Isa Boletini, shtatorja më 23 janar vendoset në Saraj
Familja Boletini sot kishin ardhur nga Kosova në Saraj të Shkupit. Ata janë ftuar për tu informuar lidhur me vendosjen e shtatores së heroit kombëtar, Isa Boletini në lokacionin e njohur si “Sheshi i Flamurit” në këtë komunë. Gazmend Boletini, stërnip i Isa Boletinit thotë se ndjehet shumë i lumtur që pas Kosovës e Shqipërisë më në fund edhe në Maqedoni po vendoset busti i stërgjyshit të tij, njofton TV 21.
Nga komuna e Sarajit informojnë për fillimin e fazës së parë të rikonstruimit të sheshit dhe vendosjes së shtatores. Dhe për këtë projekt janë ndarë 18 milionë denarë.
Shtatorja me gjatësi prej 3.6 metra është realizuar nga skulptori durrsak, Idriz Balani, ndërsa ajo do të përurohet më 23 janar të vitit të ardhshëm në kuadër të 100-vjetorit – ditës së vrasjes së tij. Kjo shtatore në këtë komunë vjen pas asaj të komandantit të UÇK-së, Adem Jashari në fshatin Radushë të komunës së Sarajit.