Pranga ish-truprojës së Berishës

Policia e Tiranës ka vënë në pranga ish-gardistin Fatos Skeja, së bashku me shtetasin Gojart Loci. Burime nga policia bëjnë me dije se arrestimi i Skejës është bërë pas vendimit të gjykatës, e cila ka vendosur masën “arrest me burg” për gjobëvënie.

Ish-truproja i familjes Berisha, pjesë e “grupit të zjarrit” në ngjarjen e 21 janarit, akuzohet se ka gjobitur me 100 milionë lekë biznesmenin shqiptaro-amerikan, Ramazan Hima.

Ngjarja ka ndodhur në muajin gusht të këtij viti, ku biznesmeni nga Kalaja e Dodës, me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka denoncuar se persona të paidentifikuar i kishin vënë gjobë 100 mijë euro. Ai ka deklaruar për policinë se prej vitesh jeton në SHBA, ku ka në pronësi tre hotele dhe që me anë të telefonit, e kishin kërcënuar me jetën e familjarëve të tij, duke i kërkuar 100 mijë euro.

Madje, ai ka shpjeguar se autorët e kishin kërcënuar seriozisht me jetë, duke i lënë të kuptojë se ia njihnin mjaft mirë familjen, dhe e kanë urdhëruar të paguajë paratë dhe mos të njoftojë policinë. Në këto kushte, denoncuesi ka kërkuar ndihmën e policisë për identifikimin e autorëve të shantazhit që po kryhej ndaj tij. 

Pas marrjes së denoncimit, Policia e Tiranës dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Nëpërmjet forcave të sektorit të operacioneve speciale u organizua aksioni për “dorëzim të kontrolluar” të parave në afërsi të malit të Dajtit. 

Paratë janë lënë pranë rrugës që të çon drejt malit të Dajtit dhe policia ka mbajtur nën vëzhgim zonën. Pas kësaj ka nisur aksioni për kapjen e autorëve. Një makinë, në të cilën udhëtonte vetëm një person, i është afruar vendit ku ishte lënë çanta me para, e ka marrë dhe është larguar.

Policia i është vënë pas, por autori duket se ka nuhatur ndjekjen dhe e ka braktisur mjetin bashkë me paratë. Nga verifikimi i automjetit që ka përdorur autori ka rezultuar se ishte në pronësi të prokurorit të Shkodrës, Xhevahir Lita. Grupi hetimor ka kontaktuar me të në lidhje me makinën dhe ai ka deklaruar se ia kishte shitur ish- gardistit Fatos Skeja. 

Skeja dhe Loçi po hetohen nga  Prokuroria e Krimeve të Rënda./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button