Maqedoni, administratorët nuk avancohen nëpër ministri edhe përskaj përvojës

Punësimi dhe gradimi i të punësuarve në administratë në bazë të aftësive, respektivisht në bazë të meritave dhe jo në bazë të lidhjeve partiake ka të bëjë me atë që në shkenca politike njihet si “merit-sistem”, apo sistem i vlerave dhe meritave.

Sa në administratën e Maqedonisë vlen “merit-sistemi”?! Është pyetje që na imponohet sa herë që publikohet Raport Progresi për Maqedoninë, por edhe ankesat e shpeshta në adresë të redaksisë tonë në lidhje me mosavancimin e drejtë nëpër vende pune.

“Ka një numër të madh të administratorëve që edhe përskaj përvojës së madhe nëpër ministri nuk janë avancuar, që nga pranimi i tyre me shkolla të mesme dhe me përvojë prej 10 viteve edhe përskaj diplomimit të tyre nuk u pranohet e drejta të punojnë në vende adekuate sipas shkollimit, ka të shumtë që punojnë me shumë se 5 vite të diplomuar e disa deri në 9 vite me diploma, që punojnë si referenta (me shkolla të mesme)”, thuhet në letrën e një administratorit dërguar në adresën e redaksisë tonë, i cili insiston të mbetet anonim, shkaku i presioneve eventuale partiake.

Se gjatë punësimeve dhe avancimeve nuk merren parasysh meritat vërteton edhe Raport Progresi i fundit për vendin. Mirëpo, rekomandimet e KE-së në Raport hasin në vend të shurdhër.

Se roli i administratës është madhor dhe shumë i rëndësishëm vërteton edhe doktoranti i Administratës Publike, Argëtim Saliu. Sipas tij, administrata paraqet “motorin” lëvizës të proceseve shtetërore.

Prandaj, nisur nga fakti se kontakti i qytetarëve në raport me administratën është i ditëpërditshëm dhe i pashmangshëm, imponohet nevoja për administratë profesionale sipas sistemit të meritokracisë.

“Në botë ka dy principe apo kritere të punësimit dhe avancimit, ato janë: kriteret e meritokracisë që dominon në vendet e zhvilluara të BE-së  dhe “sistemi spoills” ku dominojnë kriteret politiko-partiake, e që janë te pranishme në vendet në zhvillim e sipër. Të gjitha raportet e progresit te Komisionit Evropian dhe Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, dëshmojnë dhe vërtetojnë faktin se Maqedonia ka administratë jo-profesionale. Kjo për shkak të mosrespektimit të principit të meritokracisë”, tha për Portalb Saliu.

Saliu zgjidhjen e sheh tek implementimi i ligjit për nëpunës administrativ.

“Nëse kërkohet zgjidhja atëherë vetëm duhet të implementohet ligji për nëpunës administrativ për arsye se në Maqedoni procedurat e punësimit dhe avancimit në organet e administratës, janë vetëm farsë sa për t’ju përmbajtur procedurës nga aspekti formal, por jo edhe në aspektin material apo përmbajtësorë”, theksoi ai.

Nga Ministria e Ekonomisë na thonë se punësimet dhe avancimet bëhen në mënyrë të rregullt dhe sipas ligjit.

“Në Ministrinë e Ekonomisë dy vitet e fundit ka pasur 25 punësime, prej të cilave afër 10 avancime. Në bazë të ndryshimit në status brenda kohës të punësuarit që kanë diplomuar ose kanë kryer master janë avancuar, siç parasheh ligji.  Ka raste që kanë qenë bashkëpunëtorë, tani janë shefa njësish, këshilltarë, shefa sektorësh. Të gjithë në një kohë nuk mund të avancohen, ne çdo vjet fusim avancime”, tha Naim Vranezi zëdhënës i Ministrisë së ekonomisë, pa precizuar se vallë avancimet dhe punësimet bëhen në bazë të merit sistemit.

Edhe nga Ministria për Vetëqeverisje Lokale nuk kanë precizuar në përgjigjen e tyre, konkretisht, se me çfarë kriteri avancohen nëpunësit, por vetëm se ka avancime.

“Në ministrinë tonë në masë të madhe respektohet merit sistemi, ku sipas sistematizimit të ministrisë për vetëqeverisje lokale kemi këshilltarë shtetëror, udhëheqës sektori, ndihmës sektori, udhëheqës njësie si dhe këshilltarë. Sa i përket të punësuarve me shkolla të mesme, të cilët kanë kryer fakultet, avancimi i tyre është në procedurë e sipër, pritet pëlqim nga ministria e financave”, shprehen nga sektori për marrëdhënie me publikun.

Ndryshe, nga zyra e Avokatit të Popullit thonë se në zyrat e tyre nuk ka pasur ankesa në lidhje më çështjen që po e trajtojmë ne, për faktin se në Maqedoni nuk ekziston “merit sistemi”.

“Në Maqedoni nuk ka merit sistem, për këtë fakt nuk ka ndodhur që te ne të dërgohen ankesa të këtij lloji”, është përgjigjur shkurt për Portalb Marija Lazarova, zëdhënëse e Avokatit të popullit./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button