Adoleshentja vetëvritet, sepse familja ia ndaloi lidhjen me një djalë

Vetëhelmohet se i “mohohet” dashuria që kishte për një djalë. Çeleste Karallambi 17 vjeç, banuese në fshatin Libofshë të Bashkisë së Fierit, ka ndërruar jetë mbrëmjen e të premtes rreth orës 22:00, pasi kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme fostoksine.

Nga burime të gazetës “Shqip” pranë të afërmve të të ndjerës është mësuar se e reja 17-vjeçare është gjetur në dhomën e saj në gjendje të rëndë shëndetësore nga prindërit.

Ata kanë ndier se vajza e tyre po rënkonte e qante dhe kanë rendur menjëherë në dhomën e saj.

Aty ata kanë parë se ajo ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe e kanë shoqëruar menjëherë për në Spitalin e Fierit.

Pavarësisht se mjekët e urgjencës kanë ndërhyrë menjëherë që të mbanin në jetë vajzën, një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Kjo, pasi adoleshentja kishte konsumuar një sasi të madhe fostoksine dhe prej disa orësh duke bërë që lënda helmuese të ishte përthithur prej trupit.

Rreth orës 22:00 ajo ka ndërruar jetë dhe trupi është përcjellë për në morgun e qytetit të Fierit ku i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore.

Mësohet se nga ekspertimi është konkluduar se vdekja e 17-vjeçares kishte ardhur si pasojë e konsumimit të sasisë së madhe të lëndës helmuese tip fostoksinë.

Nga burime të gazetës është mësuar se e reja ka vendosur ta ndërmarrë këtë akt fatal, pasi ka qenë në gjendje të rëndë psikologjike.

Banorë të fshatit Libofshë, të cilët nuk kanë preferuar të identifikohen kanë pohuar për gazetën se 17-vjeçarja Karallambi kishte pasur një lidhje dashurore me një bashkëmoshatar nga fshati i Libofshës. Por, pasi familjarët e saj kanë mësuar për këtë lidhje i kanë kërkuar që ta ndërpriste këtë gjë, pasi ishte ende në moshë të mitur dhe duhej të tregohej e kujdesshme.

Mësohet se të rinjtë kanë qenë të gatshëm që ta bënin publike lidhjen e tyre, por fakti që ata ishin të dy të mitur, pasi nuk kishin mbushur ende 18 vjeç, ka qenë një arsye e prindërve të adoleshentes që t’i kërkojnë asaj të mos shoqërohet më në shkollë me djalin që ajo e donte.

Nisur nga kjo situatë, 17-vjeçarja ka vendosur që t’i japë fund jetës duke konsumuar fostoksinë. Kështu, mbrëmjen e të premtes ajo është mbyllur në dhomën e saj dhe ka konsumuar lëndën helmuese. Prindërit e kanë pikasur vetëm kur ajo ka nisur të rënkojë e të qajë si pasojë e dhimbjeve që i shkaktonte lënda helmuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button