Studentët e USHT-së e përmbyllën semestrin dimëror me një koncert instrumental

Studentët e Programit studimor të Muzikës, më 28 dhjetor 2015, në sallën e Fakultetit të Arteve të Universitetit Shtetëror të Tetovës, organizuan një koncert me muzikë vokale-instrumentale. Ky aktivitet organizohet çdo fundvit me përmbylljen e ligjëratave për semestrin dimëror. Në këtë aktivitet studentor të pranishëm ishin Prorektori për Arsim i USHT-së, Prof. dr. Reshat Qahili, dekanë, senatorë, profesorë dhe studentë.

Shefi i Programit studimor të Muzikës, Bajramali Idrizi tha se ky koncert është bërë një traditë e mirë pasi që para auditorit performojnë studentët e Muzikës. ,,Ky është një koncert kryesisht me muzikë vokale-instrumentale dhe ka për qëllim që t’u jap mundësi studentëve që të performojnë para publikut, por është edhe një mundësi e mirë edhe për ata studentë të cilët për herë të parë dalin në skenë. Në këtë koncert performojnë bashkë, instrumentistët, flautistët, violinistët dhe shumë të tjerë. Dëshiroj t’i falënderoj edhe profesorët e Muzikës për punën e shkëlqyeshme që e realizojnë me studentët”, tha profesori Bajramali Idrizi.

Koncerti filloi me këngët ,,Trëndelinë”, ,,Hapi sytë e zi”, ,,Një lule” dhe ,,Kulla e Balshajve”, që u interpretuan nga Kori i Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Në këtë koncert performoi edhe orkestra e Fakultetit të Arteve, ku interpretuan studentët: Altina Destani, në solo këndim; Bejina Berisha, në flaut; Arlind Pajaziti, në piano; Dijana Osaj, në violinë; Elhan Memishi, solo këndim; po ashtu u shfaq pjesë nga opereta ,,Di Lustige Witwe”, e interpretuar nga Fjolla Iseni, e shoqëruar në piano nga Shkëlzen Baftijari. Ndërsa me kuartetin harkor performuan: në violinë, Zana Zumeri, Rezona Abdili, Nita Reci dhe Valentina Aliti; në violë, Enalda Shehu, Ardita Osmani; ndërsa në violonçel, Sara Sinani dhe Ardita Osmani.

Po ashtu këndoi edhe solistja Albana Smajli, ndërsa performoi edhe Kuarteti i Klarinetave i përbërë nga studentët Ramadan Osmani, Asim Osmani, Meriglen Zejneli dhe Ylber Thaçi. Vlen të theksohet se ky aktivitet studentor përcolli emocione të veçanta te publiku.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button