Pse?

Pse-të çdoherë më kanë munduar, më shumë se ç’duhet!
Me to jam rritur, sepse-të duke ua kërkuar!
Në njerëz kam lypur, në gjethe, në lumenj e drurë!
Pa e parë veten, e di që s’kam pasur për t’i gjetur kurrë.
Mbi male kam dashur të hyp, qiellin për ta shpuar,
Mos do të rrjedhin poshtë përgjigjet për pse-të e mendjes sime të ngatërruar,
Shpirt endacak, me mendje të stërngarkuar!
Të gjithë thonë përgjigjet janë në libra,
Në libra janë çelësat e dyerve! Pa kërcyer në vorbullat e panjohura, s’u hiqen perdet syve!
Në një fytyrë, në një buzëqeshje mund t’i marrësh të gjitha kodet për të fshehtat e botës,
Në qenë për ty për t’i lexuar, papritmas do të hapet çdo derë ku ke trokitur!
Kërcëllimat që ke menduar, do të jenë zë sirenash që të ndjellin papritur!
Mbaje mend veten!
Të gjitha në i harrofsh!
Udhëve të stërshkelura kur të ecësh, me zemër drejt qiellit të gjitha gropat do t’i kalosh!
Pse veten e gënjejmë dhe s’dënohemi?!
Pse me gjërat që duam më së shumti lëndohemi?!
Pse nuk rrijmë të bardhë, por mbushemi me ngjyra?!
Një holi jo i shenjtë, as monstrumet në përralla s’kanë më shumë se tri fytyra!
Pse qielli s’bjen për të na përqafuar, sa kohë ka kaluar?!
Pse na do akoma toka, e mavijosur, sa shumë jemi lënduar!
Nga kanibalët e mishit tmerrohemi, pse bëhemi kanibalë shpirtrash?!
Pse-të janë në të përfunduar..
Pse qielli s’bjen për të na përqafuar, sa kohë ka kaluar!

Autore: Shqipe Palloshi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button