhe besimi që do të ikin ca gjyqtarë e prokurorë e kështu me radhë të korruptuar një pjesë e tyre, sepse unë nuk e pranoj kurrë që ata të gjithë janë të tillë. Nuk e pranoj kurrë dhe nuk e mendoj kurrë që Xhezair Zaganjori ishte një gjyqtar që mund të vihet në diskutim integriteti i tij. Unë e di mirë se kë voton ai, jam i sigurt se nuk voton për Lëvizjen Socialiste për Integrim, po nuk e besoj kurrë që ai apo të tjerë si ai përzihen në afera korrupsioni e kështu me radhë. Nuk e besoj kurrë që Bashkim Dedja, edhe për atë nuk e di se për kë voton, që merret me gjëra të tilla. Ne kemi shumë çështje të diskutueshme edhe me gjykatat por të mos harrojmë ama se nuk do rrëzojmë çdo gjë se nuk jemi në vitin zero, as në ’91. Që kemi një Gjykatë Kushtetuese e cila ka treguar një pavarësi të vlerësueshme, të lavdërueshme, edhe në kohën e mëparshme, gjatë periudhës kur ishte koalicioni i PD por edhe në periudhën e tanishme dhe shpesh herë ka dhënë mendime që mund të mos i kenë pëlqyer qeverive. Nuk kam unë këto vlerësime kategorike që gjykatat janë të gjithë kështu dhe nesër do vinë gjithë të ndritur se këtu do i gjejmë prapë dhe nuk kemi ku t’i gjejmë ndryshe. Unë jam për të vendosur standarde dhe kush i kalon këto standarde qëndron në sistem dhe të tjerë që nuk i kalojnë këto standarde të shikojnë punët e tyre, të përgjigjen para drejtësisë, të bëjnë pushime a të mos bëjnë pushime kjo është çështje e tyre. Vetëm transparenca dhe standardet. Ne jo vetëm do ta çojmë përpara dhe do ta realizojmë reformën në drejtësi por këto do t;i japin besim qytetarit që do të kemi një drejtësi të pavarur dhe një drejtësi e cila nuk do të përdoret për lojëra dhe qëllime politike.

Si do ta merrni këtë garanci z. Meta kur duket se çështja e 3/5 që sugjerohet në fakt ndryshe nga Venecia është diskutuar në dy takimet dje dhe sot?

Unë nuk dua të komentoj diskutimet e ekspertëve. Ato shumë mirë që po vazhdojnë dhe do vazhdojnë sepse e theksova edhe një herë tjetër, reforma tani është e pandalshme. Pra, çdo diskutim kush është pro reformës kush është kundër reformës, për mua është nonsens, një absurditet, më ngjan si koha e kaluar kush është me partinë dhe kush është kundër partisë. Nuk ka diskutim që ka një vullnet të qartë politik të forcave kryesore politike për të bërë reformë. Së dyti, të gjithë pranojnë që po reformë sipas standardeve të “Venecias”. Asnjë nuk thotë jo sipas standardeve të “Venecias”. Pse sipas standardeve të “Venecias”? Sepse është institucioni më i rëndësishëm në Evropë për çështjet e Kushtetutës, për çështjet e ligjit dhe për çështjet e të drejtave të njeriut. Komisioni i Venecias ka vlerësuar punën, ka vlerësuar që reforma është e rëndësishme, që reforma duhet të jetë radikale sepse problemet e korrupsionit dhe të krimit në Shqipëri janë të tilla që justifikojnë këtë reformë. Sepse po të mos kishte këtë bindje prapë nuk do të kishte qenë dakord me riorganizimin e KLD-së. Po ne të gjithë e dimë dhe jemi të ndërgjegjshëm se një nga problemet e mëdha deri më tani ka qenë KLD-ja, e cila po të lexosh vlerësimet e progres-raportit të BE akoma vazhdon me vlerësimet e gjyqtarëve të 2008 dhe të 2009. Tani për ato çështje që janë më të debatueshme e ka thënë qartë: me konsensus, me një Kushtetutë sa më parimore dhe me ndërhyrje sa më minimaliste, pra çështje konkrete që zgjidhen me ligje, që zgjidhen me akte të tjera, nuk ka nevojë për ndërhyrje në Kushtetutë, pra duhen menduar mirë ndërhyrjet në Kushtetutë. Sepse ne për fat të keq kemi bërë edhe ndërhyrje pa i menduar edhe pa e pyetur fare “Venecian”. Me këtë Kushtetutë, megjithëse kjo është ndryshe sepse është e 2008, por për Kushtetutën që populli shqiptar votoi me referendum, u bë me ekspertët më të mirë të “Venecias” dhe nga Kushtetutat më të mira në Evropë. Pavarësisht se u dëmtuan parimet e balancës dhe kontrollit nga ndryshimet e 2008.

 

    1. Lu ka thënë se “i trembet reformës në drejtësi ministrat e korruptuar, deputetët kriminelë, gjykatësit e paaftë dhe prokurorët që marrin paratë tuaja dhe kurrë nuk ndiqen penalisht u drejtohet qytetarëve. Këta persona duan të vazhdojnë të mbushin xhepat me paratë e popullit shqiptarë”. Këta njerëz i tremben reformës sipas ambasadorit Lu. Pse ambasadori amerikan e di që ka ministra të korruptuar, deputetë kriminelë, gjykatës të korruptuar dhe prokurorë të korruptuar dhe nuk e dini ju, nuk e di z. Rama, nuk e dimë ne?

 
Ju më kërkoni mua të bëhem prapë pjesë e spekulimeve tusja. Ju për këtë çështje mund të pyesni ambasadorin. Sugjerimi im apo qëndrimi im. Nuk dua të komentoj sepse nuk e di si është konteksti, është e drejta e tij dhe qeverisë që përfaqëson. Qëndrimi im për këtë çështje është ky dhe ky është një qëndrim i bërë publik: Cilido që ka në fakt, një provë për çdo zyrtar, për çdo deputet për korrupsionin duhet ta çojë këtë gjë në Prokurori, në drejtësi. Ky është qëndrimi im në parim.

 

    1. Lu ka thënë që do tu prishë pushimet verore të gjithë atyre personave me pushtet që kanë frikë nga reforma në drejtësi. Z. Meta, çfarë do të ndodhë në pranverë?

 
Së pari, unë them të mos e shtyjmë deri në pranverë reformën në drejtësi. Kur flasim për reformën kemi parasysh ndryshimet kushtetuese. Unë mendoj ta afrojmë. Përse ta afrojmë? Sepse është një reformë që duhet bërë sa më shpejt, ndaj qëndrimi im është: sa më shpejt por pa u nxituar. Sa më shpejt por me transparencë maksimale, me konsensus dhe në mënyrë parimore, siç e kërkon edhe Venecia me të cilën kemi rënë të gjithë dakord. Reforma tani duhet të vijë këtu, në studion tuaj. Duhet të vijnë këtu ekspertët, duhet të vijnë përfaqësuesit e Partisë Demokratike, që edhe nëse dikush devijon dhe thotë: ‘Venecia e tha kështu apo ashtu’, të parashtrojmë çështje konkrete dhe le ta gjykojnë qytetarët se kush përpiqet të luajë me Venecian. Ne i japim mbështetje të plotë reformës së certifikuar sipas sugjerimeve të Venecias. Kjo është një çështje e padiskutueshme dhe e panegociueshme.

Çfarë do të ndodhë në pranverë? Kush do të futet në burg në pranverë, z. Meta, sepse ambasadori ka qenë i qartë?

Ambasadori ka folur në parim. Në qoftë se ka gjëra konkrete, pyesni ambasadorin. Që të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, duhet të kenë frikë.

Shumëkush parashikon një skenar serb, si ai ku përfunduan në qeli 79 zyrtarë të lartë. A parashikohet një skenar i tillë në pranverë edhe në Shqipëri?

Unë nuk flas me skenare, nuk flas me paragjykime, nuk flas me hamendësime. Kushdo që ka një fakt për një zyrtar, për një qeveritar, për një politikan, më i larti që është në këtë vend, nuk duhet të presë as pranverën, as verën, pro duhet ta bëjë publik që sot. Ky është qëndrimi im parimor.

Çfarë mekanizmash të reja do të sjellë Venecia për të vazhduar idenë tuaj, që nuk i kemi ne tani?

Venecia do të sjellë gjithë atë riorganizim që do ta shkundë këtë sistem, do t’i japë një besim të ri për të zbatuar ligjin, për të sjellë ndëshkueshmëri dhe që qytetarët të mos zvarriten më gjykatave me vite të tëra duke mos marrë drejtësi apo duke paguar ryshfet e kështu me radhë.

Kush do të arrestohet në pranverë? Kujt do t’i prishen pushimet?

Reforma nuk bëhet për t’i prishur dikujt pushimet. Reforma bëhet për të vënë atë sistem drejtësie që meriton populli dhe qytetarët shqiptarë. Pastaj, se kujt i prishen pushimet dhe se cilat janë pasojat e kësaj reforme, kjo është një çështje tjetër. Çështja kryesore është të rritet besimi tek shteti, tek forcimi dhe sundimi i ligjit dhe qytetarët të marrin drejtësi dhe jo padrejtësi. Të ndëshkohen të gjithë gjyqtarët, politikanët, qeveritarët e kushdo tjetër që shkel ligjin. Dhe mbi të gjitha, le të mos harrojmë, reforma në drejtësi bëhet për të zhvilluar ekonominë e këtij vendi. Dhe në fund fare bilanci nuk është sa vetë hynë apo nuk hynë në burg, por sa vetë do fusim në punë në këtë vend. Ky është problemi dhe kërkesa më e madhe që kanë sot qytetarët shqiptarë, e sidomos të rinjtë shqiptarë, duke mos harruar që janë gati 80 mijë vetë të larguar nga vendi.

A keni besim se do të arrihet konsensus politik në lidhje me këtë çështje, z. Meta?

Unë kam pasur gjithmonë besim dhe e kam shprehur në mënyrë shumë të qetë. Siç kam pasur besim që do të zgjidhet edhe çështje e dekriminalizimit, pavarësisht se zgjati pak më shumë seç duhej, por u bënë të gjithë përpjekjet dhe këtu dua të falënderoj ambasadorin Lu, edhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, eurodeputetët Kukan e Fleckenstein që nxitën fort finalizimin e këtij procesi, e që ishte i domosdoshëm të përfundonte që t’i hapej rruga përqendrimit për reformën në drejtësi, që unë jam i bindur që do të shkojë ashtu siç duhet.

Sa besim keni që kjo reformë në drejtësi, këto ndërhyrje kushtetuese do ta përmirësojnë sistemin dhe nuk do të jenë disa operacione estetike që kanë ndodhur dhe më parë?

Besimi im si individ, si qytetar por edhe si politikan nuk ka të bëjë thjesht me emrat. Së pari ka të bëjnë me riorganizimin e këtij sistemi, i cili duhet të jetë më i thjeshtë, sipas edhe sugjerimit të Komisionit të Venecias. Me shkundjen e këtij sistemi që realizohet, por jo me zerimin e tij. Jemi në një stad ku sistemi ka nevojë për një shkundje. Reforma duhet të jetë e thellë por edhe e qëndrueshme, në mënyrë që të jemi të mbrojtur nga komprometimi i reformës që ditën e parë të zbatimit të saj. Pra, të dalë nga ky sistem i cili e ka humbur besimin e qytetarëve shqiptarë, të ruajë ato vlera që janë, pasi nuk mund ta pranoj që të gjithë gjykatësit janë njerëzit më të zinj në Shqipëri dhe tani do të vijnë njerëz shumë të bardhë nga jashtë dhe këta do t’i besojmë verbërisht.

A nuk ndaheni me z. Rama në këtë pikë?

Unë flas për mendimet e mia. Unë ndahem me çdo njeri që i shikon gjërat bardh e zi. Unë mendoj se ajo që na çon përpara është vendosja e standardeve dhe transparenca në realizimin e reformës. Prandaj, reforma duhet të vijë në studio, të vijnë ekspertët, të diskutojnë dhe qytetarët të dëgjojnë. Ne shpresojmë që gjithçka të zgjidhet me konsensus dhe pastaj kjo reformë t’i bëhet qytetarëve shqiptarë. Në rast se do të ketë vështirësi në konsensus, patjetër që debati do të transferohet në studio.

Si ndjeheni që keni drejtuar një parlament të kriminalizuar, që më pas pati nevojë të dekriminalizohej?

Mua nuk më pëlqen fjalët “kriminalizim”, “dekriminalizim”, por ne bëmë një kompromis për kthimin e PD-së në Parlament dhe e pranuam. Kam qenë partizan që kjo çështje të zgjidhej sa më shpejt. Për fat të mirë u zgjidh. Kemi insistuar që kjo çështje të zgjidhej me konsensus sepse dihet që në fund fare erdhën dy drafte, një draft në mënyrë absurde nga Partia Demokratike e cila kryesonte komisionin e Posaçëm dhe e anashkaloi komisionin. Nga ana tjetër, erdhi një draft nga qeveria që pretendonte se ishte më i avancuar se ai i Partisë Demokratike. Ne kemi insistuar duke thënë që nuk mund të shkohet me dy drafte sepse edhe nëse kalohet varianti i qeverisë si mazhorancë, opozita do ta gjente si sebep për të rrëzuar projektligjin për dekriminalizimin duke thënë se u bë pa konsensus. Për fat të mirë kjo çështje u zgjidh. Është një gjë pozitive për ta mbyllur këtë temë një herë e përgjithmonë në Parlamentin tonë dhe në institucionet tona. Të them që jam ndjerë mirë. Nuk ta them dot sepse si mund të ndjehesh mirë kur ndodhin disa ngjarje të papranueshme në Parlament. Të them që mbaron dekriminalizimi këtu, nuk e them dot sepse ne vërtet, kemi marrë masa që individë të caktuar me rekorde apo probleme të caktuara të mos jenë në Parlament. Por, gjuha që përdoret në Parlament nuk mund të themi që është një gjuhë e dekriminalizuar. Është një gjuhë që provokon konflikt. Është një gjuhë që kriminalizon jetën politike në vend, me akuza me shpifje dhe me retorika agresive, nga e cila duhet të distancohemi. Ndaj u kam kërkuar grupeve parlamentare që të miratojnë Kodin e Etikës që të kemi përgjegjësi dhe përgjegjshmëri më të madhe sepse shpeshherë themi gjëra të pavërteta, për të dëmtuar kundërshtarin apo rivalin. Të gjitha këto na kthehen ne, i kthehen klasës politike. Kthehet në një humbje besimi të qytetarëve tek politika, tek Parlamenti, tek qeveria, tek opozita e kështu me radhë.

A do të përpiqen partitë kryesore ta kulturojnë Parlamentin?

Është një përgjegjësi e partive dhe jo e kryetarit të Parlamentit. Kryetari i Parlamentit përpiqet që të bëjë detyrën e tij në mënyrë sa më të paanshme dhe përpiqet të gjejë konsensusin për procedurat parlamentare. Në këtë kuptim, kryetarët e partive dhe partitë vetë duhet të japin shembullin duke sjellë në Parlament, kualitete sa më përfaqësuese. Në këtë drejtim LSI-a është e angazhuar për të parë shumë më mirë, shumë elementë të përfaqësimit të saj. Natyrisht ne kemi qenë një forcë që nuk kemi pasur shqetësime me çështjen e dekriminalizimit as në Kuvend dhe as në listat e kandidatëve të të zgjedhurve vendorë. Kemi kërkuar garanci dhe përgjegjësi për kandidatët për këtë çështje. Pra, duke ua bërë të qartë që nëse do të dilte diçka për ta, të cilën ata nuk e kishin treguar, do të përjashtoheshin nga gara. Por, kemi mundësi të bëjmë shumë më tepër, të sjellim më shumë gra, më shumë vajza të reja, të sjellim më shumë të rinj, më shumë juristë, më shumë ekonomistë sepse këta po i mungojnë Kuvendit tonë. Natyrisht, të jemi pak të kujdesshëm me përfaqësimin me biznesmenë.

 

    1. Meta, si e gjykoni kërcënimin me sms që i është bërë ish-Kryeministrit Berisha?

 
Nuk e di nëse është e vërtetë apo jo. Nëse është e vërtetë është shumë e rëndë dhe e papranueshme dhe e turpshme. Megjithatë, duhen bërë verifikime sepse ekzistojnë teknologji të atilla në internet që me numrin tim mund t’ju vijë një sms në telefonin tuaj apo anasjelltas. Nëse kjo gjë ka ndodhur është e papranueshme dhe jashtë çdo etike. Nuk është mirë kur politikanët për arsye politike godasin biznesmenët por është e papranueshme kushdo që shantazhon këdo, jo vetëm z. Berisha për gjithçka që ai përfaqëson, por edhe për një qytetar të thjeshtë.

 

Do të doja të flisja edhe një tjetër reformë që pritet të realizohet siç është ajo elektorale dhe do të doja t’ju kujtoja. Z. Berisha ka qenë në këtë studio, unë e kam pyetur rreth kësaj çështje. Ju doli në mbrojte, unë këtë kuptoj kështu të paktën, sepse i sugjeroi Ramës dhe Bashës të mos bënin konsensus duke pasur parasysh kodin elektoral me Prim, duke pasur parasysh të eliminojmë një apo një tjetër parti dhe sigurisht i referohej LSI-së, kujt tjetër?

Së pari një herë fakti që ju përmendët, që nga 2008 përpjekjet për LSI-në për ta eliminuar etj., tregojnë që ekziston një shqetësim jo thjesht për LSI-në, por që ka edhe një alternativë tjetër, që sipas mendimit tim, mund të jem edhe subjektiv ngaqë jam edhe kryetar i LSI-së, i ka bërë mirë demokracisë në Shqipëri.

Në qoftë se do të kishim edhe ndonjë tjetër, përsëri pozitive do të ishte mendoj unë, sepse çdo sistem i mbyllur, i polarizuar, nuk është një sistem i shëndetshëm, sidomos në vende ku edhe vetë demokracia brenda partive çalon ndjeshëm, aq më tepër që ky është një sistem me lista të mbyllur për të cilat ne asnjëherë nuk kemi qenë dakord.

Përsa i takon sistemit, jo me Prim apo me çdo sistem tjetër, nuk ka shqetësim fare LSI-ja nga kjo çështje e sistemit, sepse LSI-ja ka kaluar situata shumë më të vështira në momente tepër delikate. Tani do të bëjmë sistem për të përfaqësuar më mirë qytetarët shqiptarë apo do të bëjmë sistem me mendimin se do t’ia fusim LSI-së apo PD-së apo PS-së apo partive të tjera? Sepse edhe këtu sistemi nuk është thjesht për sot, sistemi është për zgjedhjet e tjera, është mbas 8 vjetësh dhe kështu me radhë dhe ende nuk është krijuar ndonjë traditë shumë e konsoliduar e këtij sistemi, sepse ky është një sistem praktikisht i ri.

Së dyti, me prim, nuk i trembet LSI-ja asnjë lloj sistemi, madje as mazhoritarit të pastër, të jeni të sigurt për këtë gjë. Çdo sistem i cili është transparent dhe për të cilin qytetarët shqiptar janë të ndërgjegjshëm që do të shkojmë të votojmë dhe të zgjedhim, është një sistem i pranueshëm. Problemi është që ne kemi edhe problemet e Kushtetutës, sepse duhet që vota duhet të jetë e barabartë, të përfaqësohet çdo qytetar në mënyrë sa më të drejtë, sa më proporcionale, e kështu me radhë.

Këtë sistemin me prim, Greqia e ka patur si model. Nuk mendoj se ky sistem i funksionoi shumë Greqisë. Po ta kishin pasur sistemim më të hapur them, ndoshta mirë do të kishte qenë për Greqinë dhe ndoshta nuk do të kishte ardhur në këtë situatë të vështirë që erdhi, sepse u krijua një sistem shumë i mbyllur i dy forcave politike. Edhe tani nuk po funksion me prim, sepse Tsiprasi ka qenë i detyruar të bëjë koalicion me forca të tjera politike, kështu që kjo është një nisje e mbrapshtë e reformës për ata që e shtrojnë në këtë mënyrë. Ne jemi të hapur.

Keni frikë se mund të ndodhë kjo gjë, mund ta përsërisë Rama skenarin e 2008-s për shembull?

Ne nuk kemi frikë nga asnjë lloj sistemi. Problemi është që qytetarët shqiptarë të përfaqësohen në mënyrë më të drejtë. Dhe së dyti, qeverisja e ardhshme si do të ketë sa më shumë legjitimitet.

Pse nuk keni frikë?

Po nuk kemi frikë sepse, e para një herë LSI-ja rritet në mënyrë të vazhdueshme dhe tani që ne flasim bashkë.

Sa jeni tani që ne flasim, sepse unë e di që ju pëlqen të flisni në gjuhën e sondazheve?

Nuk flas shumë, do të flasim në zgjedhje…

Çdo të thotë? Ju bëni sondazhe, na krijoni një ide, sa jeni rritur?

Nuk bëjmë sondazhe për t’i treguar, i bëjmë për të patur informacionet tona. Rritet edhe tani që ne po flasim, absolutisht dhe kjo është një e drejtë e qytetarëve shqiptarë, ta mbështesin apo jo këtë forcë politike, por ky nuk është problemi thjeshtë i LSI-së. Ne bëjmë sistemin për qytetarët shqiptarë, si ata do të përfaqësohen në një mënyrë sa më të drejtë, dhe se si mazhoranca e nesërme, qeveria e nesërme do të ketë një legjitimitet sa më të fortë popullor.

 

    1. Meta me këtë gjuhë folët edhe për zgjedhjet lokale, por Pogradeci, Lezha, Vora, ishin zhgënjime për ju, apo jo? Ju tradhtoi Partia Socialiste në zgjedhjet lokale?

 
Tani ju doni të fitonim në të gjithë Shqipërinë..

Kjo ishte deklarata juaj, do të fitojmë thatë…

Po si do të hymë në zgjedhje do të themi këtu na votoni, këtu mos na votoni, lërjani Partisë Demokratike?! Nuk do t’i tradhtojmë votuesit. Mundësinë do ua japim të gjithëve. E mira e zgjedhjeve lokale është që të gjithë janë të kënaqur. Është si puna e këtij raporti të Komisionit të Venecias. Të gjithë u kënaqën. Edhe Partia Demokratike doli fitoi, se doli më mirë se atëherë, edhe Partia Socialiste doli fitoi, edhe ne fituam, nuk ngeli njeri pa fituar. Kështu që s’ka, kjo është një histori e mbyllur për ne.

Nuk jeni zhgënjyer nga mënyra se si u soll Partia Socialiste në këtë zgjedhje, në zgjedhjet lokale z. Meta? Për shembull në Lezhë, në Vorë, në Pogradec….

Të lutem të mos i ngatërrojmë dhe të spekulojmë. Ne kemi qenë një koalicion i përbashkët. Kemi fituar në Tiranë, kemi humbu diku, kemi fituar si koalicion, kemi humbur si koalicion.

A u prishën humoret e koalicionit që në atë kohë apo ky është një perceptim i gabuar që ne kemi?

Shumë i gabuar!

 

    1. Meta si shkon bashkëpunimi në Këshillin Bashkiak?

 
Shumë mirë! Me sa jam unë në dijeni, të paktën në Tiranë shkon në mënyrë të shkëlqyer. Kemi një grup të shkëlqyer të këshilltarëve të Tiranës, sidomos vajza, djem të rinj, mjaft të aftë, mjaft të përgatitur, të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyer për buxhetin, dëgjesa pafund me të gjithë qytetarët, propozime konkrete dhe kur kam dëgjuar fjalimet e tyre janë ndjerë shumë më mirë sesa kur dëgjoj deputetët në Parlament.

Kjo gjë mund të na gëzoje dhe shpresojmë që Parlamenti ta marrë veten. Pra është impenjimi juaj, partive politike dhe kryetarëve…

Edhe kritikat tuaja na ndihmojnë që të përmirësohemi.

Shpresoj që të na dëgjoni z. Meta…

Mos u ankoni për dëgjueshmërinë nga ana ime.

Cili është opinioni që ju keni për reformat e qeverisë në këto dy vite z. Meta?

Janë bërë shumë reforma të rëndësishme. Do të veçoja reformën në sistemin e energjisë elektrike, sepse ka qenë një gropë e madhe. Falë kësaj reforme është bërë e mundur që sistemi të këtë mundësi të gjenerojë vetë financim për investime, sepse është një sistem i lodhur, është një sistem prej 50 vitesh me shumë telashe.

Reforma administrativo-territoriale, u harxhua mjaft kohë për realizimin e saj, sepse nuk ishte e lehtë dhe shpresojmë që ajo tani në zbatim të japë efektet që presin qytetarët shqiptarë, ku kryetarët e të gjithë bashkive dhe të gjithë këshillat bashkiake të marrin përgjegjësitë për ta kurorëzuar me sukses zbatimin e kësaj reforme, që ajo të preket realisht nga qytetarët dhe të përfitojnë shërbime me të mira, me standarde më të larta.

Njëkohësisht do të theksoja dhe reformën në administratën publike, që është një reformë që vlerësohet dhe nga BE-ja, por sigurisht dhe në luftën kundër trafikut të drogës, narkotikëve ka arritje të qarta. Padyshim, do të përmendja bujqësinë, janë bërë shumë punë në fushën e bujqësisë, edhe pse buxheti nuk ka qenë ai që duhej ose që unë mendoja se meriton zhvillimi i bujqësisë për shkak të peshës që ka. Të mos harrojmë se ka një rritje, një gjallërim të jashtëzakonshëm të prodhimit bujqësor, sidomos të eksporteve tona, të cilat po vlerësohen dhe kërkohen në tregjet më të mira ndërkombëtare e evropiane. Po bëhen reforma të rëndësishme edhe në fusha të tjera.

Keni një notë ?

Nota u takon qytetarëve, sepse natyrisht në këtë rast unë nuk jam në pozicionin as të mësuesit, as të arbitrit. Jam pjesë e një koalicion qeverisës.

Cili është realizimi i objektivave tuaj, ku keni arritur ju?

Është ecur shumë mirë. Ka rëndësi të ecet në kohë dhe me reformën në drejtësi dhe të ecim drejt çeljes së negociatave me BE-në. Ekonomia për mua është, ka qenë dhe do të jetë shqetësimi kryesor, që të gjithë duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje.

Qeveria nisi aksionin me tritol, aksione në prishjen e ndërtesave pa leje, aksionet e tatimorëve. Përballë këtyre masave shtrënguese ndaj qytetarëve, shërbimet nuk kanë ndryshuar. Në spitale ka probleme me ilaçet, me akomodimin, probleme shumë të mëdha. Premtimet për vende pune s’janë mbajtur. Ekonomitë familjare nuk kanë njohur përmirësim. Keni thënë në këtë studio se duhet të presim rezultat, pasi kjo është një gjë që ngjan pak me punën e bujkut që duhet të hedhë farën dhe të presësh që të korrësh çfarë ke mbjellë. Edhe sa duhet të presim akoma?

Thashë edhe përpara që ka vend për përmirësime, nuk ka vend për vetëkënaqësi. Mendoj që ka një pikë të fortë në raport me shumë politikanë që është realizmi dhe vlerësimi i gjërave në kontekstin e përgjegjshëm. Mos të harrojmë trashëgiminë e gjithë treguesve ekonomikë dhe fiskalë të vendit. Të mos harrojmë që kjo qeveri bëri jo pak dhe nuk mund të mos merrej me këto çështje që në fillim përsa i takon konsolidimit fiskal dhe viti aktual, meqenëse kemi kaluar edhe buxhetin, për herë të parë sjell disa parametra pozitiv në drejtim të uljes së borxhit, në drejtim të uljes së ndjeshme të deficit e kështu me radhë. Ju do të thoni po çfarë na duhen ne këto? Po natyrisht që na duhen. Sepse nuk është vetëm problemi për të patur një rritje 3.4 apo 3.5 për qind për këtë vit. Këtë vit mund edhe të sforcohemi edhe ta bëjmë 5-6 për qind e pastaj të kalojmë në kolaps vitet e tjera. Por bëhet fjala për një rritje gjithnjë e më të qëndrueshme dhe më pozitive në vitet që vijnë.

Njëkohësisht të mos harrojmë që konteksti rajonal është mjaft i vështirë. Dy partnerët tanë kryesorë, Italia dhe Greqia, ju i dini që kanë përjetuar goditje të forta ekonomike dhe financiare. Shumica e eksporteve tona shkojnë në ekonomi dhe ajo është në parametra mjaft modestë të rritjes ekonomike, ndoshta as 1 për qind. Kështu që në të gjithë këtë panoramë, nuk duhet të spekulojmë dhe të premtojmë apo të kërkojmë gjëra të cilat janë të parealizueshme në këtë kontekst, por absolutisht që ka vend për një administrim më të mirë, më transparent. Ka vend për një cilësi më të mirë dhe më të dobishme të shpenzimeve , të investimeve, për një luftë më të madhe ndaj korrupsionit, ndaj informalitetit, ka vend për të përmirësuar më tej klimën ndaj biznesit, e cila duhet të jetë një klimë akoma më e mirë, duhet të jetë një klimë akoma më bashkëpunuese dhe natyrisht transparente.

A është ajo e tillë për momentin? E dimë që biznesi tani është në një farë oponence me qeverinë për masat shtrënguese apo jo?

Është në këtë situatë sepse edhe qeveria ka qenë e detyruar. Ka një marrëveshje me FMN. Nuk është një marrëveshje e lehtë sepse e tillë ishte dhe trashëgimia. Por bashkë do ta kalojmë. Qeveria , biznesi, qytetarët. Puna është që këtë situatë ta kalojmë me një mënyrë me një kosto sa më të ulët dhe mundësisht duke dëmtuar sa më pak qytetarët e thjeshtë, ata që janë të pamundur, ata që i kanë më shumë vështirësi dhe sa më shumë probleme.

Nuk ka rritje rrogash, nuk ka rritje pensionesh për buxhetin e vitit 2016, të vështirë do ta kenë qytetarët apo jo?

Dakord, patjetër, por të mos harrojmë që Greqia sa i ka ulur rrogat, sa i ka ulur pensionet, e kështu me radhë.

Por ta deklarojmë se jemi në krizë atëherë pse ne nuk e themi?

Të deklarojmë se jemi në krizë?! Me krizë varet se ç’kuptojmë me krizë?

Greqia ka 3 vjet që deklaron se është në recension. Ne nuk themi as që kemi krizë…

Varet se ç’kuptojmë me krizë. Kjo është një çështje debati. Por absolutisht që situata ekonomike është në një përmirësim të vazhdueshëm. Ne dëshirojmë të jetë më i shpejtë. Këtu duhet punuar.

Nuk kemi parë investime të mëdha këtu në Shqipëri, në energjetikë, në industri minerare, në turizëm nuk kemi parë vepra të mëdha. Çfarë ju bën juve optimist?

Unë besoj se kemi bërë dhe shumë ndryshime e përmirësime në legjislacion dhe për investime strategjike, për lehtësitë e tyre dhe në fushën e turizmit që do të japin dhe rezultatet e tyre. Në energji janë dhënë sinjale të qarta. Të përmirësimit. Unë besoj se do të vijojnë dhe në fushat e tjera.

A janë më mirë ekonomikisht shqiptarët në dy vitet e qeverisjes socialiste. A janë më të kënaqur. Ju si e ndjeni, thatë pak më parë se jeni optimist si politikan. Besoni se janë më të kënaqur shqiptarët z. Meta?

Tani unë e kuptoj që ti do patjetër të më fusësh konflikt me qeverinë ose të më futësh në konflikt me qytetarët. Unë mendoj se të gjithë bashkë do ta kalojmë këtë situatë që nuk është një situatë e lehtë. Meqë nuk është thjesht një situatë shqiptare. Se kam dëgjuar jo do ulim taksat, jo do bëjmë këto, jo do bëjmë ato e kështu me radhë. Tani vendi ka nevojë për stabilitet, ka nevojë për të përmirësuar qeverisjen. Ka nevojë për të dëgjuar më shumë shqetësimet dhe problemet e biznesit. Ka nevojë për më shumë optimizëm, për t’i dhënë më shumë besime dhe sipërmarrësve, edhe qytetarëve. Dhe natyrisht për t’i dhënë edhe më shumë besim, ka nevojë edhe për një transparencë më të madhe, por dhe për një bashkëpunim më të mirë pozitë-opozitë, sepse edhe ai qameti i së enjtes me akuza dhe me këto përplasjet, apo çdo ditë konferencat e shtypit, hidh tym njëri e hidh mjegull tjetri, nuk i shërbejnë kësaj klime. Prandaj e theksova ekonominë. Të përqendrohemi çfarë do të duhet të përmirësojmë më shumë te bujqësia. Çfarë do të duhet të përmirësojmë më shumë tek turizmi. Sepse ne më shumë të ardhurat i lënë shqiptarët jashtë duke ikur për turizëm se sa po i fitojmë nga turistët që vijnë.

Jeni dakord me politikat koncensionare të qeverisë, sidomos në shëndetësi?

Unë jam dakord me çdo politikë transparente, me çdo politikë të ligjshme dhe me çdo politikë ku privati investon dhe përmirëson shërbimin dhe jo thjesht fitojë për vete apo aq më tepër nga buxheti i shtetit. Pastaj për konkretisht kjo është çështje ekspertësh për të parë çështjet konkrete. Jam për partneritetin publik privat që duhet ta shfrytëzojmë më mirë edhe në sektorin publik. Por mendoj që këto çështje që thatë ju… Unë përmenda turizmin, ju përmendët shëndetësinë. Shqetësime të tjera, ne këto çështje duket ti kemi në qendër të vëmendjes dhe të debatit. Po të kemi gjithë ditën ky vodhi aty, ky vrau aty, ky preu aty, jo vetëm që po e kriminalizojmë politikën dhe shoqërinë, por ne po e shterpësojmë atë mendimin racional, krijues. Përmirësues që do ta çojë vendin përpara.

Në zgjedhjet e 2017-s, nëse PD fiton zgjedhjet, z. Basha ndoshta do të jetë Kryeministër dhe do t’i duhet koalicioni. A do të jeni i gatshëm të bëni koalicion?

Kjo është një pyetje për 2017-n. Nuk është një pyetje për tani.

 

    1. Basha i është përgjigjur. Doni ta dëgjoni?

 
Unë jam dakord me çdo përgjigje që ka dhënë z. Basha.

Ta dëgjojmë atëherë?

Jo, s’ka nevojë ta dëgjojë. Jam dakord me çdo përgjigje që ka dhënë z. Basha. Nuk kam asnjë shqetësim, unë nuk kam këtë shqetësim, unë kam shqetësim si të përmirësohen gjithë këto çështje që ne ngritën që preokupojnë qytetarët shqiptar deri në 2017. Pastaj janë qytetarët ata që do të gjykojnë se cilin prej nesh. Por çdo të mirë dhe të keqe në këtë vend shqiptarët do ta kalojnë bashkë, s’ka rëndësi a janë demokrat, a janë socialist, a janë me LSI-në, a janë me Partinë Republikane dhe ekonomia kombëtare është në fund fare është një shumatore ekonomike dhe familjare.

Meta i sulmuar është kjo pjesë e intervistës, pse jeni në qendër të sulmeve, unë ju pyeta pak më parë, thatë ndoshta nga rritja e LSI-së…

Çfarë t’i bëj unë, nuk e ndal dot rritjen e LSI-së. Sa më shumë sulmohem unë dhe LSI-ja, kuptohet, se ju përmendët që nga 2008, Kodi, nuk e shmangim do t këtë gjë.

Është vetëm kjo arsye?

Nuk e di çfarë arsye tjetër ka, unë jam shumë i sjellshëm me të gjithë, jam korrekt me të gjithë, nuk e di.

Keni edhe moton tuaj, “me qetësi dhe me dashuri” dhe nuk ishit as i qetë as i dashur me gazetarët e “Zërit të Amerikës”, madje u komentuat si i gjendur në një moment në befasi, me humbje qetësie?

Nga kush? Ju e keni parë vetë? Po çfarë humbje qetësie pati nga ana ime se nuk e kuptoj?

Unë mund të them që me qetësi dhe me dashuri nuk ishte ajo intervistë, nuk karakterizohej fare nga këto dy togfjalësh që ju i keni për zemër…

Së pari do të ishte mirë meqenëse ju keni monitorin, mund ta kishit vendosur aty për të parë reagimin e koleges tuaj, në qoftë se e meriton ajo të quhet kolege e juaj në kuptim të profesionalizmit, dhe reagimin tim. Unë kam qenë në një studio shumë normale, i hapur për çdo pyetje, pyetje të lehtë, të vështirë për çdo kritikë, madje kam dëgjuar ca marrëzira.

Çfarë ju shqetësoi, vila Lalzit, pasuritë tuaja, pasuritë e politikanëve, akuzat për korrupsion, makina e shtrenjtë?

E para një herë mua nuk më shqetëson asgjë sepse kamë dëgjuar gjëra shumë më të mëdha dhe shumë më të rënda. Mua më shqetëson që shpërdorohet një studio e nderuar dhe e respektuar për qëllime, që unë do të thosha s’kanë asnjë lidhje me profesionin dhe me misionin e një gazetari.

Së dyti mua më shqetëson mungesa e profesionalizmit dhe mungesa e respektit, jo për Ilir Metën, sepse nuk ka asnjë shqetësim, por edhe për atë që përfaqëson Ilir Meta kur vjen në një studio, që është Kryetari i Kuvendit apo që është kryetari i një force politike. Nuk mua më shqetëson asnjë pyetje dhe nuk bëj kompromise me gazetarët, që unë do të vij këtu, por mos më pyet për këtë apo mos më pyet për atë.

Pyetja është pronë e gazetarit, përgjigja është përgjegjësi e imja, por nëse një gazetar vjen e të thotë që kjo kompania ka thënë kështu, kur kompania ka thënë tjetër gjë, kur një gazetar thotë që ju keni një makinë të shtrenjtë, kur unë nuk kam asnjë makinë private, për arsye se për shkak të funksioneve private nuk kam pasur dhe nuk kam makinë private. Di t’i jap makinës, por nuk kam ndërmend t’i jap, sepse ngaqë më duhet edhe të mendoj, edhe t’i përgjigjem celularit dhe nuk mund t’i bëj të gjitha punët bashkë.

Kur më thotë që paskam unë një shtëpi në Lalëz dhe ky qenka një problem i madh. Unë aty e kam shtëpinë, e kam prej kaq kohësh, nuk kam ndonjë gjë për të fshehur. Dhe qenka çudi e madhe që një politikan shqiptar bëka pushime në Lalëz apo në Velipojë, apo në Shëngjin, apo në Golem, apo në Sarandë, por nuk i bëka në Dubai, në Maldive, në Mauritius, në Bahamas apo ku e di unë, ku shkojnë shumë shqiptarë dhe gëzohem që ata shkojnë dhe që i shikojnë këto gjëra. Një politikan që nuk di të luajë as kazino, as në baste, etj., dhe një politikan që përgojohet dhe përflitet në këtë mënyrë kaq joprofesionale për të mos thënë ndonjë gjë tjetër, i cili nuk ka se çfarë të fshehë, sepse jeton këtë vend dhe do të jetojë këtu gjithmonë, meqenëse përmende këtë punën e shtëpisë në Lalëz.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button