Rama: Shqipëria, faktor stabiliteti në rajon

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë pritjen e fundvitit të trupit diplomatik të akredituar në kryeqytet.

Në fjalimin e mbajtur para të pranishëmve, shefi i qeverisë ka rikonfirmuar angazhimin e shtetit shqiptar për ruajtjen e paqes në Ballkan dhe në luftën kundër terrorizmit përkrah aleatëve të saj.

“Shqipëria vazhdon të punojë pa rreshtur për paqen kolektive dhe vazhdon të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon”, ka deklaruar Rama, transmeton TCH.

Ai ka vlerësuar se, dokumenti i Partneritetit Strategjik që këtë vit Shqipëria nënshkroi me Shtetet e Bashkuara përbën një gur themeli për vendin tonë.

Gjithashtu, ka vijuar kryeministri, “Shqipëria dhe rajoni mund të udhëhiqen nga kultura e gjithëpërfshirjes nën një strehë të përbashkët”.

Më tej, Rama ka vlerësuar si një tjetër faktor të rëndësishëm interesin e shprehur në vitet e fundit nga Kina në Ballkan.

“Kjo është një dëshmi më shumë se të gjithë bashkë në rajon jemi ndoshta të dënuar, apo të destinuar prej gjeografisë të jemi partnerë të besueshëm dhe aktorë gjeo-politikë të besueshëm”, ka thënë Rama.

“Angazhimi ynë në luftën kundër terrorizmit mishëron vizionin dhe një strategji afatgjatë në shërbim të proceseve integruese, paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, ka thënë më tej ai.

Kryeministri nuk ka lënë pa nënvizuar edhe synimin e qeverisë së tij për shtetndërtimin e Shqipërisë para se të aderojë në familjen e përbashkët europiane.

Në këtë drejtim ai e ka vënë theksin tek nevoja për ndryshimin e sistemit të drejtësisë, si një nga themelet kryesore të çdo shteti.

“Ne kemi ardhur në qeveri për të bërë reforma dhe do të qëndrojmë në qeveri duke bërë reforma”, ka shtuar Rama.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button