Presidentja Jahjaga: Asnjë individ nuk është më i rëndësishëm se Kosova

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, sot ka mbajtur fjalimin e saj të rregullt vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në mungesë të atyre të opozitës së bashkuar që e bojkotuan plotësisht atë. Para fillimit të seancës, në sallën e Kuvendit ishin prezent deputetët opozitarë Visar Ymeri, Rexhep Selimi, Aida Dërguti, Shqipe Pantina, Besa Baftiu dhe Ilir Deda, mirëpo më pas ata e braktisën sallën dhe nuk qëndruan gjatë fjalimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidentja Jahjaga fjalimin e saj vjetor e filloi duke thënë se këtë fjalim po e mban në njërin prej momenteve më kritike për demokracinë e re të Kosovës, në kohën e një krize politike të paparë dhe përplasjeve të skajshme të pozitës dhe opozitës që kulmuan me dhunë, duke i shkaktuar dëme të mëdha vendit.

Ajo tha se qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë këtë gjendje dhe deklaroi se asnjë individ nuk është më i rëndësishëm se shteti i Kosovës.

Jahjaga tha se qytetarët e Kosovës, në vend se të gëzojnë mundësinë historike të fituar me shumë mund e sakrificë nga gjenerata të tëra të jenë zot të vetvetes për ta çuar vendin e tyre përpara, u shndërruan në spektatorë të një tensionimi të skajshëm, të një tronditjeje të thellë, të një dhune të pashembullt, të një arrogance të paparë në historinë tonë të re.

“Në këtë moment kritik për të ardhmen e Kosovës, a kemi nevojë për një thyerje të tillë? Jam e bindur që në vend se ta sfidojmë shtetin tonë dhe ta lëkundim besimin e qytetarëve tanë në institucionet që ata i ndërtuan me mund, zgjidhja qëndron te një dialog i munguar se ku po shkon dhe ku po e çojmë këtë vend. Nevojën për një bashkëbisedim mes njerëzve që kanë vendosur ta ndajnë të mirën dhe të keqen në Kosovë. Për të rivendosur një konsensus se Kosova është më e rëndësishme se secili prej nesh”, tha Jahjaga.

Presidentja e Kosovës raportoi për përpjekjet e saj që, në kuadër të kompetencave të saja kushtetuese, të ndërmjetësoi në gjetjen e rrugëdaljes nga kriza politike mirëpo, presidentja Jahjaga u shpreh e dëshpruar me faktin se, ose është refuzuar ose është kushtëzuar.

Megjithatë, zonja e parë e Kosovës mbetet e përkushtuar që të ndërtohet dialogu politikë dhe kompromisi ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Jahjaga i bëri thirrje klasës politike aktuale, pushtetit dhe opozitës, që t’i tejkaloi interesat e politikës ditore dhe interesin e vendit ta vendosë si prioritet sepse qytetarët e Kosovës nuk e kanë për borxh ta durojnë një sjellje të tillë.

“Forcën e argumentit nuk mund ta zëvendësojë gazi lotsjellës. As demokracinë tonë nuk mund ta reduktojmë në numra. Niveli i demokracisë tonë dhe kualiteti i saj do të përcaktohen nga dialogu mes pozitës dhe opozitës. Tash për tash mungesa e këtij dialogu rrezikon të zhbëjë parimin fundamental të jetës tonë politike, ta delegjitimizojë vendimmarrjen dhe ta bëjë të pasuksesshme përpjekjen për të krijuar vend ku sundon ligji për të gjithë, sikur për kryetarin e një komune që abuzon me detyrë zyrtare dhe pastaj për t’i ikur drejtësisë lejohet të arratiset nga vendi, ashtu edhe për deputetin që rrezikon jetën e të tjerëve. Të dyja janë praktika të mbrapshta, pasojat e të cilave sot i vuan qytetari i Kosovës, të vetmit që sot në Evropë vazhdon t’i mohohet lëvizja e lirë”, tha presidentja Jahjaga duke theksuar se në Kosovë, dhuna nuk do të shndërrohet në mjet politik dhe se, askush nuk e gëzon të drejtën që ta dëmtojë .

Ajo kërkoi nga partitë politike parlamentare mos të humbasin më shumë kohë sepse kjo do t’i kushtoj shumë shtrenjtë Kosovës për ta forcuar shtetin dhe për ta bërë shtet të rendit e ligjit, me ekonomi të qëndrueshme dhe vend ku njerëzit do të dëshirojnë të jetojnë.

Gjatë fjalimit vjetor, presidentja e Kosovës foli për të gjitha ato sfida me të cilat u përball Kodsova gjatë vitit 2015, duke filluar nga kriza e emigrimit ilegal në vendet e Bashkimit Evropian dhe lufta e suksesshme për ta ndalur këtë dukuri negative, pastaj për luftën e suksesshme kundër elemente ve ekstremiste dhe terroriste që , pa suksesshëm kishim tentuar ta shtrijnë ndikimin e vet në Kosovë, duke përmendur edhe vlerësimin që institucionet ndërkombëtare të sigurisë i kanë bërë Kosovës për luftimin ndaj ekstremizmit radikal dhe kontributin e dhënë në sigurinë globale.

Presidentja po ashtu foli për nevojat për vazhdimin e bisedimeve dhe dialogut me Serbinë, parakusht ky për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy shteteve dhe vazhdimin e rrugës së integrimeve evropiane, duke theksuar po ashtu rëndësinë e hapjes së Kapitullit 35 të integrimit të Serbisë në BE, me të cilin do t’i jepet fund dualizmit të strukturave serbe në Kosovë dhe i cili, sipas Jahjagës, do të kulmoj me nënshkrimin e njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë.

Jahjaga shprehu zhgënjimin me vlerësimin e fundit të Komisionit Evropian për mos liberalizimin e vizave dhe vendosjen e kushteve shtesë për Kosovën, por theksoi se vendi duhet të vazhdojë ta luftojë edhe më shumë korrupsionin, krimin e organizuar, ta forcojë sistemin e drejtësisë, ta funksionalizojë Gjykatën Speciale dhe të fillojë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, me çka do të dëshmoj se ka shënuar përparim në përafrimin me standardet që mundësojnë integrimin në BE.

Megjithatë, sipas presidentes Jahjaga, Kosova gjatë vitit 2015 ka pasur edhe gjëra me të cilat ka mundur të krenohet. Me këtë rast ajo përmendi oficerin kadet Ismail Hoxha i cili ditë më parë u shopërbllye nga Akademia Ushtarake Mbretëror Sandhurst, ndër më të mirat në botë, si kadeti i huaj më i suksesshëm i gjeneratës 2015, në mesin e gjithë kadetëve të botës.

“Kam parasysh rastin e oficerit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ismail Hoxhës, i cili ditë më parë u shqua për suksesin e arritur në akademinë britanike të mbrojtjes. Majlinda dhe Nora, dhe sportistë të tjerë që po i përcjellin hapat e tyre, që vazhdojnë të jenë ambasadorët më të mirë të Kosovës. Qindra vajza dhe djem bursistë nëpër shkollat me renome botërore, të cilët po kthehen në Kosovë me entuziazëm për ta transformuar vendin e tyre. Ka shumë shpresë për një shoqëri që në mesin e saj ka idealistë të tillë. Është obligim i yni që zërin dhe talentin e tyre ta shumëfishojmë”, tha presidentja e Kosovës.

Krejt në fund, Jahjaga tha se ky është adresimi i saj i fundit vjetor si presidente, gjatë mandatit të saj 5 vjeçar i cili filloj në prill të vitit 2011 dhe theksoi se ka qenë nderë për të që t’u shërbejë qytetarëve të Kosovës

“Ua them me kuptimin e plotë të fjalës se nuk ka patur privilegj më të madh se të qëndrojë në ballë të një shoqërie që, nën represion, spastrim etnik dhe kërcënim të vet ekzistencës, asnjëherë nuk u zbraps nga ëndrra e të bërit shtet. Që vazhdon të mbështetet fuqishëm në vlerat më të avancuara të njerëzimit. Që me krenari e lartëson partneritetin dhe miqësinë e thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që synon pa u dekurajuar integrimin në Bashkimin Evropian. Që edhe sot, përkundër vështirësive dhe debatit të ashpër për të trasuar rrugën e vet, është e palëkundur në përpjekjen për ta bërë Kosovën vend të denjë për të jetuar”, përfundoi presidentja Jahjaga fjalimin e saj të rregullt vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët u ngritën në këmbë dhe me duartrokitje të mëdha e përshëndetën kryetaren e parë femër, në histori të Ballkanit.

Duhet theksuar se, pas fjalimit të presidentes Jahjaga, lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri e ka cilësuar fjalimin e saj si përçim të mesazhit të liderëve të pozitës, Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit dhe e ka akuzuar se ajo është bërë vegël e kryeministrit aktual dhe zëvendësit të tij.

Pas përfundimit të seancës në të cilën presidentja Jahjaga mbajti fjalimin e saj vjetor, kryeparlamentari Veseli dha pushim prej 20 minutave duke thënë se seanca e rregullt do të vazhdojë me një pikë të rendit të ditës, zgjidhjen e anëtarëve të Boridt të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Pas daljes nga salla të presidentes Jahjaga, duke hyrë në sallë janë parë deputetët e opozitës që kanë paralajmëruar se edhe këtë seancë do ta bllokojnë si të gjitha seancat tjera, duke vazhduar kundërshtimin e marrëveshjeve për themelimin Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi.

Sipas informacioneve të fundit, këtu në Kuvendin e Kosovës, ka indikacione se Kuvendi sot nuk do t’i vazhdojë punimet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button