Dromca nga përditshmëria (II)

Përditshmëria është përplot gjëra të trishta, që duam t’i harrojmë sa më shpejt. Ndodhin dhe gjëra të bukura, të papërsëritshme, që do të mbeten përgjithmonë në kujtesë. Le të fillojmë me gjërat e bukura. Pastaj le të qeshim me skenat komike të përditshmërisë sonë, ku mbizotëron e frikshmja e bukur. Humori është i domosdoshëm. Është armik i shoqërive autoritare dhe i çtensionon situatat e rënda në shoqëri.

***

Ndër gjërat e bukura është libri poetik “Nga mështeknaja e babait, me mallëngjim, i Lindita Ahmetit, i botuar nga “Portalb”. Fat i madh për letërsinë tonë që ka një poete si ajo. Libri: një mrekulli estetike, realitet i thellë simbolik, i sajuar me hirin e miteve të lashta sa njerëzimi dhe me imazhet e botës sonë. Një libër që nuk është i lehtë për t’u lexuar pa parapërgatitje; si çdo libër i veçantë, i thellë, shumështresor, ku janë dendësuar grimca mitesh të kulturave të ndryshme, që na flasin me gjuhë të harruar shenjtësh e hyjnish. Një libër që duhet lexuar dhe pas një kohe duhet rilexuar. Një libër nga një poete që Hyi nuk ja kurseu dhuntinë krijuese.

Përtej qarqeve letrare ky emër i veçantë i letërsisë sonë njihet pak. Ky emër do të njihet edhe kur të jenë harruar shumë protagonistë të kohës sonë, që flasin shumë dhe ende nuk kanë thënë diçka të re. Lum ajo letërsi që e ka një poete si Lindita Ahmeti dhe mjerë ajo kulturë që nuk di ta çmojë një dhuratë të këtillë!

***

Poeti i veçantë, miku im, Isuf Sherifi, kandidon në zgjedhjet kantonale të Zvicrës. Është i fisëm, i ndershëm, human. Po të kisha nënshtetësi zvicerane do ta votoja pa pikën e dilemës. E njoh poezinë e tij. E njoh shpirtin e tij. Kandidatë të këtij profili krijojnë imazh. Të ngjashmit do t’i përkrahja publikisht edhe në zgjedhjet e këtushme, sikur të votohej me lista të hapura. Mjerisht, këtu, mendjet e mbyllura nuk duan lista të hapura, prandaj kemi shumë mendje të robëruara, që thonë haptas marrëzi të reja.

***

Shumë zhurmë për një libër. Është mirë kur flitet për libra, kur çmohet apo kritikohet. Arti zhvillohet në ambiente vlerësuese dhe aty ku ka atmosferë krijuese, thoshte Noli. Por nuk duhet ngatërruar artin me moralin. Ka kategori estetike dhe ka kategori etike. Arti vlerësohet me kategori estetike dhe jo me kategori etike apo etnike. Me sa di, institucione edukimi janë kopshtet dhe çerdhet.

***

Tani duhet ndarë do punë: tjetër gjë është të jesh atdhetar, diçka tjetër veprimtar dhe krejt diçka tjetër të jesh poet. Se po i ngatërruam gjërat i bie që ta akuzojmë mjekun pse nuk është futbollist i mirë dhe inxhinierin pse nuk është piktor apo pianist i zoti etj. Mos tentojmë me çdo kusht që ndonjë ardhetar të mirë ta shpallim poet kalibri apo një poet të mirë ta bëjmë hero kombëtar.

***

Ende nuk e kuptova shprehjen: “Poet me taban kombëtar”.

***

E ka thënë Horaci dhe e ka thënë bukur, se Horaci gjithmonë ka folur bukur: “Poetit nuk i lejohet të jetë mediokër”.

***

Me muzikë merren kokat më gjeniale. Ah, muzika jonë! Me të merren kokat më të budallafta!

***

Kohë shpirtrash të fosilizuar. E mjera gjuha shqipe!

***

E tha Dante Aligieri: “Asnjanësit e kanë vendin në ferr”. Në botën tonë asnjanësit jetojnë si në parajsë.

***

Sa vendosi intelektuali që ta kritikonte qeverinë, e caktuan kryetar të një këshilli drejtues.

***

Dikush mburrej me trimërinë e disa drejtuesve të institucioneve arsimore e kulturore, që shkonin në punë me revole. Gebelsi tha: “Ku përmendet fjala kulturë, nxirr revolen!”

***

Kur sheh disa që udhëheqin me institucionet e kulturës shqiptare, të kujtohet Juvennali, Satirat VIII: “Rarus enim ferme sensus communis in illa Fortuna”. Në shqip: “Rrallë gjendet mendja e shëndoshë në funksion të lartë”.

***

Pata bindjen se kisha shkruar libër koti. Pasi nuk u shit dhe nuk ju dha asnjë çmim besoj se ka ndonjë vlerë.

***

Mbani mend datat e panaireve të librit, që ta dini se kur janë botuar librat e disa autorëve!

***

Dikush shkruan për çmime. Më jep një cmim të të jap një lëvdatë e një recension! Artistët e vërtetë shpesh paguajnë çmime të shtrenjta për shkak të asaj që shkruajnë.

***

Gjendja nuk është zhgënjyese; po fillon telenovela e re.

***

Mund të kemi titujt shkencor e akademik, por vështirë merret titulli “zotni mësues“, “zonja mësuese“. Në kohë “shokësh” e “shoqesh” kishte zotni të vërtetë në shkollat tona.

***

Në Japoni mësuesi nuk i përkulet princit. Këtu mësuesi, i kërrusur nga hallet, i përkulet kryetarit të degës dhe të krandes partiake. Vende të ndryshme, zakone të ndryshme.

***

Miq të dashur, është koha t’i themi njëri tjetrit: Gëzuar 2016! Le të shpresojmë në një vit të mbarë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button