Davutoglu: Ndërmjet Turqisë dhe Greqisë ka çështje të përbashkëta

Kryeministri turk Ahmet Davutoglu gjatë qëndrimit në Bruksel është takuar me homologun e tij grek Alexis Tsipras. Davutoglu ka thënë se Turqia dhe Greqia do të punojnë së bashku në Evropë si “dy vende mike”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai sheh të ardhme të shdritshme për Egjeun dhe Mesdheun Lindor. “Ne kemi një mundësi të madhe para nesh. Unë gjithashtu jam i sigurt se takimi i vendeve me ide të njëjta do të jetë i suksesshëm”, ka thënë Davutoglu.

Duke shprehur kënaqësinë për bisedën me Tsipras para takimit kryeministri turk tha se me të ka patur shumë biseda, dhe më e kënaqshmja prej tyre ka qenë ndjekja e ndeshjes miqësore Turqi-Greqi në Stamboll, e cila kaloi në një atmosferë miqësore.

“Para nesh kemi një axhendë shumë të rëndësishme. Në marrëdhëniet tona ka stabilitet. Shpresoj që në një të ardhme të afërt të realizojmë takimin e bashkëpunimit të lartë ku krahas projekteve të përbashkëta do të diskutojmë edhe çështjet dhe interesat e përbashkëta. Fjala e përbashkët është e rëndësishme sepse ajo tregon unitetin dhe vetëdijen tonë të përbashkët kundër vështirësive me të cilat përballemi”, tha Davutoglu.

Sipas tij, mes Turqisë dhe Greqisë ka çështje të përbashkëta siç është ajo e refugjatëve. “Dy javë më parë në samitin e mbajtur në Bruksel mes BE-së dhe Turqisë u morën vendime të rëndësishme në lidhje me liberalizimin e vizave për shtetasit turq, marrëveshjen e riatdhesimit dhe planin e përbashkët të veprimit Turqi-BE. Kjo është në lidhje me axhendat e përbashkëta, në lidhje me miqësinë dhe fatin e përbashkët mes Turqisë dhe Greqisë”, tha ai.

Davutoglu theksoi se Turqia dhe Greqia do të punojnë së bashku në Evropë si “dy vende mike”.

“Ky bashkëpunim do të jetë në të mirë të Evropës. Kjo gjithashtu është edhe shumë e rëndësishme për stabilitetin në Mesdheun Lindor. Falënderoj Tsipras për qasjen aktive në çështjen e marrëdhënieve, bashkë do të zhvillojmë shumë takime në vende të ndryshme si Stamboll, Ankara dhe Selanik”, tha kryeministri i Turqisë.

Ndërsa kryeministri grek Tsipras tha se “bashkëpunimi kryesisht në kuadër të reduktimit të fluksit të refugjatëve për rajonin tonë dhe Evropë si dhe për flukset e refugjatëve në Egje në kuadër të këtij konteksti është një çështje shumë kritike”.

Tsipras duke cekur rëndësinë e takimit dhe të shkëmbimeve të ideve me kryeministrin Davutoglu ka thënë se në tre muajt e ardhshëm në kudër të takimeve Turqi-Greqi do të kenë një program intensiv.

Takimi i mbajtur me dyer të mbyllura për median pas deklaratave zgjati afërsisht 30 minuta.

Pas takimit Davutoglu dhe Tsipras kaluan në përfaqësinë e përhershme të Austrisë për të marrë pjesë në “Takimin e vendeve me ide të njëjta” të mbajtur nën patronazhin e Samitit të Liderëve të BE-së.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button