Maqedoni: Bllokohet debati për çështjen e mediave

Bisedimet për çështjen e mediave mes katër liderëve politik në Maqedoni, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit ndërkombëtarë Piter Van Hojte , mbeten të bllokuara tërësisht, edhe pse çështja e mediave vlerësohet si një nga shtyllat kryesore të marrëveshjes politike veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me krijimin e kushteve për organizimin e zgjedhjeve në një frymë demokratike, shkruan REL.

Gazetarët thonë pika më e ndjeshme mbetet reformimi i servisit publik i cili duhet të shërbej si model për funksionimin e mediave komerciale si dhe ndërprerja e tërësishme e reklamave të qeverisë në mediat private.

“Rëndësia e medias publike është shumë e madhe në shoqëri, sepse media publike është ajo e cila nuk duhet të ketë presionin financiarë dhe ky fakt median e bënë të jetë më e pa varur, flas në aspektin teorik dhe gjithashtu ky medium duhet të trajtojë ato çështje që mediat komerciale për arsye të ndryshme nuk mund ta bëjnë këtë”.

“Në këtë kontekst kur plotësohen këto dy kushte media publike merr një rëndësi të madhe në shoqëri, dhe shëndrrohet në një model informimi po edhe një një model edhe për programet e tjera strukturore të cilat janë të rëndësishme për shoqërinë” ,thekson Nazim Rashtiti gazetar, sipas të cilit reformimi i medias publike është i mundur vetëm nëse partitë politike shprehin vullnet politik për të pranuar konceptin e heqjes dorë nga puna e mediave.

Ndërkaq Zhaneta Trajkovska nga shkolla e Lartë e Medias në Shkup, thotë se pavarësia mediave është e mundur vetëm nëse ata heqin dorë nga mjetet të cilat deri më tani i kanë shfrytëzuar nga buxheti i shtetit duke reklamuar politika të caktuara të qeverisë.

“Përderisa nuk kemi një qasje serioze për të definuar qartë se në cilat mënyra mediat mund të marrin mjete nga buxheti i shtetit, përkatësisht çka ata duhet të reklamojnë sa u përket politikave qeveritare duhet të ndërpritet praktika e financimit të mediave të caktuara për emetimin e reklamave qeveritare”.

“Më duhet të theksoj se përderisa mediat në njërën anë “flirtojnë” me pushtetin për të siguruar mjete nga arka e shtetit dhe nga ana tjetër ankohen nga ndikimi i politikës në përbërjen programore, në esencë asgjë nuk mund të ndryshohet”, thekson Zhaneta Trajkovska nga Shkolla e Lartë e Medias në Shkup.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani,konsideron se ndërprerja e menjëhershme e reklamave shtetërore në mediat private para dhe pas zgjedhjeve, do t’i detyrojë ata që mos bëhen vasalë të partive në pushtet.

“Me mosfinancimin e mediave të caktuara private nga arka e shtetit përmes emetimit të reklamave për politikat e qeverisë, atyre do tu dërgohet një porosi e qartë, se nëse dëshirojnë të mbijetojnë në eterin mediatik ata duhet të mësohen të mbijetojnë në bazë të programeve cilësore të cilat do të kenë audiencë të lartë, sepse në fund të fundit asnjë parti politike nuk është e interesuar të jap para nga buxheti i partisë, por mediat thënë kushtimisht “blihen” nga ana e partive në pushtet, me paratë e pupullit të mara nga buxheti i shtetit”, është shprehur Naser Selmani.

Vlen të theksohet se dallimet kryesore mes partive kanë të bëjnë me kompetencat e Agjencisë së Mediave që duhet të jetë organi kryesor për mbikëqyrjen dhe rregullimin e punës së mediave.

Përveç për agjencinë, partitë po diskutojnë edhe për servisin publik, shkarkimin e drejtuesve aktual dhe mënyrat për zgjedhjen e organeve të reja.

Ndërkohë gazetarët theksojnë se problemi kryesor rreth debatit që po zhvillohet për mediat, qëndron në atë se u është lënë në dorë partive që të rregullojnë çështjen e mediave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button