Papa dhe universiteti

Para disa ditëve, papa Françesku, lideri shpirtëror i botës katolike në meshën e Krishtlindjes në bazilikën e Shën Pjetrit, kritikoi materializmin dhe modernizmin si intoksinues të njerëzimit. Ai bëri thirrje që njerëzit të mendojnë më ‘esëll’, të zbulojnë identitetin e vet dhe të mos fiksohen pas ‘komsumerizmit, hedonizmit, pasurisë dhe ekstravagancës’, të jetojnë në modesti, të jeyojnë një jetë të devotshme, të mbushur me ndjeshmëri, dhembshuri dhe mëshirë (BBC). Qe disa shekuj racionalizmi, shkenca, industrializmi, individualizimi dhe shekullarizimi konsiderohen pesëshja e shenjtë që do ta shpëtonte njerëzimin, që do t’i sillte atij jetë më të mirë, më tepër pasuri, cilësi jetese, çmagjepsje (Weber), me një fjalë shpëtimin dhe lumturinë tash dhe këtu, e jo më vonë dhe atje. Por ama faktet nga jeta shoqërore flasin se moderniteti njeriut i solli vetëm bollëkun material dhe i mori shumë gjëra, ia dha çastin (Carpe diem) e ia mori vazhdimësinë (eternalitetin), ia dha lëndën e ia vodhi shpirtin, ia dërrmoi botën e brendshme, e bëri të brishtë dhe vulnerabël, të trazuar e të stërstresuar. E bëri atë armik me natyrën, me mjedisin. Pyjet e Amazonit të dërrmuara, Rajna e ndotur, Radika jonë ujekthjellët e rrezikuar. Tetova, kombinati i Jugohromit-Jegunovcës dhe qytete të makinave që dalin si ndotës të mëdhenj, si vrasës të ngadalshëm dhe latentë të të gjithë qytetarëve, nga fëmija në barkun e nënës deri te më plaku, bimësia e bota animale. Industria me moton “prodhim për konsum dhe konsum për prodhim” ka gjeneruar një botë të rrezikuar nga vetë ideja dhe dora e njeriut. You asked for it! – do të kishte thënë Art Baker, kreatori i showit televiziv që ka qenë në eter mes viteve 1950-1959. Atë që njeriu ia bën vetes, s’ia bën kush. Pra vetë e kemi kërkuar këtë gjendje pa rrugëdalje, kur edhe kryetarët e komunave duke mos parë zgjidhje, për ndihmë i drejtohen të Gjithfuqishmit. Kryetari i Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski shpëtimin e vetëm nga niveli i lartë i ndotjes së ajrit në kryeqytetin e Maqedonisë e sheh tek Zoti, pasi siç thotë ai “nëse nis të fryjë erë ndotja do të zhduket për pesë minuta”. Ngjallja e vetëdijes ekologjike është kusht. Duhet afirmuar modestinë. Në një fotografi, mbretëresha angleze duke zbritur nga autobusi urban. Dhe me shkronja të mëdha një koment: “Vend i zhvilluar nuk është ai ku edhe të varfërit ngjiten në makina, por ai ku edhe pasanikët hipin në autobus!” Tek ne nga tre vetura në një shtëpi. Me motoçikletë në kafenenë pranë shtëpisë.

Nëntema e dytë: universiteti i ri. Shqiptarët që nga 20 dhjetori janë më të begatë edhe për një universitet shtetëror, “Nënë Tereza”, në Shkup. S’do mend se institucionet e arsimit të lartë janë institucione të ngritjes dhe iluminimit të çdo bashkësie, të çdo kombi a shteti. Ka kohë që kuloareve qarkullonte ideja për këtë institucion që “s’u tha, por u bë” (Mexhiti). Në fakt ishte thënë se do të ruhej si një vendim-hap-akt spektakolar, që do të kishte jehonë të madhe te populli i pezmatuar goxha me partinë e shqiptare pushtetare. Dhe zërat pro dhe contra. Kultura e opinionit publik te ne është që kur diçka serviret nga “profetët” e politikës dhe më gjerë duhet thënë ‘amin’, pa analiza, pa feasibility study. Me përjashtim të ndërkombtarëve, të cilëve “ju lejohet” që të shprehin edhe mendimin ndryshe, siç thuhet se kishte ndodhur edhe lidhur me këtë çështje. Sidoqoftë, shumë pyetje u zhtruan lidhur me arsyeshmërinë, raportin gjendje aktuale në arsimin e lartë-universitet i tretë shqiptar në kryeqytet, kuadrin potencial (deficitin profesional) e të tjera. Paqartësi u shpërfaqën edhe për lingua sacran e tij, kombëtar, shqip, maqedonisht, anglisht, trilingual… Një pjesë e analistëve u shprehën se Shkupit po i kthehej borxhi për tetovizimin e akademisë-universitarizmit shqiptar në këtë vend, “këtij gabimi të bërë nga lidershipi politik i të së kaluarës tranzicionale”, kur kryeqytet ishte i ngushtë për frymim të lirë shqip. Sot, siç e dimë në Shkup funksionon edhe UEJL edhe USHT (apo UT-ja e së kaluarës dhe e së ardhmes). Kur të merret parasysh fakti se një pjesë e studentëve mësojnë në shkollë fillore bashkë me vocrrakët, që është në kontradiktë me të gjitha normat e kulturës arsimore universitare, në kushte substandarde, kur merret parasysh perceptimi i ekspertëve, studentëve dhe qytetarëve për kualitetin, shtrohet pyetja vallë mos është (për)shpejtuar pak procesi për këtë entitet të ri të hartës tonë arsimore. Votimi në Bordin për akreditim, një rrëfim në vete. Kundërshtim tradicional i zëshëm i antarëve maqedonas dhe më pas zbutje e çuditshme e përnjëhershme dhe aprovim. Hajde të jemi optimistë dhe të shpresojmë në demonopolizimin e këtij institucioni që duhet të jetë i profesoratit dhe shkollarëve të mirëfilltë, jo i marketingut, partizimit dhe i politizimit edhe të sferave që në asnjë mënyrë s’duhet politizuar. Vend i qytetëruar është ai ku ekziston institucioni i llogaridhënies, i ekzaminimit, i kritikës konstruktive dhe qëllimmirë dhe jo i euforisë. Jemi ngirë me neokombëtarizma dhe fast-patriotizma! Na jepni vizion, cilësi dhe konkurrencë avancuese, mes vete dhe me të tjerët. Jo art për art. T’i rregullojmë punët prej poshtë lart. Në librat e fillores fëmijët tanë mësojnë se Shqipëria është shtet sllav, projekti 1000 libra me përkthime hiperskandaloze! Mos na flisni për evaulim, por për evaluim(e). Dhe në fund, lidhur me universitetin në fjalë dhe ministrinë, një diçka që mësova nga një student imi i shkencave politike gjatë leksionit të fundit semestral, një idiom i gjuhës angleze: Break a leg! Uratë për sukses është. S’ka të bëjë me këmbëthyerjen. Për veten time: Life-long learning (Mësim sa të jesh gjallë!), apo jo? Prej çdokujt. Faleminderit e shumëvyeshmja Gentiana!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button