ANALIZË: Pas Viti të Ri – më vështirë deri te kreditë konsumatore?

Kamatat e kredive më atraktive, atyre konsumatore, do të zvogëlohen, mirëpo do të vështirësohen kushtet për marrjen e tyre. Gjatë dy viteve të fundit ka pasur rritje të konsiderueshme të kredive afatgjate konsumatore, mirëpo është përkeqësuar kthimi i tyre. Analiza e Bankës Popullore ka treguar se rritet ngarkesa me borxhe e qytetarëve që tashmë kanë borxhe, njofton analiza ekonomike javore e Portalb-it. Bankierët të gatshëm i pritën masat e BPRM-së për “ashpërsimin” e politikës kreditore – thonë kredi do të ketë, mirëpo shtrohet pyetja se me çfarë kushtesh.

Kushte më të rrepta për kreditë konsumatore – si do të miratohen ato?

Prej 1 janarit më vështirë do të merren kreditë konsumatore, ndërsa ashpërsim i ngjashëm i kushteve pritet edhe për qytetarët që duan të marrin hua nëpërmjet kartelave të popullarizuara kreditore ose minuseve në llogaritë rrjedhëse. Banka Popullore i shpalosi masat, me të cilat praktikisht, në një farë mënyre, do të ndikohet për ashpërsimin e kushteve për marrjen e kredive te ky lloj i ofertës. Bankat të cilat pas Vitit të Ri do të miratojnë kredi afatgjate konsumatore do të duhet të sigurojnë kapital më të madh me afat të barabartë ose më të madh se tetë vite, si një lloj garance. Ky hap i guvernatorit Bogov vjen pasi BPM-ja ka bërë analizë se rritet rreziku, gjegjësisht rritet saldoja problematike te kreditë konsumatore.

“Në dy vitet e fundit, vërehet rritje shumë e shpejtë e kredive konsumatore, para së gjithash e kredive konsumatore me afat kthimi mbi dhjetë vjet, përqindja vjetore e rritjes së të cilave në shtator të vitit 2015 arriti madje në 47,5%. Në praktikë, pothuajse gjithmonë, pas rritjes së shpejtë të kreditimit, i cili zakonisht është i shoqëruar edhe me lehtësimin e kushteve për marrjen e kredive, pason një periudhë e vështirësuar e kthimit të kredive. Rritja e kredive jofunksionale konsumatore është e matur, mirëpo është duke marrë hov muajve të fundit. Megjithatë, nën ndikimin e rritjes së shpejtuar kreditore, pjesëmarrja e kredive jofunksionale në numrin e përgjithshëm të kredive konsumatore është në nivel relativisht të lartë prej 5,2%”, thonë për Portalb, nga BPM-ja.

Bankierët e pritën masën e re të përgatitur. Një pjesë e tyre vlerësuan se sinjalet e Bankës Popullore për ashpërsimin e politikës kreditore nuk do t’i shtrenjtojnë kreditë, mirëpo nuk do të heqin dorë nga kujdesi i shtuar gjatë miratimit të tyre.

“Nuk do t’i komentoj masat e rregullatorit, mirëpo mendoj se ato megjithatë do të ndikojnë në njëfarë mënyre, para së gjithash do të rritet kujdesi gjatë miratimit të këtij lloji të kredive, që mund të rezultojë me kushte më të rrepta për miratimin e kredive. Nga ana tjetër, nuk pres rritje të kamatave, gjegjësisht shtrenjtim të kredive”, komentojnë një pjesë e bankierëve që i pyeti “Portalb”-i.

Para do kohësh, njeriu i parë i Shoqatës së bankierëve deklaroi se madje ka mundësi të zvogëlohen përqindjet e kamatave si rezultat konukrrencës së shtuar në sektorin bankar.

“Te përqindjet e depoziteve ka mundësi për tronditje. Nga ana tjetër, te përqindjet aktive ka mundësi të pritet zvogëlim i kamatës për shkak të konkurrencës, gjegjësisht në kushte të aktivitetit të ngadalësuar ekonomik dhe tregut të kufizuar, bankat duan të tërheqin klientë të rinj”, deklaroi për Portalb, Jançevski.

Guvernatori Bogov nuk pret që masat t’i shtrenjtojnë kreditë, mirëpo rekomandon për kujdes të shtuar për shkak se analizat e BPM-së kanë treguar se rritet ngarkesa me borxh e qytetarëve që tashmë janë në borxhe.

“Masat futen që të kufizohen rreziqet potenciale nga rritja e shpejtuar e kredive afatgjate konsumatore, gjegjësisht që të ndikohet në mënyrë parandaluese në sinjalet për rreziqet e mundshme të ardhshme për rritje të këtyre kredive, edhe atë jo vetëm për kualitetin e portfolios kreditore të bankave, por edhe për nivelin e ngarkesës me borxh të popullatës, për shkak se rritet ngarkesa me borxh e atyre që tashmë kanë borxh, e jo e shfrytëzuesve të rinj të kredive të bankave. Me këtë masë rritet kërkesa kapitale për banka për kreditë afatgjate konsumatore me afat të barabartë me ose më të gjatë se tetë vjet”, njoftojnë nga BPM-ja.

Deri në fund të tetorit, të dhënat tregojnë rritje të mëtutjeshme të kredive jofunksionale, të cilat në fund të vitit të kaluar ishin 11,2%. Në periudhën e analizuar, zvogëlim ka te kreditë problematike për popullsinë, të cilat janë në nivelin 5,5%, ndërsa rritje ka te kompanitë me saldo problematike prej 16,5%.

Bankierët thonë se kjo masë nuk do të shkaktojë tronditje në kreditim, mirëpo megjithatë thonë se do të ketë ndikim duke pasur parasysh faktin se është e orientuar jo vetëm kah kreditë e sapomiratuara, por edhe te ata që do të duan ta rifinancojnë kredinë, gjegjësisht kredinë që tashmë e kanë marrë ta vazhdojnë me kushte të reja. Në të njëjtën kohë, në qarqet bankare komentohet se me ngadalësimin e mundshëm të kreditimit të popullsisë, nuk do të shkaktohet kreditim më i madh i firmave.

“Nuk presim se me këtë masë, e cila praktikisht në një farë mënyre do të paraqesë ashpërsim të aktivitetit kreditor për popullsinë, do të stimulohet kreditimi i firmave. Në fakt, ne si banka edhe tani disponojme me tepricë të likuiditetit dhe ato mjete i investojmë në letra me vlerë, që do të thotë se para për financimin e kompanive ka, mirëpo bankat edhe më tutje do të kenë kujdes të shtuar gjatë miratimit të kredive”, komentojnë për Portalb, bankierët.

Sipas të dhënave më të reja nga muaji tetor, në nivel të sektorit bankar është regjistruar rritje kreditore prej 5,4% në krahasim me gjendjen në fund të vitit 2014. Në fakt, rritja kreditore te popullata është 11,1%, ndërsa te firmat 1,2%, gjegjësisht ekspozimi kreditor ndaj qytetarëve është 1,9 miliardë euro, ndërsa ndaj firmave 2,4 miliardë euro. /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button