Opozita proteston kundër “Zajednicës” edhe në Berlin

Aktivistë të Vetëvendosjes dhe AAK-së në Gjermani kanë protestuar para përfaqësisë diplomatike të Republikës së Kosovës në Berlin.
Protesta e tyre vjen vazhdën e protestave kundër Bashkësisë së Komunave serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi.

“Aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe ata të AAK-së, protestuan sot para përfaqësisë diplomatike të Republikës së Kosovës në Berlin, ku shqetësimin e tyre të thellë mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, në veçanti lidhur me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel me Serbinë më 25 gusht, si dhe marrëveshjen e 26 gushtit për demarkacion me Malin e Zi”, thuhet në komunikatën e partive opozitare.

“Pushteti aktual në Kosovë po e keqpërdor secilin institucion shtetëror, vetëm e vetëm që ta shtypë opozitën, ashtu që t’i realizojë në përpikëri projektet e Serbisë brenda Kosovës. ‘Zajednica’ dhe demarkacioni me Malin e Zi cenojnë rënë sovranitetin e Republikës së Kosovës. Ndarja etnike e Kosovës përmes ‘Zajednicës’ është hap i parë drejt bosnjëzimit të shtetit tonë. Prandaj, nuk do ta lejojmë një gjë të tillë. Prandaj, do të angazhohemi deri në fund që t’i ndalim këto marrëveshje”.

“Qeveria e Kosovës është marrë peng nga politikat e gabuara, dhe si e tillë nuk është e aftë për të siguruar interesat vitale të shtetit dhe qytetarëve të saj. Një Qeveri që sjell marrëveshje antikushtetuese e raciste nuk është e denjë që ta udhëheq shtetin”.

“Ne si mërgatë, gjatë gjithë ekzistencës sonë kemi qenë faktor i rëndësishëm për nxitjen dhe mbrojtjen e interesave të atdheut. Edhe tani në kushte të reja po vazhdojmë veprimtarinë tonë, për të kundërshtuar fuqishëm dhe pa kompromis ‘Zajednicën’ dhe demarkacionin me Malin e Zi, duke përkrahur politikat e mirëfillta për zhvillimin e Republikës dhe të shtetit të së drejtës, pa dallim përkatësie etnike dhe duke mos e lejuar ndarjen e shtetit në vija etnike, të cilat do na kthejnë ne dhe Kosovën në shekullin e kaluar”.

“Në fund të kësaj proteste, pos fjalimeve të mbajtura në gjuhën shqipe dhe gjermane, një përfaqësues yni i dorëzoi përfaqësuesit diplomatik të Republikës së Kosovës një shkresë me kërkesat tona, duke nënvizuar përgjegjësinë e Ambasadës së Kosovës për të përfaqësuar shtetin, dhe jo pushtetin”, thuhet në kumtesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button