Skifteri Graham tërhiqet nga gara republikane, por del si fitimtar?

Disa debate me rradhë të “ligës së dytë” republikane me konsensus i pat fituar senatori Lindsi Graham, por siç thamë pas debatit të fundit fitorja nuk i i ndihmoi atij aspak.

Prej dje fusha republikane mbetet edhe pa një kandidat për president. Senatori nga Karolina e Jugut, Lindsi Graham, përfundimisht tërhiqet nga gara. Shkas kryesor padyshim është fakti që gjatë gjithë kohës sa ishte në garë ai nuk arriti as 1% rejting, ndërsa në fund qëndronte në 0,5% në nivel nacional. Graham madje nuk arriti të regjistrojë përkrahje minimale as në dy shtetet që votojnë të parat, Ajova dhe Nju Hempshër, aq të duhur për të stimuluar kandidaturën e mëtejshme. Ditën e fundit ai kuotonte vetëm 0,2% në Ajova dhe 0% në Nju Hempshër. Çështë më e keqja ai po pësonte debakël edhe në shtetin e tij, që përndryshe voton i treti. Në Karolinën e Jugut, ku është i popullarizuar si senator, garën e përfundoi me rejting mesatar 1,7%. Në bastore vazhdimisht i jepnin koeficient 0%.

Biografia. Lindsi Graham vjen nga një familje e mesme nga Karolina e Jugut. Ai ishte i pari i familjes që mbaroi fakultet dhe më pas vazhdoi karrierën në ushtri, në forcat ajrore amerikane. Në vitin 1994 zgjidhet në Dhomën e Ulët të Kongresit amerikan nga njësia 3 e Karolinës së Jugut, i pari republikan që fiton këtë njësi që nga viti i largët 1877. Në Dhomën e Ulët shërben deri në 2002, kur zgjidhet për herë të parë në Senat. Rizgjidhet edhe dy herë, në 2008 dhe 2014. Herën e fundit ju desh të përballet me konkurrencë brenda partisë republikane, pasi u kontestua ashpër nga fraksioni i Partisë së Çajit. Megjithatë arriti të fitojë zgjedhjet brendapartiake me 57%, ndërsa në zgjedhjet e përgjithshme mundi konkurrentin demokrat me 55%. Vazhdon karrierën në Senat ku ka mandat deri në vitin 2020.

Fushata. Në Dhomën e Ulët dhe në Senat Lindsi Graham është pjesë e fraksionit të moderuar. Është fokusuar kryesisht në politikën e jashtme dhe në çështjet ushtarake. I afërt me senatorin Xhon Mekejn, ai është pjesë e grupit të skifterëve, duke propaguar përherë politikë të jashtme agresive.

Në mënyrë të njëjtë udhëhoqi edhe fushatën e shkurtër presidenciale, duke u preokupuar kryekëput me këto tema. Gjithsesi do të mbahet mend si i vetmi që prej fillimit dhe pandërprerë sulmoi Trampin, madje duke i thënë haptazi “vafsh në ferr”.

Pse lëshon garën si fitimtar. Sipas mënyrës si zhvilloi fushatën dhe sipas bashkëpunëtorëve të tij të afërt, Graham nuk kishte hyrë në garë për të fituar. Para disa muajve Graham ndihej i alarmuar nga kthesa drejt izolacionizmit që kishte marrë partia republikane pas debakleve në Lindjen e Mesme. Sidomos e shqetësonin qëndrimet izolacioniste të Rend Polit dhe mundësia që ky të fitonte garën republikane ose të paktën të dirigjonte debatin. Mu për këtë Graham ju fut garës vetëm e vetëm që të fuste me çdo kusht temën e politikës së jashtme intervencioniste në debat. Motivacion shtesë për të qëndruar në garë ishte Tramp, i cili u fut në garë disa muaj pas tij.

Në këtë drejtim Graham ia arriti qëllimit, me ose pa meritën e tij. Ngjarjet në Paris dhe Kaliforni rivunë në qendër të vëmendjes terrorizmin dhe politikën e jashtme dhe rikthyen republikanët kah politikat neokone të kohës së Bushit. Prandaj mund të thuhet se Graham del nga gara në një situatë krejt tjetër nga ajo kur u fut, gjithsesi situatë më të kënaqshme për të.

Si ndikon tërheqja e tij te kandidatët tjerë. Graham nuk kishte ndonjë përkrahje për të thënë, kështuqë nuk mund të flasim për atë se në cilën anë do të shkojnë votuesit e tij. Megjithatë tërheqja e tij mund të ndikojë në dy mënyra tjera të rëndësishme.

Së pari Graham është i popullarizuar dhe i dashur në qarqet e establishmentit republikan. Një pjesë e mirë e establishmentit, sidomos ata nga Karolina e Jugut, nuk kanë mbështetur asnjërin kandidat për hir të respektit që kanë për Graham. Tani që Graham nuk është më në garë, ata mund të dalin haptaz në krah të ndonjërit kandidatët tjetër.

Në këtë pikë më i rëndësishëm është faktori Mekejn. Ish-kandidati republikan për president i vitit 2008 është mik i afërt i Grahamit dhe është i vetmi që përkrahu haptazi kandidaturën e tij. Tani Mekejn është i lirë të mbështesë dikë tjetër. Pesha e Mekejn është e madhe. Ai është akoma i dashur në qarqet republikane, sidomos në Nju Hempshër ku kishte fituar gjatë kandidaturave të tij në 2000 dhe 2008.

Së dyti Graham ka një rrjet të fuqishëm politik në Karolinën e Jugut, të njohur si “makineria e Grahamit”. Karolina e Jugut është e rëndësishme në garën brendapartiake, pasi ajo voton e treta, menjëherë pas Ajovës dhe Nju Hempshër. Pjesëtarët e kësaj makinerie, e ndoshta dhe Grahami vetë, së shpejti mund të vihen në shërbim të ndonjërit nga kandidatët e mbetur të establishmentit (Rubio, Bush apo Kristi) dhe me këtë t’iu japin shtytje të fuqishme për të fituar garën. Mund vetëm të jemi të sigurtë se kjo nuk do të shkojë në favor të Trampit, Kruzit ose Karsonit, ashtu siç ishte dhe qëllimi i Grahamit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button