Krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk luftohen me fjalë, por me veprime konkrete

Ta çojmë në vend amanetin e “CLOWN-it”!

Vargjet e rok-grupit “Troja” bëhen më aktuale se kurrë!

Duhet ta mbështesim bashkësinë ndërkombëtare, që të veprojë pa asnjë hezitim, me procedura të përshpejtuara për burgosjen dhe vënien para drejtësisë të të gjithë shkaktarëve politikë dhe parapolitikë (grupeve kriminale të nëntokës politike), që e sollën Kosovën në këtë gjendje mjeruese.

I kaluam 16 vjet duke ëndërruar, duke kënduar e vajtuar, duke gënjyer e zhgënjyer vetveten se një ditë do të bëhet mirë, se do të kemi zhvillim ekonomik, punësim dhe mirëqenie qytetare. Ëndërronim se një ditë do të bashkohet qyteti i ndarë i Mitrovicës dhe pjesës veriore…

Përgjatë këtyre viteve i “provuam” të gjitha mundësitë tona për të bindur (frikësuar) pushtuesin tonë verior të na lë Mitrovicën, por kot! Atë që nuk mundi ta bëjë shumë vite më parë ylli i muzikës shqiptare, e madhja Shkurte Fejza me këngën; “Jo nuk ndahet Mitrovica”, provuan ta bëjnë edhe liderët tonë përmes fushatave zgjedhore disa herë në vazhdimësi, derisa u konsumua në tërësi kjo çështje në fjalorin e tyre politik. Po i kthehem edhe një herë mesazhit të fuqishëm që shpërndau këngëtarja jonë e mirënjohur, në vargun e saj më kulmor në këngën e saj; “pa u farue me djem e çika, jo nuk ndahet Mitrovica”.

Komandantët varfanjakë, të shndërruar në milionerë!

Ky varg, për më tepër se mesazh, duhej të ishte si kushtrim mbarëkombëtar, mirëpo në kohën kur u lansua kjo këngë, mesazhi i saj duket të ketë qenë pak sa i vonuar, madje do të thosha edhe shqetësues për “bartësit” e luftës çlirimtare, tashmë të akomoduar mirë nëpër institucione shtetërore, të zhytur thellë në luksin përrallor që u solli liria!

Një situatë e tillë e krijuar e komandantëve (varfanjakë) të shndërruar  në milionerë, u bë shkak për iritim dhe thyerje shpirtërore të ish-luftëtarëve të lirisë, të cilët 16 vjet nga përfundimi i luftës të vetmin shpëtim ekzistencial për familjet e tyre e shohin Ligjin (diskriminues) për veteranët i aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ashtu si ndarja e Mitrovicës që nuk ishte e rastësishme (e planifikuar), edhe veprimet e mëpastajme të pasluftës ishin të planifikuara dhe të koordinuara nga Serbia, Rusia me një pjesë tjetër e bashkësisë ndërkombëtare.

Orientimi i shqiptarëve kah shtetet turke-arabe-aziatike, ishte thikë me dy tehe dhe për arritjen e tri qëllimeve kryesore të armiqve tanë:

– E para, shpërqendrim i vëmendjes së shumicës shqiptare nga pjesa veriore e vendit të tyre.

– E dyta, shpëlarja e trurit të rinisë (së shëndoshë) shqiptare me dogma fetare.

– E treta, ftohja dhe prishja përfundimtare e marrëdhënieve  të shkëlqyera miqësore me shtetet perëndimore, e në veçanti me SHBA-në.

Bandat serbe sundojnë veriun!

Për fat të keq, ky projekt serbo-sllavo-ruso-maqedonase pati sukses ndaj shqiptarëve të mashtruar nga gjysmëliria që u erdhi në gjysmështetin e Kosovës.

Ja vetëm një nga rezultatet; ndërtimi i mijëra xhamive në shtetin “laik”, prodhoj qindra luftëtarë të gatshëm për të vdekur në shkretëtirat arabe-aziatike…!

Mbetet i pashpjegueshëm fakti, si shqiptarët me kaq lehtësi bien pre e kurtheve dhe planeve të të tjerëve, dhe me sa vështirësi arrijnë të bashkohen rreth idealit të tyre kombëtar!

Nga ju vjen gjithë ai motivim shpirtëror të rinjve shqiptarë për të lënë eshtrat e tyre shkretëtirave aziatike, kur aq afër e lënë në duar të serbëve pjesën e tokës më të pasur dhe më të çmuar të atdheut të tyre – “Trepçën”, tokë me flori siç thotë populli, njërën ndër minierat më të pasura në Evropë dhe botë!

Heronj të (vetëm) gjallë të asaj toke janë ata pak banorë shqiptarë të mbetur në pjesën veriore, që me prezencën e tyre fizike janë duke u munduar t’i dalin zot trojeve të veta stërgjyshore, përderisa liderët politikë me hipokrizi sollën ndaj tyre duke u thënë “jo nuk ndahet Mitrovica”, duke mos e bërë as hapin më të vogël politik e juridik për bashkimin e asaj pjese (përkundrazi përmes decentralizimit etnik krijuan komunën e Mitrovicës serbe të veriut) !

Në anën tjetër, serbët me modifikimin (ndryshimin) e pamjes së barrikadave mbi urën e lumit Ibër na rikujtojnë se aty përfundon sovraniteti i shtetit të Kosovës.

E gjithë loja e serbëve me barrikada po bëhet para syve të opinionit vendor dhe ndërkombëtar. Janë serbët, varrmihësit e shqiptarëve që s’ka kush t’i ndalë me lojërat e tyre djallëzore, që për më tepër se lojë është provokim dhe tallje me shqiptarët e anës tjetër, të ndarë dhe të përçarë në luftën për pushtet në gjysmë shtet!

Në anën tjetër, thirrjet për luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar, kanë dominuar në fjalorin e politikanëve kosovarë dhe ambasadorëve perëndimorë gjatë viteve, muajve, javëve dhe ditëve ë fundit, i përsëritur fuqishëm nga komisionerët e Bashkimit Evropian, të cilët qartësuan në formën e prerë kriteret për liberalizim të vizave për popullin e Kosovës, të cilët na kthyen në kohën, kur këngëtarët e Rock-grupit “TROJA”, vite më parë lansuan videoklipin e tyre “Amaneti i Clown-it”, përmes të cilit, më mirë se askush tjetër iu adresuan popullit të fjetur dhe të rënë në iluzione nga gjysmëliria, duke dhënë mesazhe të qarta për nevojën e largimit të kësaj klase të korruptuar dhe shëmtuar politike.

“Troja” i bëri thirrje ndërgjegjes së popullit!

“Kush janë këta njerëz që s’janë shkollue, nuk kanë mësue që njeriu nuk ban shpinë e vet me vjedhë,….edhe sa vjet duhet me shkue, me i durue kta njerëz që krejt forcën ma kanë marrë,…janë këta njerëz që vet nuk muj me i nal…”. Në veçanti vargu i fundit i bën thirrje ndërgjegjes së popullit që të jenë të kujdesshëm se, prapa kujt po shkojnë? Apo nga kush po drejtohet shteti?

Ndërsa në vargun; “janë do fjalë që nuk po muj me i thanë…”, na shfaqet përpara vargu njëmijë vjet i vjetër i “Rubairëve” të Omar Khajamit kur thotë; “Dhe shumë gjëra pa fol i lashë…”.

Pra, është kjo një nga mënyrat e shprehjes së pakënaqësisë për gjendjen e krijuar në Kosovë. Është kjo një shprehje e shpirtit patriotik që vuan padrejtësitë, kur thotë; “Kisha dashtë diçka me ndrrue-të k’ta njerëz që djellin ma kan nal…”.

Prandaj, le të jenë këto vargje një kushtrim për të gjitha forcat përparimtare, sidomos tani, kur në Kosovë është krijuar një gjendje e paqartë politike, për ta larguar përfundimisht mjegullën politike dhe për t’i sjellë në shprehje vlerat njerëzore dhe kombëtare.

Mjaft më, me fjalë të kota, me tryeza dhe debate neveritëse, krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk luftohet me fjalë, por me veprime konkrete.

Popullata e vendit tonë duhet të vetëdijesohet, dhe të dalë me kërkesa të qarta, jo me kërkesa politike siç po e bën opozita për të ardhur në pushtet, por kërkesat duhet të jenë praktike, të thjeshta dhe të qarta për bashkësinë ndërkombëtare, që në fakt janë edhe kritere bazë për liberalizimin e vizave; të fillohet me arrestimin e “peshqve të mëdhenj”, aty ku është “kupola” e krimit të organizuar dhe korrupsionit, tek bartësit e institucioneve më të larta shtetërore, për të zbritur teposhtë në të gjitha institucionet qendrore dhe lokale të vendit,…i pasuar me konfiskimin e pasurisë së krijuar në mënyrë të paligjshme.

Nëse vërtet dëshirojmë të bëhet mirë, nëse vërtet dëshirojmë të jetojmë të lirë në kuptimin e plotë të fjalës, nëse dëshirojmë të marrim sinjalin pozitiv për lëvizje të lirë drejt shteteve të BE-së, atëherë duhet ta mbështesim bashkësinë ndërkombëtare, që të veprojë pa asnjë hezitim, me procedura të përshpejtuara për burgosjen dhe vënien para drejtësisë të të gjithë shkaktarëve politikë dhe parapolitikë (grupeve kriminale të nëntokës politike), që e sollën Kosovën në këtë gjendje mjeruese.  Në të kundërtën, theqafja dhe katandisja jonë do të vazhdojë deri në pambarim!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button