Ligjet për media do ta legalizojnë censurën

Përfaqësuesit e mediave shprehen të ndarë rreth marrëveshjes së Qeverisë dhe Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, të arritur pak ditë më parë për vetëm tre çështje kontestuese në Ligjin për mediat, në veçanti për mos përfshirjen e ueb portaleve në këtë ligj.

Nga Fondacioni për Internet dhe shoqëri – “Metamorphosis”,  theksojnë se ngjarjet e fundit rreth propozim-ligjit për media dhe gjoja marrëveshja e arritur ndërmjet Ministrisë për shoqëri informatike dhe administratë dhe Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë, për ndryshime në tekstin e propozuar të ligjit, padyshim tregojnë se qeveria dëshiron, para festave të Vitit të Ri, shpejt, prapa dyerve të mbyllura, pa debat të gjerë publik dhe pa vëzhgim ndërkombëtar, ta miratojë ligjin për media. 

Nga “Metamorphosis”, nuk deshën t’i komentojnë pasojat e mundshme nga mos përfshirja e ueb portaleve në ligjin për mediat, pasi siç theksojnë ata, zgjidhjet e propozuara ligjore në përgjithësi cenojnë lirinë e mediave dhe hapin rrugën për një kontroll akoma më të madh mbi mediat dhe gazetarët në vend. Për “Metamorphosis”, zgjidhja e vetme e pranueshme është qeveria t’i tërheq propozim-ligjet dhe të krijojë ambient për funksionim të lirë të mediave dhe gazetarëve në Maqedoni.

Nga ana tjetër Petrit Saraqini nga Instituti Maqedonas për Mediat vlerëson se :  “Përveç për mediat audiovizuale, nuk ka nevojë për legjislacion tjetër mediatik.  Mediat e Internetit, si dhe çdo media tjetër, janë të përfshira me shumë ligje të tjera. Mirëpo, pasojat e lënies jashtë të mediave të Internetit nga kjo legjislaturë e gjymtuar që po ofrohet, në qoftë se mbeten definicionet për mediat dhe profesionin gazetar mund te jenë të papritura, dhe të shtojnë problemet”.

Si probleme eventual,  Saraqini thekson:  “Mund dikush mos të akreditojë këto media, të kufizohet veprimi i tyre me akte nën-ligjore, të vështirësohet raportimi, ndoshta edhe reklamimi. Mirëpo, të gjitha këto janë  tentime të kota për të bërë presion dhe për të kufizuar ndikimin mbi një entitet siç është Interneti i cili është i pakontrollueshëm në këtë mënyrë, dhe do të jetë joproduktiv mu për ata që tentojnë që të zbatojnë këtë manovër”.

Kryetari i SHGM-së Naser Selmani, thekson se mos përfshirja e ueb portaleve në ligjin për media ka qenë qëndrim unanim i të gjitha organizatave të gazetarëve dhe të mediave. Selmani për Portalb thekson se zërat për ndikime negative nga lënia anësh e ueb portaleve nga ligji për mediat nuk mbajnë.

“Pati një deklaratë të papërgjegjshme në opinion se gazetarët që punojnë në ueb portale nuk do të trajtohen si gazetarë dhe nuk do të mund t’i gëzojnë të gjitha të drejtat e një gazetari. Ky është një mashtrim i paskrupullt i njerëzve të papërgjegjshëm për të shqetësuar gazetarët që punojnë në portalet informative. Kjo gënjeshtër u plasua për të minimizuar rezultatin e SHGM për të mbrojtur portalet nga përzierja e shtetit në punën e tyre. Mediat e shtypura dhe të internetit deri tani nuk kanë qenë pjesë e ligjit dhe askush nuk i ka penguar ato në punën e përditshme. Ata po ashtu janë trajtuar njësoj sikur mediat radiovizuale, të cilat rregullohen me ligjin për veprimtari radiovizuale. Kolegët e portaleve do të kenë të gjitha të drejtat dhe obligimet që ka një gazetar profesionist”, theksoi Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.

Selmani theksoi se: “Pavarësisht marrëveshjes  së arritur me qeverinë, SHGM-ja nuk ka hequr dorë nga asnjë qëndrim i deklaruar më herët në opinion lidhur me ligjet e mediave. Ne vetëm përkrahëm gatishmërinë e qeverisë për të pranuar tre vërejtjet tona, dhe njëkohësisht theksuam se nuk jemi të kënaqur që ajo nuk i pranon edhe vërejtjet e tjera”.

Selmani shtoi gjithashtu se SHGM-ja do vazhdojë të kundërshtojë miratimin e ligjit për media, shpenzimin jo-transparente të mjeteve publike në media, zgjidhjet për agjencinë për media dhe RTVM-në, si dhe të kundërshtojë dënimet e larta dhe definicionin gazetar. “Për të gjitha këto çështje në të ardhmen do bëjmë çmos që është në fuqinë tonë që ta detyrojmë qeverinë që t’i pranojë, duke pasur mbështetjen  e hapur të faktorit ndërkombëtarë, e cila do të ndihmojë për zgjidhjen e këtyre çështjeve të hapura”, shtoi Selmani.  

Pak ditë më parë Qeveria dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ranë dakord  të mos rregullohen me ligje, gazetarët të kenë një përfaqësues në Agjencinë për Media. Gjithashtu dispozitat që kanë të bëjë me ndalesat e veçanta, të plotësohen me qëndrimin se çdo kufizim i mediave duhet të jetë në përputhje me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Qeveria mori përsipër përfshirjen e këtyre qëndrimeve në dy ligjet për mediat që janë në procedurë parlamentare me anë të amendamenteve, menjëherë pas miratimit të tyre, respektivisht deri në fund të muajit janar 2014. 

  

Lajme të ngjashme

Back to top button